Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Enjte, 12.12.2019 01:21
Emin Azemi

​“Grupi i Kumanovës” në kafazin e “zogjëve grabitqarë”

Prishtinë | 14/08/2018 17:46

Shkruar nga: Emin Azemi

“Ngjarjet e Kumanovës” duhet ti kalohen Prokurorisë Speciale Publike dhe të ndahet njëherë e përgjithmonë fajësia e atyre që erdhën pa e ditur se ku po vijnë, e që morën dënime kapitale, dhe e të tjerëve që e dinin saktësisht epilogun dhe efektin e këtyre ngjarjeve, e që aktualisht janë më të lirë se zogjtë e malit. Përderisa të mos futen në kafaz këta zogj grabitqarë, nuk mundet të flitet për kurrfarë ekspertize, qoftë ajo kombëtare a ndërkombëtare

Etiketa më shpërdoruese që është dëgjuar këto vitet e fundit, ka qenë fjala terrorist, që me lehtësi të madhe iu është veshur individëve të caktuar shqiptarë. Por, ekspertizat, sado që kanë qenë të sajuara dhe dirigjuara, asnjëherë nuk kanë arritur të sjellin argumente bindëse se bëhet fjalë për ndonjë veprimtari terroriste të personave, të cilët në momente kritike mund të kenë qenë në ndonjë “vend të gabuar”.

Targetimi i “grupit të Kumanovës” me kualifikimin “terrorist”, që lidhet me ngjarjet e 9-10 majit, 2015, është shmangia më elegante e institucioneve të drejtësisë për të trajtuar këtë grup me terma adekuat, që do të ishin larg përkufizimeve aktuale.

Gjyqësori në Maqedoni ka shumë punë të pakryera edhe sa i përket semantikës së kualifikimit të ngjarjeve. Në procesin e skriningut do të duhej të përfshihet edhe kjo çështje, sepse pretendimi për të qenë një ditë pjesë e BE nënkupton edhe flakjen e nebulozave terminologjike.

Rasti i këtyre djemve të ardhur nga Kosova në Kumanovë, para tri vjetëve, ka prodhuar një triler tragjik që më tepër ka karakter të papërgjegjësisë së kombinuar institucionale e individuale, se sa të ndonjë ngjarjeje me konotacion terrorist. Ata u zunë në befasi, gati në gjumë, dhe asnjë ekspertizë nuk ka provuar të na bindë se qëllimi i tyre ishte të vrisnin ndonjë person. Rrethanat e ndodhjes së tyre në “vend të gabuar” dhe “kohë të gabuar” mund të diskutohen, por akti final i aktiviteteve të tyre nuk ka qenë terrorizmi, siç po pretendojnë prokurorët dhe gjykatësit e këtij rasti.

Në logjikën juridike të një shteti, siç është Maqedonia, që ndodhet ende brenda traditave sovjetike të manipulimit me fakte e prova, rastet si ky gjithmonë marrin ngjyrim misterioz me konotacion të konspiracionit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të humben gjurmët se kush e konstruktoi këtë ngjarje, dhe cilët ishin ideatorët dhe frymëzuesit e kësaj aventure tragjike. Me vetë faktin se në seancat gjyqësore munguan një pjesë e madhe e të apostrofuarve si dëshmitarë të drejtpërdrejt, që u kërkuan nga të akuzuarit, është e mjaftueshme për të kuptuar se ky proces gjyqësor u ngrit mbi një padrejtësi të madhe.

Ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 nuk ndodhën vetvetiu, në mënyrë stihike. Ato dikush i ka ideuar dhe organizuar. Madje kjo punë u bë me bashkëpjesëmarrje. Plot individë nga Maqedonia dhe nga Kosova u kujdesën që këto ngjarje të kenë efektin dhe kontekstin e tyre. Mirëpo jo të gjithë individët u penalizuan për veprimet e tyre. Disa humbën jetën, të tjerët u burgosën me qindra vite burg dhe jo pak u dënuan me burgime të përjetshme. Por, të gjithë këta nuk kanë qenë vetëm dhe është iluzore të mendohet se veprimet e tyre nuk e kishin njëfarë parapërgatitje dhe njëfarë koordinimi.

Mirëpo çka ndodhi? Jashtë burgut mbetën ata individë që i organizuan ngjarjet e Kumanovës? Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhusorur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë. Fatkeqësisht jo pak njerëz vullnetmirë në Kosovë më me rëndësi e kishin t’i shpallnin heronj këta djem që ranë në Kumanovë, se sa të çjerrnin maskën e harbutëve të gjithë atyre që i futën këta djem në gërshërë, në një rrugicë qorre të një lagjeje të varfër të Kumanovës, aty ku idealistët e kishin mendu të hyjnë, por kishin qenë matrapazët dhe harbutët ata të cilët e kishin mendu mosdaljen nga kjo rrugicë. Në rrugët pa dalje hyjnë ose njerëzit që nuk i njohin taktikat e luftës guerile, që nuk ishte në rastin e “grupit të Kumanovës”, ose në ato rrugë të fut dikush, me premtimin se “lehtë ia bëjmë, mjafton të shkrepen disa rafale…”.

Nëse ngjarjet e përgjakshme të Kumanovës lihen kështu, të pasqaruara dhe të pa ndriçuara deri në fund, atëherë i bie që turli kastraveci i shërbimeve sekrete mund të kurdis, pa i munguar as një qime floku, çfarëdolloj “spektakli” dhe për këtë politika të hesht dhe të mos kërkojë llogari për autorët e atij “spektakli”. Nëse politika legale nuk reagon ndaj deformimeve që vijnë prej njerëzve të shërbimeve sekrete, atëherë ajo politikë është bashkëpjesëmarrëse në ato ngjarje, duke iu dhënë madje edhe legjitimitet institucional. Në shtetet demokratike, madje edhe kryeministrat dhe presidentët tërhiqen nga skena politike, kur opinioni publik zbulon dallaveret e tyre, sidomos të atilla që lidhen me skenarë shtetërorë për të futur njerëz të pafajshëm në kurth. Çka na qenkan kaq të rëndësishëm këta persona të shërbimeve sekrete që nuk nxirren para drejtësisë në mënyrë që shërbimet ku ata punojnë të lirohen nga hipotekat dhe dyshimet për veprime të paligjshme dhe tejet johumane. Cilat qenka ato “sekrete shtetërore” që nuk po bëkan të dalin në gjykatë dhe pse Parlamenti i Maqedonisë (Komisioni përkatës) nuk u mor asnjëherë me ato sekrete?

“Ngjarjet e Kumanovës” duhet ti kalohen Prokurorisë Speciale Publike dhe të ndahet njëherë e përgjithmonë fajësia e atyre që erdhën pa e ditur se ku po vijnë, e që morën dënime kapitale, dhe e të tjerëve që e dinin saktësisht epilogun dhe efektin e këtyre ngjarjeve, e që aktualisht janë më të lirë se zogjtë e malit. Përderisa të mos futen në kafaz këta zogj grabitqarë, nuk mundet të flitet për kurrfarë ekspertize, qoftë ajo kombëtare a ndërkombëtare dhe “ngjarjet e Kumanovës” do të vazhdojnë të mbeten një gropë e thellë, e mistershme, ku secili e ka luksin të projektojë konspiracionet e veta.

Amnistia, fundja, është e pashmangshme për gjithë ata që bien pre e manipulimeve shtetërore.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar