Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 17.08.2019 08:24
Emin Azemi

​Maqedonasit bëjnë marrëveshje, shqiptarët duhe të bëjnë ridefinime

Prishtinë | 16/07/2015 08:20

Shkruar nga: Emin Azemi

Ajo çka nuk po thuhet zëshëm e që duhet patjetër të ndodhë është gjithsesi aplikimi i praktikave ndërkombëtare, sidomos atyre europiane, në politikat e ndarjes dhe ridefinimit të interesave politike, ekonomike, gjuhësore brenda territorit të Maqedonis, në koherencë dhe harmoni të plotë me të sotmen dhe të ardhmen e brezave.

Marrëveshja e së martës ishte një lajm i mirë për hotelet ku liderët partiak nuk do të kenë arsye t’i anulojnë prenotimet e tyre. Do të shkojnë të bardhë nga ‘’virgjëria’’ që mban letra e marrëveshjes dhe do të kthehen të nxirë nga ‘’torturat’’ diellore. Një torturë tjetër, paksa më tokësore do t’i pret ata nga shtatori e tutje.

Por, kur është mirë Gruevski e Zaevi, është mirë krejt Maqedonia deri në Grupçin, paçka se askujt s’po i intereson se çka po ndodhë përtej Grupçinit, përtej ''Lagjes së Trimave'' në Kumanovë, përtej urës së Bit Pazarit!

Përfundimisht kemi një marrëveshje brendamaqedonase. Sa për shqiptarët, si zakonisht, duhet pritur çka po ngel nga teprica e gostisë....

Pa strategji, pa bashkërendim brendashqiptar, po shkojmë edhe në një stinë të vështirë politike...

Këta që përfaqësojnë aktualisht shqiptarët, po marrin mbi supe një barrë të dyfisht, tash e tutje: të dëshmojnë se dinë të përfitojnë nga marrëveshja e arritur dhe të ndërtojnë platformën politike të shqiptarëve, pavarësisht se cila parti maqedone nxjerr kryeministrin nga radhët e saja.

Nëse nuk munden t'i bartin këto barra, është mirë të tregohen të arsyeshëm dhe të hapin udhë për forca dhe energji të reja politike nga radhët e shqiptarëve të Maqedonisë.

Suksesi i diplomatëve të huaj dhe sidomos lavdërimet që ata po i japin arritjes së kësaj marrëveshjeje, nuk mund të ‘’lexohet’’ si garancë se ajo do të prodhojë me çdo kusht stabilitet politik e institucional. Diplomatët, fundja, me çka do të lavdërohen në fund të mandatit të tyre, ose si do ta arsyetojnë misionin e tyre diplomatik gjatë qëndrimit në pozita ambasadorësh apo emisarësh special? Ata po lavdërojnë punën e tyre, angazhimin e tyre në arritjen e kompromisit, kurse liderëve politikë u mbetet të tregojnë dhe dëshmojnë se sa janë të aftë të shkojnë udhëve që hap kjo marrëveshje.

Në bazë të reagimeve të para, përfaqësuesit shqiptarë nuk kanë shprehur as pesimizëm as ngazëllim nga kjo marrëveshje. Në disa komentime të tyre arritëm të kuptojmë se negociatat e mbrëmshme i referoheshin vetëm një pike nga marrëveshja e 2 qershorit - atë të formës së qeverisë që do ti organizon zgjedhjet. Kjo, sipas tyre, spjegohet edhe me faktin se edhe titulli i dokumentit thotë që është Protokoll i marrevëshjes së 2 qershorit, plotësim per piken 6, paragrafi 1 i marreveshjes se 2 qershorit.

Pikat tjera që ndërlidhen me reformat sistemore, zgjedhjet, marrëdhëniet ndëretnike dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe integrimit Euro-Atlantik, thonë përfaqësuesit shqiptarë, janë miratuar qysh më 2 dhe 19 qershor dhe do të jenë në fokusin e grupeve punuese të ndermjëtesuara nga BE dhe SHBA.

Tani, vimë te pika më interesante e procesit që pason - fillimin i një rruge reformuese për ta bërë vendin me institucione më të besueshme dhe më me integritet.

Ka zëra që konsiderojnë se me gjetjen e zgjedhjes për qeverinë që do ti organizojë zgjedhjet, shqiptarët përfitojnë nga rikthimi i stabilitetit politik dhe ekonomik. Dhe kjo është shumë në rregull, pasi që asnjë stabilitet politik e ekonomik nuk mund të arrihet nëse nuk ndryshon praktika dhe stili qeverisës, kurse kërkesat legjitime të përfaqësuesve shqiptarë në këto negociata pritet të jenë pjesë e reformave që do të ndërmerren në periudhën në vazhdim e që do t’i implementojë qeveria e re teknike apo kalimtare, të rekomanduara edhe nga raporti i Pribe-s.

Ndarja e 3 posteve më të rëndësishme shtetërore me rotacion, politikat gjuhësore, ndarja e dretjë e buxhetit etj. duhet të jenë pjesë e reformave, pa të cilat nuk do të kishte sens pjesëmarrja e përfaqëlsuesve shqiptarë në këto bisedime.

A kemi arsye të jemi paraprakisht skeptik për një marrëveshje që ende ska filluar të bëhet realitet? Normalisht se jo dhe gjithë ata që shprehin skpeticizëm pa kurrfarë baze, janë të prirur t’i paragjykojnë punët dhe sidomos ato që lidhen me proceset e ndërlikuara pas nënshkimit të marrëveshjeve.

A kemi arsye, në anën tjetër, të kërcejmë nga gëzimi pas arritjes së kësaj marrëveshjeje?

Normalisht se jo dhe, gjithë ata që besojnë pa rezerva se të drejtat e shqiptarëve janë ekskluzivisht të lidhura me proceset politike të diktuara nga liderët politikë maqedonas, gabohen rëndë. Harrohet një fakt se edhe liderët shqiptarë duhet të diktojnë politika të cilat do të merreshin në konsiderim nga politikanët maqedonas.

Në mes të skepticizmit dhe ngazllimit ekziston një rrugë e ndërmjetme që shqiptarët patjetër duhet ta rrahin. Ata, fillimisht, duhet të punojnë intenzivisht në grupe të përziera pune (BDI, PDSH, RDK, LR-PDSH, Besa) që të faktorizojnë politikën e barabarësisë, jo duke pritur se çka po ofron Gruevski dhe Zaevi, por çka po japin ata si platformë që do të kushtëzonte pjesëmarrjen në institucione.

Pastaj, subjektet e tanishme parlamentare shqiptare duhet të bëjnë një skanim të thellë të strukturave të brendshme partiake, duke flakur të gjitha ato segmente të korruptuara e kriminalizuara që de facto ishin frenuesit më të mëdhenjë të politikave të përfaqësimit dinjitoz të shqiptarëve në institucionet e sistemit.

Nëse marrëveshja e arritur mbrëmë kishte për objektiv tejkalimin e krizës politike, atëherë shtrohet pyetja se si erdhi dhe kush e shkaktoi atë krizë. BDI, si parti pjesëmarrëse aktive në pushtet dhe PDSH – si pjesëmarrëse pasive, kanë përgjegjësi të madhe që tash e tutje të mos jenë më pjesë e krizës (ashtu edhe siç nuk ishin) por ndihmues dhe lehtësues që ajo të tejkalohet duke iu nënshtruar një katarsisi të thellë brenda strukturave të tyre partiake.

Në të kundërtën, marrëveshja si e tillë me gjithë atmosferën pozitive që ajo paralajmëron, nuk është kurrfarë garance se ajo do të jetë e dobishme edhe për shqiptarët, nëse përfaqësuesit shqiptarë nuk i ndryshojnë 3 gjëra: praktikat e deritanishme të koalicionimit me kryeminstat maqedonas, eliminimin e interesave klienteliste me pravijë korruptive dhe kriminale brenda strukturave partiake dhe forcimin e bashkërendimit brendashqiptar për çështje konzensuale, prej të cilave varet pjesëmarrja apo jo në qeveritë e ardhshme. Nga ajo çka kemi mësu si përvojë, është parë se përfaqësuesit shqiptarë të politikës pajtohen me pak, për të mos thënë se pajtohen aq sa u lejtohet atyre pastaj komoditeti i marrjes, përveç me politikë edhe me nusproduktet që nxjerr politika, siç janë korrupcioni, dallaveret, ryshfeti, klanizimi i interesave grupore brenda partisë etj.

Në zgjedhjet e ardhshme të parakoshme parlamentare, shqiptarët duhet të shkojnë më të konsoliduar në pikpamje të vetëdijes politike për një profesionalizëm më të avancuar në politikbërje, duke angazhuar edhe ekspertë shqiptarë të shkolluar nëpër universitetet e botës. Prurjet e reja kadrovike, edhe nga diaspora, me emra që do të jenë konkurrues të ekipeve maqedonase të ekspertëve, mund ta bëjnë më të lehtë dhe më të kapshëm procesin e ridefinimit të kërkesave të shqiptarëve.

Ajo çka nuk po thuhet zëshëm e që duhet patjetër të ndodhë është gjithsesi aplikimi i praktikave ndërkombëtare, sidomos atyre europiane, në politikat e ndarjes dhe ridefinimit të interesave politike, ekonomike, gjuhësore brenda territorit të Maqedonis, në koherencë dhe harmoni të plotë me të sotmen dhe të ardhmen e brezave.

Pa një ridefinim të qartë të këtyre interesave, shqiptarëve të Maqedonisë nuk do t’u ndihmojnë edhe njëmijë marrëveshje, pra as marrëveshja e fundit nuk do të jetë reflektim i realitetit politik e social nëse shqiptarët si popull nuk arrijnë ta sigurojnë kodin e tyre të politkëbërjes me mekanizma që pengojnë çfarëdo majorizimi etnik dhe dikriminimi ekonomik, administrativ, social, kulturor, gjuhësor etj.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar