Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 23.10.2018 12:11
Emin Azemi

​Kurirët shqiptarë të rrenave serbe!

Prishtinë | 08/10/2018 07:41

Shkruar nga: Emin Azemi

Në çarshinë e Beogradit nuk shiten thashethemet e mediave të Prishtinës. Në Beograd shumë vështirë depërton e vërteta për Kosovën, ndërkohë që shumë lehtë depërton në Prishtinë pseudo e vërteta që prodhohet nga mediat mafioze të Beogradit.

“Kuriri” serb është i krijuar si medie për qëllime që i shërbejnë një klani të ngushtë politik në Beligrad. Ky tabloid bulevardesk mbahet me para të majme nga mafia politike e Vuçiqit dhe të gjithë ata që duan të mësojnë më tepër për armiqtë e tij, le ta lexojnë këtë tabloid. 

Ditëve të fundit target i kësaj paçavure serbe ishin disa personalitet të larta politike të Kosovës dhe gjithkush që e lexoi lajmin për gjoja aferën intime të disa prej tyre, do të ketë mbetur i habitur për shpejtësinë e përhapjes së këtij lajmi në një pjesë të hapësirës mediatike në gjuhën shqipe. Ka shumë portale që gjuhën shqipe e përdorin për komunikim, por keqpërdorimin që e bëjnë përmes kësaj gjuhe tejkalon caqet e një informimi të mirëfilltë etik e profesional. 

Një rrenë e fabrikuar serbe më shpejt mbërrin në Prishtinë se në Vrajë, kurse ata që mundohen të na thonë se detyrë e mediave është të informojnë, nuk e kanë të qartë se jo çdo lajm i rremë mund të shitet si informim. I bie që kurirët shqiptarë po tregohen shumë të zellshëm në shpërndarjen e rrenave serbe. Në çarshinë e Beogradit nuk shiten thashethemet e mediave të Prishtinës. 

Në Beograd shumë vështirë depërton e vërteta për Kosovën, ndërkohë që shumë lehtë depërton në Prishtinë pseudo e vërteta që prodhohet nga mediat mafioze të Beogradit. Ende ka redaktorë në Prishtinë, po edhe në Tiranë, që s’e kanë tejkaluar kompleksin e inferioritetit ndaj propagandës sllave.

Duke qenë nën trysninë e shputës së këtij inferioriteti, ata e projektojnë të vërtetën e paredaktuar që vjen përmes tabloidëve serbë , të cilëve nuk iu beson një pjesë e mirë e elitës intelektuale të Beogradit. Pikërisht “Kuriri” dhe disa shtylla të tjera ku kryqëzohen kundërshtarët e regjimit aktual serb, janë stigmatizuar nga grupe profesionale e të pavarura të gazetarisë në Beograd, ndërkohë që në raportet e organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe të drejtave e lirive të njeriut, tabloidët e tillë janë etiketuar si ndotësit më të mëdhenj të hapësirës publike në Serbi. 

Transmetimi i rrenës së fundit të “Kuririt” serb ku vihej në spikamë nderi i njerëzve me reputacion publik, mund të jetë një mall që kënaq nevojat bizare të tregut serb, por kur ky lajm me shpejtësinë e rrufesë transmetohet nga mediat në Prishtinë e Tiranë, pa mundin më të vogël të verifikimit të tij, atëherë mund të dyshojmë që sensacioni infektues të ketë prekur një tufë redaktorësh të papërgjegjshëm.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar