Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 20.09.2018 09:57
Emin Azemi

​Kosova, bankomat në tavolinat e bixhozit politik

Prishtinë | 11/09/2018 18:36

Shkruar nga: Emin Azemi

Vuçiqi po arrin që prostitucionin e vet politik ta shes si ndershmëri para bashkësisë ndërkombëtare, kurse këta tanët gjithë atë lavdi të korrur në luftë po e kontrabandojnë për do interesa meskine që asnjëherë nuk do t’ua shohin hairin.

Marshin e Vuçiqit në Kosovën qendrore por edhe në Veri nuk duhej ta ndalonin drenicakët, por institucionet e Kosovës. Drenicakët dhe gjithë kosovarët kanë votuar që të jenë të mbrojtur nga Vuçiqi dhe duket absurde që të njejtit votues tash të luajnë rolin e mbrojtësve të rendit, kur atë mundet komod me e krye policia e Kosovës. Aleksandar Vuçiqi jo rastësisht e zgjodhi Ujmanin për të treguar se kush në të vërtetë edhe praktikisht e administron këtë pjesë të Kosovës, kurse  marshimin drejt Drenicës dhe Ujmanit e bëri për të tentuar  simbolikisht kapitullimin e atyre që bashkë me NATO-n e çliruan Kosovën. 

Pak rëndësi ka nëse Vuçiqi i kaloi apo jo barrikadat e drenicakëve. E rëndësishmja është në përpjekjen e tij për të guxuar ta prek vijën e zjarrit ku Kosova ka kohë që është dorëzuar para ofenzivave politike e diplomatike të Beogradit. Do të ketë shumë njerëz këto ditë që do të mundohen  ta relativizojnë këtë poshtërim që Vuçiqi ia bëri klasës politike të Kosovës, por  pak e rëndësishme është çka thuan ata që paguhen me kontrabandën e fitmprurjes informale në kurriz të interesave të Kosovës. 

Më e rëndësishme se kjo është balada që vajtueshëm dhe pa zë del nga goja e qindra mijëra familjeve të Kosovës, të cilat mallkimin në adresë të politikanëve të papërgjegjshëm kosovarë e kanë mbështjellë me lëkurën e djegur në flakën e shtëpive të padëmshpërblyera nga Serbia kriminale e Vuçiqit. Është homazhi i pagdhendur në gurin e mijëra të pagjeturve nga Kosova që Serbia kriminale e Vuçiqit i mban si trofe betejash të pambaruara me politikanë të Prishtinës që gjeografinë e atdheut të tyre po e mësojnë në kurset serbe të natës.

Lideri serb nuk erdhi në Kosovë për të qajtur hallet e bashkëkombasve të tij. Ai erdhi në Kosovë për të përkthyer fuqinë e ndikimit të tij politik në pasojat që mund t’i vijnë në të ardhmen negociatave Prishtinë-Beograd. Loja me terma fjalësh ku “korrigjimi i kufijve” ishte zgjedhur gjoja për të shprehur komoditetin e lidervë të Prishtinës në raport me Beogradin zyrtar, tani po del të jetë me prapavijë, sepse Vuçiqi në vend të lojës ka zgjedhur veprimin konkret në terren. 

Ai në Ujman erdhi bashkë me simbolikën se deri ku mund të shkojë ambicja e tij në negociatat që po i  bën me Hashim Thaçin. Ky i fundit bashkë me Ilir Metën po kujdeseshin që troftat të mos jenë shumë të përcëlluara në zgarën që kishin përgatitur kuzhinierët  vlonjatë, ndërkohë që drenicakët pas barrikadave me lisa të prerë pa lejen e “shumarit”, po përvëloheshin në priten e radhës që ua kishte ngritur pabesia e liderëve. 

Vuçiqi herën tjetër mund të vijë edhe në mes të Prishtinës dhe do të ketë “spin doktora” që do të thonë se kjo u bë “në pajtim me miqtë ndërkombëtarë”. Ndërkombëtarët po përdoren si çamçakëz nga do goja të palara që marrjen me politikë  e kanë mësu duke mbllaçit copa suxhuki të paqëruar. Krejt kjo erë e keqe që i vie politikës kosovare, burimin e ka te ham-hamllëku i çunave lakmiçarë që vetëm me politikë arritën të bëhen biznismenë. 

Por me një ndryshim kundrejt rivalëve të tyre serbë. Përderisa politikanët serbë po bëjnë biznes me tokat e Kosovës, politikanët e Prishtinës, në anën tjetër,  po e sporvojnë veten në biznese familjare që Kosovën e përdorin vetëm si bankomat në tavolionat e bixhozit poltik.

Vuçiqi po arrin që prostitucionin e vet politik ta shes si ndershmëri para bashkësisë ndërkombëtare, kurse këta tanët gjithë atë lavdi të korrur në luftë po e kontrabandojnë për do interesa meskine që asnjëherë nuk do t’ua shohin hairin.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar