Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 20.07.2018 02:42
Emrush Xhemajli

​Fatkeqësisht në Kosovë shkelen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut

Prishtinë | 11/12/2017 00:27

Shkruar nga: Emrush Xhemajli

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me të paraburgosur e të dënuar politikë.

Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive dhe e të Drejtave të Njeriut e gjen Kosovën pa sjellë drejtësi për plagën më të dhimbshme të pasluftës, vrasjen e aktivistit politik, studentit të shkëlqyeshëm, Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit.

Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive dhe e të Drejtave të Njeriut po i gjen në burgje dhe të dënuar aktivistët politikë të vendit tonë Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha. Gjykatësit shqiptuan dënimet politike me akuzë për “terrorizëm” pa sjellë asnjë provë kundër tyre. 

Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut e gjen në paraburgim për arsye politike liderin shpirtëror të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe të opozitës, deputetin Albin Kurti, aktivisten politike, deputeten Donika Kada, ndërsa vazhdon përndjekja gjyqësore kundër aktivistes, deputetes Albulena Haxhiu dhe aktivistit e deputetit Faton Topalli. Është ironike, por e vërtetë: Ata u burgosën në detyrë dhe nën betimin e deputetit, në mbrojtje të Kushtetutshmërisë, Shtetit, Republikës së Kosovës. 

Duke mos dhënë rezultat formë tjetër e kundërshtimit, ata hodhën gaz lotsjellës për ndaljen e dy marrëveshjeve kundër Kosovës: Asociacionit (“zajednicës”) që e rrëzoi më vonë Gjykata Kushtetuese e Kosovës (konstatoi shpërputhje dhe lëndim të Kushtetutës 23 herë), dhe Demarkacionit të vijës kufitare me Malin e Zi, që ekspertët provuan se është bërë gabim. Gjykimi kundërkushtetues, që po mbahet tash kundër deputetëve, do të mbahet mend si gjykimi politik më i madh i pasluftës. 

Në të prokurori sillet si qeveritar, gjykatësi si kryeparlamentar, ku favorizohen gjatë diskutimit deputetët dëshmitarë të pozitës dhe u merret fjala e përjashtohen nga seance gjyqësore të akuzuarit e opozitës. Kur dëgjon përmbajtjen çka flitet në gjykim nuk është vështirë të konstatosh se në fakt debati parlamentar është zhvendosur në gjykatë. Ndërsa nënshkruesit e marrëveshjeve, që bënë rrëmujën dhe sollën Kosovën buzë greminës nuk duken askund. Drejtësia ata nuk i thirr në përgjegjësi as si të akuzuar as si të dyshuar as si dëshmitarë.

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me të burgosurin e mendimit të lirë, profesorin universitar, dr. Sadri Ramabajën. Pasi fshehtas ju bastis biblioteka e shtëpisë po bëhen gati dy muaj që ai po mbahet në paraburgim pa fakte me akuzë për “terrorizëm”. Gjithë jeta dhe vepra e Sadri Ramabajës, puna publike dhe punimet shkencore të tij provojnë të kundërtën nga ajo që akuzohet Ai.

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me shkelje masive të të drejtave të pjesëtarëve të UÇK-së. Në burgje  janë dhjetëra ushtarak të UÇK-së, si në rastet e Grupit Drenica, Kiçina e të tjerë. Të akuzuarit qëndrojnë të paraburgosur e të pagjykuar për shumë vjet dhe shumë të tjerë të dënuar pa ju provuar fajësia, në mesin e të cilëve dhe ish- Komandanti i UCK-së Sylejman Selimi. 

Dita Ndërkombëtare për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me shkelje masive të të drejtave të punëmarrësve nga punëdhënësit që nga mosrespektimi i orarit të punës, puna pa sigurimet shoqërore e deri te plagosjet dhe vdekjet në vendet e punës.

Drejtësi Për Astritin! Liri për Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adenë! Liri për Albinin dhe Donikën! Liri për Sadri Ramabajën! Liri për ushtarakët e UÇK-së! 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar