Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 23.02.2017 05:59
Emin Azemi

​Manuali intelektual i një mendësie aktive

Prishtinë | 29/11/2016 10:02

Shkruar nga: Emin Azemi

(Përkitazi me librin studimor “FEDERATA SHQIPTARE , kohezioni i shtetit –komb në BE”, e prof.dr. Sadri Ramabajës)

Profesor Sadri Ramabaja përmes këtij studimi kapital i hedh një vështrim më të specializuar prejardhjes sociologjike, politike e etnike arkitekturës shtetërore, duke e vendosur atë në disa rrafshe të sovranitetit dhe subordonimit. Ai nuk e ka pasur lehtë të përthekojë në këtë studim gjithë përvojën shtendërtuese të shqiptarëve për të krijuar mvetësinë e tyre brenda organizimit adminstrativ, politik e ushtarak , prandaj edhe ka shpenzuar disa vite punë këmbëngulëse kërkimore, në shfrytëzimin e arkivava dhe literaturave, për të sjellë në vëmendjen tonë unitetin por edhe diversitetin  e pikëpamjeve mbi të sotmen dhe të ardhmen politike e shtetërore të shqiptarëve.   

Ku konsiston rëndësia e këtij studimi?

Rëndësia e këtij studimi është e dimensioneve të shumta për disa arsye:

E para – i bëhet një sintezë të gjitha pikëpamjeve shkencore mbi zhvillimin diakronik të shtetësisë dhe përdegëzimi i saj në modalitete shtetformimi e shtetndërtimi

E dyta – me guxim intelektual vendos linja të qarta përkufizimi mbi domosdonë e kohezionit në mes të aspiratës integruese europiane dhe nevojës së rikonfigurimit të brendshëm kombëtar, me atribute të qarta të sovraniteteve të dyfishta, që do të projektoheshin brenda një federate shqiptare

E treta – është një platformë e mirë e vendosjes së ngehinës së mendimit dhe veprimit politik, duke mos pasur nevojë që të bredhet shumë  për të krijuar modelin e të ardhmes politike e shtetërore të shqiptarëve, për arsye se ky studim ofron jo vetëm pjekurinë e rezonit shkencor, por edhe rrugëzgjidhjen për gjithë ata që do të kenë nevojë për një manual politik praktik ...

 

I organizuar në tri pjesë, ky libër na fton ti bëjmë një rishikim shtetit në rrjedhat historike, duke kombinuar  obesrvimin vetanak me njohjet dhe praktikat e autorëve të tjerë të cilët ishin marrë me formimin dhe zhvillimin e kombit në rrjedhat  e historisë dhe krijimin e shteteve kombe, për të arritur në një shumësi përvojash që do të sublimonin raportin shteti-kombi-Bashkimi Europian.

E gjithë pjesa e parë e librit, sheshon një mal argumentesh mbi domosdonë e krjimit të instrumentave shtetëror, si garantues të sovranitetit kombëtar të një populli. Duke e marrë  hulumtimin multidisiplinar si bazë për vrojtimin e historive shtetërore, autori nxjerr në pah, përmes një argumentimi të qëndrueshëm, përparësitë dhe hendikept e shteteve për të absorvuar nevojat dhe kapacitetet në rritje të kombeve. Në njërën anë kemi pafuqinë e shteteve për të sfiduar erozionin megaloman të proceseve globale, por në anën tjetër shtetet  paraqiten edhe tepër të mëdhenjë, në ambiciet e tyre për të dimensionuar shtratin historik të formimit të vetëdijeve kombëtare e shtetërore.

E ardhmja e Federatës Shqiptare

Pjesa e dytë e librit, që është edhe pjesa më fundamentale e mbarshtrimit të teorive dhe praktikave mbi procedeun historik të formimit të bashkësive brendashtetërore, e radhit autorin ndër njohësit më të spikatur të proceseve integruese të një etnie, me theks të posaçem të etnisë shqiptar.

Integrimi si proces më i gjerë, e ka preokupuar autorin të gjejë pikëtakime në ato dimensione ku fuzionimi dhe integrimi ka treguar se është i mundur dhe ka të ardhme shtetit-komb brenda  proceseve integruese europiane. Kjo i ka mjaftuar atij që ta trajtojë me përkushtim konceptin mbi Europën federale , e cila gjatë procesit të mëtejm do të arrijë të zhvillohet si bashkëdyzim midis politikës dhe shtetit si ide. Kur jemi te ky bashkëdyzim, autori vjen në përfundim se kjo e determinon edhe të ardhmen shtetit-komb, por tani me disa kërkesa më të avancuara që do të preknin fuzionimin strukturor të shtetit nacional me elementet e qeverisjes mbinacionale. Një vështrim panoramik mbi shtetin, kufijtë, kombet dhe sovranitetin do të na mundësojë të kemi një qasje më racionale mbi rrugën e vështirë të krjimit të vetëdijes shtendërtuese te shqiptarët, duke filluar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, luftërat e të cilit kishin synim krijimin e shtetit të përqëndruar dhe deri te Rilindja Kombëtare Shqiptare , e cila kishte edhe platformën e saj politike për formatimin shtetëror e territorial të ambicjeve shekullore të shqiptarëve.

Kjo rrugë e vetëdijësimit dhe e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për një mvetësim administrativ e shtetëror ka kaluar nëpër shumë konteste e përballje të vështira gjatë historisë, mirëpo, mbi të gjitha këto, kishte triumfuar sensi i mbajtjes gjallë të konceptit mbi lirinë, si parakushtin elementar për krijimin e shtetit. Ndonëse kombi shqiptar ngeli jashtë shtratit administrativ të shtetit të pavarur të 1912-tës, ose më shumë se 29 mijë km katror, kundrejt 28 mijë kilom. katrorë, kishin mbetur pa u përfshi në procesin e kontrollimit të sovranitetit kombëtar në suaza të përmasave administrative e shtetërore, megjithatë historiografia shqiptare, me nuancime të herëpashershme ideologjike, u mundua ta trajtojë çshtjen shqiptare si të pandarë, për dallim nga historiografia serbe e cila çështjen shqiptare e shikonte si të shkëputur, pa ndonjë lidhje të brendshme kohezive. Mbi këta parametra historiografikë, ndërtohet edhe teza e prof. Sadri Ramabajës për konceptin e Federatës Shqiptare, e cila në shtjellimin e detajuar të këtij libri vjen si një rrjedhojë logjike e trashëgimisë pozitive të popullit shqiptar për bashkim, e që ishte e artikular edhe në disa dokumente e marrëveshje që shqipraët ishin arritur ti miratojnë, duke fillar nga Kuvendi i Lezhës (1444), Lidhja e Prizrenit (1878), Kuvendi i Vlorës (1912) e deri te Konferenca e Bujanit (1943).

Rilindja Kombëtare Shqiptare e lidhur ngusht me frymën europiane të idesë për vetëvendosje, megjithatë ngeli në suaza të utopisë romantike të fundshekullit 19 dhe fillimit të shek. 20.

Modelet e mendimit evropian

Aksioni polititik i shqiptarëve, i cili u shoqërua edhe me aksionin ushtarak, ishte i pamjaftueshëm për të rivendosur vullnetin dhe parimin e vetëvendosjes, për arsye se rrethanat historike ishin ato që e pamundësuan idealin e rilindasve që shqiptarët të kenë një shtet të tyre në Ballkan, brenda territorit ku ata banojnë.

Duke e trajtuar këtë fatalitet historik në suaza të një observimi të ftoht e të balancuar. prof. Ramabaja megjithatë me studimin e tij i jep një shtytje të fuqishme mendimit politik shqiptar, përmes këtij studimi, i cili në fakt duhet kuptuar edhe si një dekalog që pretendon të jep shumë përgjigje kundruall dilemave e konfuziteteve, të krijuaar nganjëherë edhe artificialisht. Po të mos ishte prirja e tij kërkimore, dhe sensi për të kundruar realitetet tona politike e sociologjike në rrafshin e një paralelizmi me përvojat e popujve europian, sigurisht që do të ishim të mangët për një informacion relevant shkencor që na vie kësaj radhe përmes këtij libri studimor. Sidomos duke marrë për bazë rrugën e zhvillimit mendor e politik të anglo-sanksonëve dhe francezëve, të cilët kishin përdorur, secili në mënyrën e vet edhe metodat e tyre të mendimit. Përderisa te anglosaksonët, komponenta gjeo-strategjike e interesave ishte marrë si bazë e përkufizimit të kulturës së tyre shtetërore  e administrative, mbase edhe për shkak të frymës koloniale që ende po dominonte këtë metodë mendimi,  te francezët në anën tjetër, që  udhëhiqeshin nga disa resurse kulturore e ideore të Revolucionit Borgjez, dominonte fryma ideologjike e filozofike e shtendërtimit.

Për ata që do të donin të nxirrnin mësime pak a shumë më operacionalizuese nga ky studim, do të ishte me interes shkrirja e këtyre dy përvojave në metodologjinë e krijimit të projektit të Federatës Shqiptare, duke ia ndajshtuar edhe konceptin ushtark të të menduarit, siç preferon autori. Ai madje jep edhe udhëzime konkrete për elitat politike në Prishtinë e Tiranë të cilat do të duhej të punonin në krijimin e parakushteve politike e kulturore për formimin e Fedeatës Shqiptare, instrument ky i cili do të ishte edhe baraspeshë gjeopolitike kundrejt hartës politike që ishte me plot gabime historike, por që do të ishte në harmoni të plotë me frymën dhe interesat eruointegruese e auroatlantike.

Federata Shqiptare në frymën e integrimeve evropiane

SHTETI KOMB dhe BE-ja është pjesa e tretë dhe e fundit e librit që kemi në duar. Kjo pjesë ka një rëndësi të posaçme për arsyse se përmes  saj ne e kuptojmë mirë argumentimin  fundamental të autoit për domosdonë e krijimit të Federatës Shqiptare, e cila nuk mund të ndodhë pa i plotësuar disa parakushte që janë në frymën e integrimeve europiane. Duke u nisur nga fakti se kufijtë e Evropës kanë ndryshuar dhe vetë Bashkimi Evropian është  ballafaquar me gjeografinë e re të shtrirjes së kombeve brenda dhe jashtë sovraniteve të tyre shtetërore , autori mëton të sqarojë edhe korpusin teorik mbi integrimin, duke ballfaquar në një rrafsh kundrështish  konceptin e funksionalizimit dhe federalizimit.  Në këtë aspekt ai jep sqarime të hollësishme mbi përvojën e të menduarit europian sa i përket integrimeve, duke nxjerrë si paradigma tri teori thelbësore: 1. Federalizmin, 2. Qasjen shumështresore apo Interguvenmentalizmin dhe 3. Funksionalizmin.

Te grupimi i parë teroik autori sjell në vëmendjen e lexuesit përparësitë që shpërfaq federalizmi si teori dhe praktikë, me një objektiv shunë të qartë : Shtetin  e organizuar dhe strukturën supranacionale

Qasja teorike që ka për bazë interguvermentalizmin ka për qëllim të afirmojë kulturën politike e shtetërore mbi disa parime, siç janë:Mbajtja e pushtetit gjegjësisht ruajtja e sovranitetit, sigurisë dhe drejpeshimin e pushtetit.

Ndërkohë që funksionalizmi si orientim teoriko-polititik do të mundte, sipas autorit, të zhvillohej në sensin e  bashkëpunimit  në disa fusha specifike siç janë industria përpunuese,  e qymyrit dhe çelikut, komunikacioni etj., por që si përfundim do të kishim  erozionin  e shtetit –komb, për shkak se bashkëpunimi  do të kalonte në nivele të larta shtetërore.

Në pjesën e tretë kemi një përqëndrim të autorit në elaborimin terotik të problemeve siç janë Integrimi evropian si proces shtetformues, pastaj BE si garatues i demokracisë, për tu ndalur në tezat mbi integrimin dhe parimin e subsidiaritetit. Një kapitull i veçantë i kësaj pjese merret me legjittimitetin e BE-së  dhe deficitin demokratik, si dhe me Marrëveshjen e Lisbonës,duke e trajtuar atë edhe një herë në konteskt të parimit të subsidiaritetit dhe trajtave të reja politike të BE-së.

Duke e konsideruar tepër të nevojshme trajtimin e tezës së tij mbi Federatën Shqiptare  në kuadër të planimetrisë politike europiane, autori nxjerr përfundime interesante kur flet për të ardhmen  e BE-së dhe shtetit –komb, por e shoqëruar me njëfarë pasigurie, për arsye se, siç thotë autori, zhvillimet në rrafshin ekonomik dhe atë politik në shkallë botërore e kanë sjellë shtetin nacional para dilemave të mëdha. Dhe krejt kjo si pasojë e metamorfozave gjeopolitike që kanë ndodhur këto dekadat e fundit, sidomos në planin e moskordinimit të mjaftuar të politikave të BE-së për përballje me pasojat  ekrizës financiare globale.

Në hulumtimet e tija stuimore, profesor Sadri Ramabaja do të shërbehet edhe me të dhëna relevante që japin shërbimet e ndryshme të intelegjencës sa i përket analizimit të politkkave globale e rajonale. Në këtë kontekst ai ka përdorur edhe një analizë të shërbimit sekret gjerman BND, i cili flet në mënyrë të detajuar për pasojat e krizës financiare në rrafshin global, por edhe me sfidat me të cilat ballfaqohet shteti gjerman dhe disa shtete të tjera. Objekt i kësaj analize është domsdoshmëria e rikthimit të politkës si në rrafsh nacional ashtu edhe ndërkombëtar , por i bazuar mbi tre skenarë që ky shërbim i parashikon, duke fillluar nga skenari i parë që parsheh zhvillimin e ngadalsuar dhe zgjatjen e epokës së dominimit të SHBA, i quajtur nga autori si skenari më optimist për të aluar në skenarrin e dytë që identidikohet me ngritjen Kinës si fuqi dominuese botërore, që ka për bazë përmbysjen e trendit global  ekonomik i ngritur mbi parimet e neoliberalizmit, dhe rikthimin e rolit të shtetit  në dimensionimin e interesave nacionale.

Skenari i tretë i analizës së BND-së parashihte rënien e mundshme në një botë jostabile, që do të ndikonte në nxitjen e  politikave izolacionsite  të disa qeverive të shteteve të ndryshme, parasegjitash të BE-së dhe do të përcillej përmes një regresi ekonomik në shkallë globale.

Skenarët e zhvilllimit të BE-së

Cikli përmbyllës i këtij libri i rikthehet edhe njëherë të ardhmes së BE-së , përmes skenarëve të mundshëm dhe sfidave të pritshme, por edhe problemeve që dalin nga kriza financiare brenda Eurozonës.

Duke u nisur nga fakti se BE ka nevojë të bëjë ndryshime fundamentale në vetë substancën e politkkave të saj konceptuale, autori në fund mbarështron disa skenarë  të mundshëm të zhvillimeve të mundshme brenda BE-së, duke i vendosur këta skenarë  në perspektivën  integruese evropiane të Ballkanit Perendimor, në veçanti dhe Federatës Shqiptare, në veçanti.

Evropa e së ardhmes dhe fati i Federatës Shqiptare  kanë qenë dy referencat kuptimplote që e bëjnë këtë libër të ruaj disa standarde të qëndrueshme të besueshmërisë dhe argumentimit, kurse elitave politike do t’iu shërbejnë këto referenca si nxitje për të riformatuar frymën europiane të identiteti politik e kulturor në metodikat e tyre shtetformuse e shtendërtuese në kuadër të procesit në pritje të integrimeve të brendshme shqiptare.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar