Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 17.08.2019 08:22
Emin Azemi

​Duhesh të jesh serb, që të fitosh në pjatë një Kosovë të bosnjizuar!

Prishtinë | 27/08/2015 12:42

Shkruar nga: Emin Azemi

Qëndrimi kolonialist i Serbisë ndaj Kosovës ka qenë dashur t‘u shërbejë negociatorëve shqiptarë të Prishtinës që nga Beogradi të kërkojnë gjithçka që në rrethanat e ndryshme ndërkombëtare është kërkuar nga kolonizatorët kur e kanë braktisur një koloni. Lejimi blanko i Serbisë të kontrollojë adiministrativisht (madje edhe në aspektin e sigurisë) veriun e Mitrovicës, nuk paraqet asgjë tjetër, pos leje për të hapur Serbia në Kosovë minibursa që do të vinin në ankand tokat e Kosovës

Duhesh të jesh serb, që të fitosh në pjatë një Kosovë, që sa është e pavarur për shqiptarët, aq është e decentralizuar për vetë serbët. Këta të fundit nuk e fituan këtë status të privilegjuar me luftë, por e fituan vetëm me faktin e të qenët serb. Është ky një nocion që përveç magjisë së efektit që sjell, na e tund para hundëve edhe pamundësinë absolute të të bërit debat, që ndryshe i thonë akti i kryer. Në fakt, shumëçka që lidhej me negociatat për statusin final, nuk përcillej me kurrfarë debati. Të vetmit që përfituan nga kjo mungesë debati do të jenë serbët dhe ata do të jenë komuniteti më i privilegjuar në rruzullin tokësor, të cilët përmes formulave jo të debatueshme (lexo: jodemokratike) do të ngrihen në statusin e parashtetit, parashoqërisë, sepse vetë fakti i të qenët serb, mjafton t‘i shpërblesh ata me diçka që s‘e kanë merituar me asgjë. As me luftë, as me politikë, as me humanizëm, as me altruizëm.

Formula e komunitetit parashtet: ç‘është ajo?

Shqiptarët, po e marrin minimumin e asaj që kanë pritur. Pavarësia për ta nuk paraqet kurrfarë befasie, sepse ajo si nocion ka qenë e shqiptuar dhe kërkuar edhe publikisht, qoftë nëpër demonstratat e studentëve, qoftë në press-konferencat e ish-presidentit Rugova, por edhe në luftën e fundit të UÇK-së, së vitit 1999.

Befasia më e madhe për shqiptarët, do të jetë menaxhimi i pavarësisë në kushtet e bashkëjetesës me një komunitet të përkëdhelur deri në bezdi, të cilët, të mësuar me faktin e të qenët të privilegjuar pa merita, do ta kenë vështirë ta perceptojnë në mënyrë administrative Kosovën si shtet që nuk është nën juridiksionin e Beogradit.

Nëse jo, sot, nesër, patjetër politikanët në Bruksel do të duhej t‘u japin sqarime shtesë autorëve të ardhshëm të drejtës ndërkombëtare, të cilëve qysh tani u mungojnë njohuritë dhe referencat mbi formimin e oazeve të tilla ekstra-territoriale brenda një shteti të porsaformuar.

Ky paska qenë çmimi që duhet ta paguajë Kosova për pavarësinë e shumëpritur. Mund të formulohet edhe kështu ngushëllimi i atyre që kanë pritur me tepër nga pakoja e Ahtisarit, por në instancë të fundit mbi nëntëdhjetë për qind e kosovarëve, sidomos e atyre që nuk mendojnë se privilegjet pikojnë nga qielli, do të duhej të mësohen me kushtet moderne të formimit të shteteve, ku jo gjithmonë fitohet ajo që kërkohet.

A mund të përfitohej më tepër nga negociatat?

Shteti i Kosovës, është një ëndërr shekullore e gjeneratave të tëra të shqiptarëve, të cilët sakrifikuan edhe jetën për këtë ditë dhe kjo ëndërr tejkalon kapriçiot e ditës, të çdonjërit që pretendon se statusi final i Kosovës është varur shumë nga vetë kosovarët. Ajo çka është varur nga klasa politike e Kosovës ka qenë më tepër e natyrës ordinere dhe menaxheriale, siç mund të jetë, fjala bie, dëmshpërblimi për pasojat e rrënimit të ekonomisë dhe jetës së njerëzve të shkaktuara nga regjimet represive serbe, fati i personave të pagjetur, që vazhdon të jetë pezull, një propagandë më ofensive për variantin shqiptar të Kosovës në mediat dhe opinionin diplomatik e politik ndërkombëtar, mbi raportet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me shtetin e ardhshëm të Kosovës etj.

Serbia nuk mund të lirohej kaq lehtë nga përgjegjësia e quajtur Kosovë, sepse, të gjitha politikat e saj, përfshirë edhe atë që u manifestua në zgjedhjet e fundit parlamentare (ku shqiptarët as që ishin paraparë si votues), strategjitë e tyre afatgjata i kishin të projektuara mbi Kosovën, jo vetëm si pjesë integrale e Serbisë, por më tepër si koloni, brenda së cilës, vetëm ata që ishin serbë (extra qytetarë) duhet të gëzonin ekstra të drejta. Ky qëndrim kolonialist i Serbisë ndaj Kosovës ka qenë dashur t‘u shërbejë negociatorëve shqiptarë të Prishtinës që nga Beogradi të kërkojnë gjithçka që në rrethanat e ndryshme ndërkombëtare është kërkuar nga kolonizatorët kur e kanë braktisur një koloni.

Kosova deri në mars të vitit 1989 ishte pjesë integrale e ish-Federatës Jugosllave. Heqja me dhunë e autonomisë nga ana e një njësie tjetër federale (Serbia), atëbotë është kualifikuar si puç klasik shtetëror dhe deri në momentin kur NATO-ja me dhunë ndërhyri për të përzënë makinerinë policore e ushtarake serbe, Kosova, de fakto dhe de jure ishte një Njësi Federale e pushtuar me dhunë nga një njësi tjetër federale.

Pikërisht ky fakt i të qenët të Kosovës për disa vite e pushtuar ushtarakisht nga Serbia, nuk u mjaftua që të formalizohet më detajisht një platformë reparacioni si në pikëpamje kualitative ashtu edhe kuantitative nga ana e negociatorëve shqiptarë, të cilët, me apo pa dashje, Serbinë e amnistuan nga të gjitha përgjegjësitë materiale e morale mbi Kosovën.

A i duhet një Ahtisar Maqedonisë?

Shteti i porsaformuar i Kosovës, do të vazhdojë të kufizohet me shqiptarë. Shumë dashakëqij të Kosovës, këtë fakt e kanë interpretuar si një nga pengesat strategjike që duhet të merren parasysh për frenimin e aspiratave indipedente të kosovarëve. Zëra të tillë vinin edhe nga Maqedonia. Këta të fundit, te pavarësia e Kosovës shihnin një rrezik potencial për pasojat që do të mund të reflektohen në formë të tendencave gjoja shpërbërëse për vetë shtetin e Maqedonisë. Ndonëse zëra të tillë ka sot gjithnjë e më pak, megjithatë zyrtarë të caktuar maqedonas dhe ata që kujdesen për opinionbërje në Maqedoni, nuk harrojnë të përdorin metoda serbe për të shfrytëzuar Kosovën si gogol që do të amortizonte apo kanalizonte prirje të ndryshme politike e parapolitike, për nevoja të politikës së ditës dhe krejt për përdorim të brendshëm. Duket anormale të satanizohet çdo aksion legal e legjitim politik në Maqedoni me alibinë e quajtur Kosovë, duke i veshur kësaj alibie atributet e njëfarë tradhtie kombëtare. Sipas një deduksioni alogjik, që imponohet kohët e fundit, do të duhej të fajësohej për mungesën e borës në ditët e dimrit çdo politikan që sillet jashtë normave dhe axhendave të planifikuara qeveritare.

Modeli i bërjes së Kosovës, shumë pak u elaborua kohët e fundit nga elita e përçarë politike shqiptare e Maqedonisë. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund t‘i adaptojnë aspiratat e tyre demokratike e historike, varësisht nga akomodimet e koniunkturave politike që inkorporohen në qeveri.

Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorilialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se sërbet në Kosovë. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.

Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale.

Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.

Ku ndeshen Badenteri dhe Ahtisari?

Ushtria dhe policia e Maqedonisë kontrollon çdo cep të territorit, gjë që kjo nuk ndodhë në Kosovë. Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin nuk po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli shumetnik i Pakos së Ahtisarit. Përkundrazi, ky model në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i ka të garantuara 20 vende në parlament.

Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër – Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi.

Jofunksionalitet në Kosovë erdhi edhe për shkak të standardeve të dyfishta që përdori bashkësia ndërkombëtare , e cila ndryshe e trajtonte Kosovën me shqiptarë, e ndryshe Kosovën ku shqiptarët nuk guxonin të shkelnin me këmbë (veriu i Mitrovicës). Kjo qasje ndërkombëtare ( sidomos disa segmente të EULEX – it dhe më herët të UNMIK-ut) bëri që roli i Serbisë në Kosovë të fuqizohet dhe të merr atributet e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në administrimin e Kosovës (rasti i strukturave paralele në veri të Mitrovicës).

Lejimi blanko i Serbisë të kontrollojë adiministrativisht (madje edhe në aspektin e sigurisë) veriun e Mitrovicës, nuk paraqet asgjë tjetër, pos leje për të hapur Serbia në Kosovë minibursa që do të vinin në ankand tokat e Kosovës.

Serbia, pjesë e lojës

Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës.

Sipas kushtetutës serbe, Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe këtë agresion kushtetues nuk ka mundur ta parandalojë Pakoja e Ahtisarit, ashtu siç ka bërë Marrëveshja e Ohrit e cila shqiptarët i trajton (në preambulë) si pjesë e popullit shqiptar, që me automatizëm përjashton karakterin e autoktonisë së shqiptarëve në Maqedoni, e me këtë edhe çfarëdo lloj ambicie integraliste të shqiptarëve në Ballkan.

Për t’u konsideruar model një dokument a një marrëveshje, kërkohet të studiohen të gjitha rrethanat dhe kontekstet që mund ta bëjnë të veçantë atë model. Pastaj, po të ishte vërtetë model Marrëveshja e Ohrit, siç pretendojnë disa zyrtarë në Shkup, ai do të implementohej në tërësi dhe nuk do të përjetohej si “fatkeqësi elementare” për një pjesë bukur të madhe të popullatës joshqiptare. Tendencat e fundit për çmontimin e Maqedonisë së Ohrit, në fakt është shembulli më i keq i mosimplementimit të një marrëveshjeje, e kurrsesi model për të tjerët.

Kosova është shtet i të gjithëve, pakicave s’u takojnë ekstra të drejta.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar