Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.07.2019 05:37
Emin Azemi

​Si po i duken Kadaresë mjegullat mbi Tiranë?

Prishtinë | 27/06/2019 15:23

Shkruar nga: Emin Azemi

Ismail Kadare mundet ende të heshtë, por Shqipëria andej dhe këndej Drinit, nuk mund ta heshtë vringëllimën e një konflikti absurd, që në fund të fund si qëllim final ka luftën për pushtet. Përtej kësaj lufte, shqiptarët i kanë lënë përgjysmë shumë beteja, që do t’i bënin edhe më të fuqishëm ekonomikisht, kulturalisht e gjeopolitkisht.

Grindja në mes të pushtetit dhe opozitës në Shqipëri ka shtruar domosdonë  dhe nevojshmërinë e ekzistimit të një autoriteti moral, i personifikuar në një kastë intelektualësh të paanshëm, apo të një grupimi mbipartiak. Dikur këtë rol mundohej ta luante Sabri Godo, ndërkohë që aktualisht Ismail Kadare, çuditërisht po hesht. Ky i fundit më herët ishte më i zëshëm. Fjala e tij ende ka peshë, sidomos në këto ditë të mjegullta (politike) të Tiranës, të cilat ai (në një variant tjetër) aq bukur i ka trajtuar në novelat e tij. 

Shqipëria, por edhe Kosova dhe Maqedonia shqiptare po vuan nga kriza e autoritetit moral të njerëzve të dijes, shkencës, intelektit. Më tepër se kurdo herë më parë, Shqipëria, sidomos, ka nevojë për një zë të arsyes, që do të dilte mbi palët. Për një zë qetësues që do të na zbërthente enigmën e 30 qershorit. 

Por çuditërisht këta zëra po heshtin, nuk duken asgjëkundi, përpos nëse nuk e anashkalojmë ish presidentin Moisiu dhe akademik Artan Fuga, të cilët u munduan  të japin kontributin e tyre në darovitjen këtyre mjegullave të mërzitshme që po lundrojnë mbi qiellin politik të Shqipërisë.

Nëse dikur Adem Demaçi në Kosovë, apo Sabri Godo në Shqipëri e ‘shkrepnin’ nga një fishek për të qartësuar situatat, sot këtë kanë mbetur ta bëjnë mediat dhe analistët. Por,pikëllimi të mbërthen kur dëgjon alamet analistësh se si japin udhëzime të digjen e shkatërrohen vendvotimet ditën e zgjedhjeve. Pikëllimi e trishtimi të kaplon kur dëgjon broçkulla nëpër studio, të cilat që nga avioni duken si tulla që renditen në murin e bedenave të njërës apo palës tjetër (politike).

Nëpër studiot e Tiranës shkon dhe ndonjë ‘mendjendritur’ nga Prishtina, të cilët ta bëjnë verën dimër me krahnezin e fjalëve të ftohta për kundërshtarin politik, të cilin ata e projektojnë varësisht nga centimetrat e interesave private që kanë në oborret oligarkike të Tiranës. 

Merre si ta marrësh, krejt kjo situatë kaotike po mbetet në duart e popullit të mençur, i cili duhet kategorish të refuzoj rolin e grigjës. Viti 1997 nuk është aq larg sa për të mos kujtuar skenat e llahtarshme të kaosit, ku populli doli nga ‘shtrati’ i normalitetit jetësor për faj të mungesës së një timonieri moral. Atëherë ishte depresioni financiar që shkallmoi institucionet dhe nxori në pah një Shqipëri tjetër, që s’e kishim njohur më parë, kurse  tani depresioni ka përmasa të tjera por më të menaxhueshme, sa për të mos u ‘derdhur’ në rrugët pakthim të theqafjes.

Shqipëria si koncept kulturor e ekonomik shkon përtej bedenave idiotikë që i ka vendosur kasta politike e Tiranës. Është pra një Shqipëri tjetër, më e gjerë dhe më e hapur që nuk e meriton të helmohet nga bombolat gaspërçuese të elitës që mosmarrëveshjen e ka shndërru në kod normal të sjelljes politike.

Ismail Kadare mundet ende të heshtë, por Shqipëria andej dhe këndej Drinit, nuk mund ta heshtë vringëllimën e një konflikti absurd, që në fund të fund si qëllim final ka luftën për pushtet. Përtej kësaj lufte, shqiptarët i kanë lënë përgjysmë shumë beteja, që do t’i bënin edhe më të fuqishëm ekonomikisht, kulturalisht e gjeopolitkisht.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar