Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 08.12.2019 07:44
Emin Azemi

​​Gazeta FAKTI në Prishtinën e pasçlirimit: Plagët e kryeqendrës do t’i shërojnë të kthyerit

Prishtinë | 12/06/2015 16:36

Shkruar nga: Emin Azemi

As prezenca e trupave britanike nuk mundej t’a sigurojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, të cilët dilnin nga ora 10:00 deri kah ora 15:00. Shqiptarët presin edhe nga tetë orë në rend për një bukë. Serbët dhe romët kishin filluar t’i shesin edhe ndihmat që i pranonin nga organizatat humanitare. Rreziku ishte më i madh pas orës 17:00 kur Prishtinën e pllakoste heshtja e varrit.

Prishtinë, qershor 1999/Ekupi i FAKTI-t - Rrugës Shkup-Prishtinë tani shiheshin vetëm vendet ku para do ditësh kanë qenë të stacionuara forcat serbe. Gjurmët e shkatërrimit ishin ende aty, megjithatë, ata thuajse i kishte përbirë vetë toka. Ushtarët e NATO-s kishin ngritur tre postblloqe dhe atë në dalje të Kaçanikut, të Ferizajt dhe në hyrje të Prishtinës, ndërsa gjatë gjithë magjistrales mund të shiheshin edhe ushtarë të tjerë të NATO-s të cilët vështronin terrenin.

Vlen të theksohet se në të gjitha pompat e benzinës që kanë funksionuar kohë më parë, tani ishin të stacionuara forcat e NATO-s. Dhe përshëndetja e tyre i dedikohej çdo kalimtari që kishte marrë rrugën për në thellësi të Kosovës.

Ne, gazetarët e “Fakti”-t, nuk ishim vetë. Kolegët tanë kishin arritur nga të gjitha anët e botës. Të dëbuarit me dhunë ktheheshin edhe në këmbë.

Pritjen më të bukur na e dhuruan vetë fëmijët që me dy gishta lartë në simbol të fitores na dëshironin mirëseardhje.

Paramilitarët serbë ishin bërë tebdil në rroba civile

Me të kaluar Kaçanikun, ku nuk kishte mbetur as edhe një serb, hasim në shenjat e para të jetës. Ishin disa ara ku shqiptarët tani ia kishin filluar punës. Baca Zekë me djalin, tani lëvronte tokën e tij. Po me vonesë pak, tha ai, por fëmijët tanë do ta korrin... Pak më tutje, në anën tjetër të rrugës një kësulbardhë i thyer nga mosha, bashkë me dy djem dhe nipin afër dhjetë vjeçar prashiste misrin, tani më të dalë mbi tokë. Gruri qe zverdhur e jeta merrte frymë aty-këtu.

Fshatrat që gjenden bri rrugës kanë pësuar dëmtime të mëdha nga ofensivat e armikut për dallim nga disa fshatra të serbëve, të cilat ishin të paprekura. Laple Sello dhe fshatrat afër saj ishin gati të zbrazura, pos ndonjë plaku. Vetëm sorrat krikëllonin mbi pullaze të shtëpive.

Në të djathtë kthente rruga për në Gjilan, e vetëm 2 kilometra larg ndodhej Prishtina, dhe në hyrje të saj, në Veternik, na priste postblloku i forcave të NATO-s ku edhe na legjitimun.

Hapësirë e pafund e blertë dhe e verdhë shtrihej rreth nesh. Dhe ja Prishtina... Malli i bëri edhe më të bukur për sytë... Në qendër të saj, para hotel Grendit ishin stacionuar gazetarë e forca të Britanisë së Madhe. Gjallëria e jetës ishte kthyer... Të paktën ashtu na u duk neve, kur pamë njerëzit të cilët ecnin rrugëve, thuajse prisnin dikë.

Aty kah ora 16:00 u dëgjuan sirenat e automjeteve. Ishin ushtarët dhe paramilitarët serbë që lëshonin Prishtinën duke piskëlluar dhe duke ngritur tre gishtat përpjetë. Ata pak qytetarë serbë që takuam në Prishtinë përshëndetnin po me tre gishta, thuajse vetë largimi i tyre është fitore. Të gjithë serbët që kanë qenë me unforma tani shëtisin rrugëv të kryeqendrës si civilë të rëndomtë. Ata edhe pse e kishin ndërruar veshjen, nuk kishin ndërruar instiktet shtazarake, për të bërë krime dhe për të plaçkitur gjithçka që gjenin në shtëpitë e braktisura të shqiptarëve. Banorët shqiptarë të Prishtinës jetonin me ankthin e pritjes së këtyre bandave, ndonëse ditëve të fundit merrnin frymë më shlirë, falë ardhjes së trupave të NATO-s, vendosja e të cilëve bëhej në mënyrë graduale.

E gjithë Prishtina – si një familje e madhe

Lagja e Muhaxherëve vlonte nga fëmijët. Aty ishin strehuar njerëz nga lagjet e ndryshme të Prishtinës dhe vendet tjera të Kosovës. Banorëve u mungonte mielli, vaji, sheqeri dhe shumë artikuj të tjerë ushqimorë. Megjithatë, të gjithë i dilnin në ndihmë njëri tjetrit, thuajse janë një famijle e madhe.

Në Bregun e Diellit edhe pse aty-këtu mund të vëreheshin forcat serbe, njerëzit i ishin kthyer jetës. Mbi Aktash III, forcat britanike ishin të “okupuara” nga fëmijët shqiptarë, të cilët gëzimin e papërmbajtur e shprehnin duke u hedhur atyre mbi tankse lule të freksëta.

Lagja e Taslixhes ende kishte atë madhështi të kalasë që merr frymë. Aty këtu vëreheshin shtëpi të djegura e xhama të thyer, ndërsa lëvizja e njerëzve ishte pak më e dobët.

Kufoma e mbetur pesë muaj në një shtëpi të Sofalisë

Rruga na shpiente për në Sofali, lagje e re e Prishtinës, ku kishte qenë i stacionuar korpusi i 3 i UJ. Njerëzit na paralajmëruan se ajo pjesë nuk është e sigurtë, pasi toka është e minuar. Para se të arrijmë te Shkolla e Mesme e Shkencave Natyrore, takojmë një grua të traumatizuar që ishte kthyer në shtëpinë e saj. Ajo kishte bllokuar rrugën që të çonte për Sofali dhe vetëm pasi na dëgjoi duke folur shqip u qetësua dhe filloi t’i tregojë gjurmët e vandalizmit serb. Në shtëpinë e saj tre muaj kishte qëndruar kufoma e vrarë e kunatit të saj. Kundërmimi i rëndë i erës ishte jashtë normales. Ajo nuk dinte asgjë për më të afërmit e saj, të cilit ishin zhdukur pa gjurmë. Si kujtim që vret asaj i kishin ngelur vetëm rrobat dhe këpucët e fëmijëve.

E Sofalia ishte e djegur thuajse në themel. Për ato pak çaste që u kishin mbetur në dispozicion serbët kishin shkruar parullat e tyre lamtumirëse nga toka e Kosovës. Në ikje pos që kishin djegur e shkatërruar, thuajse gjithçka ata rrugës kishin lënë edhe uniformat e tyre...

Ne Velani takuam vetëm një person, shtëpia e të cilit ndodhej përballë rezidencës kuk është mbajtur peng presidenti Rugova. Aty kanë qenë të stacionuar forcat serbe. Gjurmët e barbarisë vëreheshin në thyerje xhamash, dyersh... plaçkitje dhe gjysëm djegie.

Serbët ende kanë përparësi në shitore

Pjesa prej postës kryesore që tani ishte gërmadhë, për kah lagja e Dragodanit, ishte pothuajse e zbrazur. Aty-këtu si kërpudha mbinin serbët që na përshëndetnin me tre gishtat përpjetë. Në kthesën që të çon kah kompleksi “Boro e Ramizi” grumbuj serbë piskatnin, shanin e qanin. Në atë pjesë qarkullimi i njerëzve ishte i dobët.

Sekretariati i Punëve të Brendshme tani ishte bërë shkrumb e hi. Forcat serbe ende qëndronin në shtabin e armatës, ndërsa në pranë MPB-së tani ishte stacionuar forcat e NATO-s.

Rreziku ishte më i madh pas orës 17:00 kur Prishtinën e pllakoste heshtja e varrit. Aty kah ora 20:00 mbi lagjen e Muhaxherëve u dëgjuan krisma sporadike të automatikëve të cilat zgjatën deri akh orët e para të mëngjesit.

Ankthi i banorëve vazhdonte. As prezenca e trupave britanike nuk mundej të sigurojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, të cilët dilnin nga ora 10:00 deri në orën 15:00. Shitoret e serbëve që vazhdonin të punojnë, kishin mungesë të ushqimoeve, ndonëse në to prioritet kishin vetëm serbët. Shqiptarët prisnin 7-8 orë vetëm për bukë, dhe asnjë prej shqiptarëve nuk mund të mirrte më shumë se një bukë, edhe atëme çmim shumë të madh për shqiptarët.

Pjesëtarët e UÇK-së i lënë të qetë serbët të tërhiqen

Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tani ishin prezent në kryeqendër, por vetëm si civilë, dhe e gjithë kjo ishte nevojë e patjetërsueshme për t’i dalë në mbrojtje popullatës civile, e cila rrezikohej nga serbët që tërhiqeshin duke plaçkitur e duke vrarë.

Rreth orës 12:00 të ditës së martë, te Fusha e Pajtimit që lidh aksin rrugor Prizren-Prishtinë, hasëm kolonën prej 30 autobusëve dhe disa veturave të mbushura me ushtarë e policë serbë dhe popullatëcivile të cilët nën mbikqyrjen e forcave të NATO-s braktisnin Kosovën. Ndërsa, në drejtim të Prishtinës ishin nisur në varg automjetesh (rreth 4), kamiona, autoblinda dhe xhipa me ushtarë grek që janë në kuadër të KFOR-it.

Drejt Shkupit, gjatë gjithë rrugës sërish na përcollën fëmijët me dy gishta përpjetë duke na dëshiruar udhë të mbarë ose kthim sa më të shpejtë. Ndoshta edhe të fala për të dashurit e tyre që i kanë këndej kufirit... 

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar