Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 27.05.2018 03:46
Emin Azemi

​Shkëlqimi europian i befasive “banhof-iane”

Prishtinë | 16/05/2018 08:31

Shkruar nga: Emin Azemi

Politika e xhepave të zbrazët vetëm një kusht e plotëson për të qenë e “zgjuar”: Ajo asnjëherë nuk e lë keq vetën për të plotësuar joshjet dhe epshet e munguara, paçka se qytetarët mund ta vrasin veten duke e mendu mirëqenien si “bingo” që vetëm përmes liberalizimit të vizave mund të fitohet

“Albin Kurti ka vendosur ti lë kosovarët pa viza”. Ky ishte letmotivi i shumicës së titujve në mediat e Kosovës. I shoqëruar forcërisht e emocionalisht edhe nëpër statuse të Facebook-ut dhe në deklaratat kuturu të turli aktivisti që vetes i thoshin politikanë “tu Kosovës”, ky lajtmotiv paradoksalisht mbërtheu për shumë javë vëmendjen e publikut dhe kushdo që merrte guximin të kundërshtonte autorët e këtij “ekzaltimi liberalizues të vizave”, shpallej njëfarë idioti që ia do të keqen Kosovës, që po donë Kosovën me e lanë prapa dynjasë. 

Aq naive tingëllonin lutjet “facebookiane” për votimin e Demarkacionit, si kusht të VETËM për liberalizimin e vizave, sa që krijohej përshtypja se, ja aty dikund prapa derës, mezi po presin doganierët e Europës për të na e ngritur në hava tranin e kufirit që të kalojmë në hapësirën e kaltër për të ngulur një yll të përflakur nga Kosova martire. Sa mallkime u zbrazën për Albin Kurtin dhe gjithë ata që kërkonin fillimisht të luftohen banditët e korrupsionit, e pastaj të futet shkumësi në hartën e përkufizimeve me Malin e Zi. Vajtojcat e Facebook-ut e kishin menduar se aq lehtë paska qenë të fitosh lirinë e qarkullimit nëpër Europë, në kompensim të faljes së disa mijëra kilometrave tokë baballëku dhe këtu kinse përfundonte obligimi i klasës politike të Kosovës në përmbushjen e standardeve paraaderuese në BE. 

Sa tonelata naivitet paskemi pasur në gjithë këtë mendësi të fjetur publike dhe tek tash, kur po na vijnë në Prishtinë emisarët e Brukselit e Berlinit, po e shohim se në valixhet e tyre diplomatike, nuk ndodhet kurrfarë dokumenti që bën fjalë për liberalizmin e vizave. Përkundrazi këta emisarë nuk po marrin as pizhame me vete, sepse e kanë shkurt qëndrimin, në “t’kthyeshëm”, vetëm sa për një “gotë ujë” për të përcjellë “kafshatën” kryesore në formë të porosisë që nuk lidhet me liberalizimin e vizave por me luftimin e krimit dhe korrupsionit. Por edhe në formë të një çekiçi në kokën e gjithë atyre akrabave (krye)ministrorë që lejuan (mundësuan) të ikin investitorët europianë nga Kosova në Maqedoni, Serbi e gjetiu.

Manipulimi i opinionit publik kosovar se votimi në Parlament i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, qenka kushti kryesor për të fituar liberalizimin e vizave, u tregua të jetë teknologji primitive e opinionbërjes përmes një spin-diskursi të shpifur që, para se të kalonte në kanalet mediatike, kishte “gjirizuar” fillimisht në zyrat propagandistike të politikanëve. Mjerimi i kësaj opinionbërjeje në themel kishte kauzën false publike se të gjithë ata që janë kundër Demarkacionit, janë hiq më pak se tradhtarë, kurse ata që janë Pro – paskan qenë Europianë të regjur. Këta fundit, madje filluan ti bëjnë gati valixhet me teglla feferonash, pashteta e “zdenka”, për të përballuar më lehtë “urinë” që të jep shkëlqimi europian i befasive “banhof-iane”.

Pse të mos i jepet përparësi Demarkacionit, sepse ky ishte kushti më i kollajshëm i politikanëve që nuk kërkonte ndonjë strategji zhvillimore, sepse me Liberalizimin e vizave, politikës, në njërën anë, i hiqej nga qafa problemi i papunësisë dhe, nën anën tjetër, me ata pleq që do të ngelnin në shtëpitë e zbrazura të Kosovës, do të mund të bënin strategji makroekonomike, duke i joshur me premtime të forta e me karamele të butë.

Politika e xhepave të zbrazët vetëm një kusht e plotëson për të qenë e “zgjuar”: Ajo asnjëherë nuk e lë keq vetën për të plotësuar joshjet dhe epshet e munguara, paçka se qytetarët mund ta vrasin veten duke e mendu mirëqenien si “bingo” që vetëm përmes liberalizimit të vizave mund të fitohet. 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar