Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 17.08.2019 08:23
Emin Azemi

​Bashkëjetesa politike Shqiptaro-Maqedonase

Prishtinë | 17/10/2018 23:01

Shkruar nga: Emin Azemi

Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një absorbim më i madh i mendjeve e veprimeve, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone, të cilat ende shkëlqimin e tyre e matin me errësirën e sinkopave shqiptare

Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve. 

Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dal e para në zgjedhje, të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive tjera simotra shqiptare në Maqedoni. Deri më tani, partitë shqiptare që ia kanë mësyrë pushtetit, nuk e kanë provuar të sjellin edhe kuadro të përgatitur nga diaspora, të cilët do të ishin një krenari kombëtare dhe një shkëlqim që do të errësonte mitin sllav për “shqiptarin e paaftë të bëjë shtet”. Në anën tjetër, sindromi i zgjatimit në politikë, nuk është fenomen i panjohur, por kur ai shndërrohet në doktrinë ka rrezik që të bëhet pengesë për zhvillimin normal të ideve dhe platformave autentike e origjinale. 


Shqiptarët në Maqedoni, çuditërisht prej vitesh e kanë kultivuar këtë sindrom dhe ai ka ardhur duke u zhvilluar në përmasat e një nyje që padrejtësisht ka bllokuar kapilarizimin e jetës politike. Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë. Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për “bashkëshortësi” të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone. 

Sikur pasojat negative të reduktoheshin vetëm në suaza të mendësisë politike, dëmi do të ishte shumëfish më i vogël, por ndodhi që kjo mendësi të shërbejë së letër lakmusi dhe të shtrihet si një lavë e rrezikshme në gjithë shoqërinë shqiptare, duke e bërë ndarjen edhe më të madhe në mes të shqiptarëve që filluan të identifikohen jo sipas afiniteteve intelektuale e krijuese, por në bazë të dostave dhe kumbarëve të tyre maqedonas. Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. 

Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë . 

Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një absorbim më i madh i mendjeve e veprimeve, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone, të cilat ende shkëlqimin e tyre e matin me errësirën e sinkopave shqiptare.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar