Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 07.12.2019 08:37
Don Fatmir Koliqi

​Kongresi i alfabetit

Prishtinë | 14/11/2019 14:18

Shkruar nga: Don Fatmir Koliqi

Kujtim 14 – 20 nëntori në historinë e shkrimit shqip, janë ditë të rëndësishme, që do të mbesim përgjithmonë në kujtesën e popullit shqiptar: janë ditë të Kongresit të Manastirit, ditët e Kuvendit të gjuhës shqipe (14-20 nëntor 1908). Sot, deri sa shkruaj këta rreshta, dëshiroj të kujtoj ata burra të urtë dhe largpamës, që u bashkuan të kuvendojnë për të vendosur për të ardhmen e gjuhës së shkruar, për ato germa që do ta trupëzonin të folurit dhe të menduarit tonë shqiptarë.

Ka shumë për të thënë e për të shkruar, për Kongresin si institucion në vete dhe për delegatët që morën pjesë, por sot dëshiroj ta kujtoj rëndësinë e tij dhe frymën profetike që pati, që shpirtëzojë atë; për të kujtuar, e mos të harruar, gjuhën tonë dhe rëndësinë e kultivimit të saj, si pjesë e pandashme e jetës dhe kulturës sonë.

Kërkim – Qëndrim – Martirizim

Kongresi i Manastirit ishte përgatitur një kohë të gjatë, apo më mirë të themi, kishte pritur një kohë të gjatë. Këtu e kam parasysh një traditë shekullore të kultivimit të gjuhës nga kleri katolik shqiptar. Që prej Imzot Pal Engjëllit, pagëzuesit të gjuhës sonë, e deri te At Gjergj Fishta, homeri shqiptar, kemi një kohë që, pamohueshmërisht, ishte në kërkim të të folurit e të të shkruarit të përbashkët të shqiptarëve. Është kohë kjo e kërkimit veprues, jo e pasivitetit në pritje. Ishte një ecje në ndërtim e stabilizim të koiné –s arbnore, të përbashkëtës shqiptare, tu i pas për themel etërit e shqipes, B-të mëdha, Buzuku-Budi-Bardhi-Bogdani etj..

Kjo kohë e gjatë e kërkimit, lëvrimit në mundime, e ecjes me plotë gjemba, është një indikacion i veçantë që nuk duhet të harrohet. Sepse, shkrimi dhe e folmja shqip, ka pasur një histori origjinale dhe specifike. Ndoshta do të njihet si i vetmi rast në botë që, për të arrirë te alfabeti i përbashkët, gjuhës dhe shkrimit tonë i është dashur t’i nënshtrohej martirizimit, të vuaj si është më keq nën pesëshekullorin otoman. Është gjuha dhe shkrimi, i cili është martirizuar gjatë, bashkë me subjektin (shqiptarin) e saj që i jepte frymë. 

Profetizim për të ardhmen

Nga ajo që u tha, mund të nxirret nga ky kuvend edhe një përmasë tjetër, përmasa diplomatike dhe politike. Është një kuvend mbarëshqiptarë. Kishte ndodhur për herë të fundit që të mblidhen kokat e kombit, të jenë krejt bashkë për të rrahur çështjet kruciale mbarëshqiptare.

Ky bashkim merr natyrë profetike, duke i paraprirë ngjarjes së madhe – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Natyra e tij profetike qëndron edhe te zgjedhja e alfabetit latin. Delegatët kishin bërë një përcaktim/vendim përfundimtar, për të vazhduar të ecin në djepin të vet natyror, në Europë, në  truallin që ishim brenda gjeografikisht, por njëkohësisht ishim aq larg shpirtërisht. Ky ishte një akt fatlum, duke e shkëputur kulturalisht e gjuhësisht popullin nga bota orientale, që ishte zhytur për disa shekuj përdhunshëm.

Ky kongres dhe delegatët e tij, në një mënyrë, ishin përgatitësit e aktit të pavarësisë.

A do të mund të mendohej sot, që deklarata e pavarësisë, të ishte e shkruar me një alfabet tjetër, apo me shkronja tjera!? Askush prej shqiptarëve nuk e imagjinon dot një deklaratë me shkronja arabe, greke apo sllave, dhe askush nuk do të mund të parashihte rrjedhën dhe pasojat e saj, që do të mund të dilnin nga një akt i tillë.  

Kongresi i Manastirit, fatmirësisht, u bë dhe mbeti simbol i bashkimit të popullit për kulturën dhe mëvetësinë në gjirin e kontinentit Europian. Ky kuvend ka shënuar një fillim të ri për shqiptarët, fillim i forcimit të shpirtit, rimarrjes së kulturës, sepse –siç e thonte At Fishta –  “Për hatër të kombit, nuk mund të bahej ndryshe”.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar