Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 20.06.2019 04:04
Emin Azemi

​2018 – 2019 - Idetë e parrumbullaksuara shqiptare

Prishtinë | 01/01/2019 09:58

Shkruar nga: Emin Azemi

Maqedonia në 2019-tën mundet edhe të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike, por betejat për ndërgjegjësim individual nuk përfundojnë me akomodimin në ndonjë paradhomë të NATO-s.

Në vitin që lamë pas, hendeku brendamaqedonas, në thelb pati një mospajtim, por në tërësinë e çështjes doli që mospajtimi të jetë i degëzuar, ku shqiptarët, gjithsesi, qëndronin varur dikund me pafuqinë e tyre për të imponuar vetveten si faktor. Pafuqia esenciale e shqiptarëve nuk lidhet gjithaq me kulturën e pamjaftueshme qytetare për të tejkaluar bindjet partizane, sa qëndron në mosgatishmërinë e krijimit të opsioneve me fundament politik e kombëtar, që do të merreshin për bazë në çfarë do lloj negocimi me palën maqedonase. Urojmë një 2019 ndryshe nga dëshirat e vockëla të politikanëve që arritjet e tyre personale mundohen t’i përkthejnë si kauza kombëtariste

MULLIRI I KOTËSIVE SHQIPTARE.

Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një absorbim më i madh i mendjeve e veprimeve, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone, të cilat ende shkëlqimin e tyre e matin me errësirën e sinkopave shqiptare. Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve. 

Për rrjedhojë, deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Sikur të jetonte në ditët e sotme, Ernset Koliqi, mbase, do ta përsëriste edhe njëherë qëndrimin e tij se “shqiptarët, pleq e të rij qofshin, ndër lëvizje turbulluese ideologjike duhet të përpiqen të sjellin ujin në mulli t’atdheut, tue u frymzue nga mendime e idena shqiptare dhe jo prej atyne t’huajtuna nga të huejët, të cilët duen të ndreqin punët e veta dhe me zi ç’presin qi të gjejnë torollakë qi ua ngjesin falas dorën”. 

Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Mulliri politik i shqiptarëve, në të shumtën e rasteve, kishte bluar kot ide e opcione që jodomosodoshmërisht ka qenë dashur të “gatuhen” bashkë me bukën  e tyre të përditshme.

PROMOVIMI I KULTURËS SË MOSNDËSHKIMIT NË POLITIKË

Në Maqedoni ende ka parti (VMRO-DPMNE) që konsideron se faktorët që ndikojnë në hyrjen e Maqedonisë në NATO e BE- nuk janë reformat dhe standardet, por falja e krimeve dhe kriminelëve. Atyre nuk iu intereson që çfarë shteti po i u lënë pasardhësve të tyre. Për ta më me rëndësi është t’i shpëtojnë burgut disa eksponentët të partisë së tyre, se sa Maqedonia të shpëtojë nga mengeleja e izolimit. Këtu qëndron edhe absurdi që mendjet e shëndosha nuk mund ta akseptojnë. 

Parasegjitash është i paakseptueshëm promovimi i kulturës së mosndëshkimit në politikë. Në Ballkan ky është një sindrom i njohur dhe gjithkund i kemi prezent fytyrat e njëjta që nga vitet nëntëdhjetë, të paktën në këtë pjesë Juglindore të gadishullit. Askund, përpos në Kroaci, nuk u burgosën politikanë për zhvatje e kriminalitet, mirëpo Brukselit nuk iu bë vonë të jep rekomandime për fillim të negociatave.

Për fat të mirë kjo garniturë politike në Maqedoni humbi pushtetin, por nuk i humbi ambiciet për të qenë aktuale në bursën e allishverisheve politike. Kaq e paska pasur patriotizmi i tyre. Doktrina e dikurshme që pretendonte kufi të gjerë krenarie, sot është rrudhur në një pashallëk hajdutësh që po kërkojnë të shpëtojnë kokën. Që ironia të jetë më e madhe ata duan që këtë pashallëk ta vënë në kandarin e matjeve politike, kurse rrugëtimin drejt BE-së ta bëjnë me patericat e amnistive. Mund ta imagjinoni si do të dukej kjo rrugë, plot lecka gardhiqeve të lodhura të dinjitetit, me kompleksin e fajit të pandëshkuar. 

PORTETI I I SHQIPTARIT HALLEXH NË ALBUMIN E ZAEVIT

Shqiptarët nuk kanë nevojë të kalojnë në taborin e Zaevit për t’u dukur më lojal karshi shtetit që nuk po arrin ende t’ua sigurojë statusin e gjuhës së barabartë. Ose të duken më pak të përvuajtur prapa xhamave të avulluar të autobusit që do ti degdis në rrugët e kurbetit. 

Në anën tjetër, nuk kanë nevojë edhe të bëhen jeniçerë të betejave të huaja politike, për faktin se ATA ende nuk i kanë mbaruar betejat e tyre në përsosjen e cilësisë në politikbërje, në arsim, kulturë, biznes etj. Nëse partitë shqiptare nuk arritën ti përfshijnë të gjitha kategoritë e shoqërisë në punët e ndryshme të shtetit, tani po del Zaevi një korrigjues i njëanshëm duke na bind se edhe banditët shqiptarë kanë vlerë, sidomos kur ata vendosen në pozita jeniçerësh, sepse vetëm jeniçerllëku historikisht është treguar të jetë pyka më efikase në duart e padronëve hileqarë. 

Zaevi, ç’është e vërteta, po tregohet i pafuqishëm t’i bind bashkëkombësit e tij ta votojnë një marrëveshje që do ti siguronte shtetit ardhmëri euroatlantike, por në anën tjetër, siç po flitet, nuk e ka shumë problem të kontaktojë me turli shqiptari hallexhi, ndonjëri prej tyre edhe me precedente penale, vetëm e vetëm që në këtë shtet të ndërtohet një shoqëri e mangupëve të barabartë, që do ta dinin saktësisht adresën se ku ndodhet fshehtësia e ngritjes në karrierë pa qenë nevoja të kesh ndonjë parapërgatitje profesionale.Ky, mbase, është edhe porteti i i shqiptarit hallexhi në albumin e fotografive të kontrabanduara të Zaevit. 

PAFUQIA E SHQIPTARËVE PËR TË IMPONUAR VETVETEN SI FAKTOR

 Asnjë kurs nuk përvetësohet plotësisht nëse paraprakisht nuk kalon testin e provës. Maqedonisë i duhet edhe një semestër leksionesh që të dijë të ndajë patriotizmin rural maqedonas nga aspirata e pastër europiane. Shqiptarët mund edhe të mos e ndjekin këtë semestër, por kjo nuk nënkupton neglizhimin e faktorëve që i bën ata më të konsoliduar politikisht. Hendeku brendamaqedonas, në thelb ka një mospajtim, por në tërësinë e çështjes del që mospajtimi të jetë i degëzuar, ku shqiptarët, gjithsesi, qëndrojnë varur dikund me pafuqinë e tyre për të imponuar vetveten si faktor. 

Pafuqia esenciale e shqiptarëve nuk lidhet gjithaq me kulturën e pamjaftueshme qytetare për të tejkaluar bindjet partizane, sa qëndron në mosgatishmërinë e krijimit të opsioneve me fundament politik e kombëtar, që do të merreshin për bazë në çfarë do lloj negocimi me palën maqedonase. Sikur shqiptarët të ishin angazhuar më tepër për opsione që do të koncentronin fuqinë politike të tyre, situatën do ta kishim krejt ndryshe. As që do ti shkonte ndërmend dikujt do të kujtohej të rekrutojë banditë shqiptarë, për të luajtur rolin e pykave e kallauzëve, si instrumente që e bën më të sofistikuar ndërhyrjen brutale në trupin elektoral të shqiptarëve. 

DEFEKTET E ORGANIZIMIT STUDENTOR

Si mund të jetë e ardhmja e një shoqërie me student të cilët kanë harruar kur kanë vënë në skenë ndonjë shfaqje teatrore, kur kanë organizuar një orë letrare, apo ndonjë ekspozitë pikturash. Në vend se të jenë model i organizimit të mirëfilltë kulturor, studentët tanë janë bërë bisht i papërfillshëm i jetës kulturore te ne. Qasja stereotipe që po na imponohet në shoqëri, si rezultat i një jete të vobektë kulturore, ka bërë që të humbas kuptimi i të qenit intelektual, sepse tharmi i intelektualizmit nuk po kultivohet brenda një atmosfere të mirëfilltë krijuese, me sens garimi dhe konkurrimi. Universitet tona duhet të ndajnë më tepër fonde për jetën kulturore të studentëve. 

Çdo universitet i yni duhet ta ketë revistën e vet letrare, bendin e vet muzikor, trupën teatrore etj. Të përfshirë në skena teatri, në bende muzikore, në pjesë baleti, apo në galeri e salla leximi letrar, studentët në gjithë botën paraqesin paradhomën e përgatitjes së elitave të një kombi. Studentët gjithkund, përveç se te ne, janë kritikuesit më të mëdhenj të pedagogëve të tyre. 

Studentët gjithkund , përveç se te ne, organizohen nëpër forume e organizata rinore, si mekanizma që ushtrojnë trysni sociale për ndryshime radikale në shoqëri. Në qytet tona universitare, edhe ato pak aktivitete kulturore që i kemi, organizohen nga institucionet qendrore e lokale. Studentët këtu te ne madje jo vetëm që janë larg të qenit në trend me gjithë botën e dijes e kulturës, por ata tregojnë interes minimal për të frekuentuar ato pak vende ku organizohet ndonjë ngjarje kulturore. 

Turma, sikundër dihet, asnjëherë nuk ka një zë kritik që do t’i artikulonte interesat e veta, përderisa kjo nuk ngrihet në një shkallë më të lartë, atje ku ndodh edhe formimi i publikut. Frika nga publiku i formuar ka detyruar shumë faktorë me relevancë pushtetore të disperzojë pakënaqësinë nëpër kanale të shumta të “shkretëtirës” kolektive. Kjo është më e pranishme në arealin publik maqedonas, por ka jo pak shenja që ky model të bartet edhe në arealin shqiptar. 

Publiku shqiptar në Maqedoni ende është larg të qenit i informuar mbi analiza të specializuara të institucioneve e individëve për tema të caktuara. Aktaulisht i bie që vetëm subjektet politike kanë mendim të kristalizuar public, ndërkohë që shoqëria shqiptare është në një fare apatie dhe defanzive të pakuptimt. Në shoqëritë e konsoliduara kulturalisht e ekonomikisht ka ndodhur që të identifikohen konflikte në mes të publikut kritik dhe atij manipulues, që si epilog ka patur triumfin e argumenteve mbi gjepurat, të ligjërimit të mirëfilltë publik mbi kozeritë e mejhaneve suburbane. Përfundimisht, shoqëria shqiptare ende nuk e ka ngritur një laborator të vetin për të testuar gatishmërinë intelektuale të sfidimit. 

STRATEGJIA E MUNGUAR E BASHKËPUNIMIT BRENDASHQIPTAR

Në gjeopolitikën e munguar të shqiptarëve në Ballkan, në vitin 2018 pati më tepër folklor dhe patetizëm, se sa veprime konkrete, si nga politika ashtu edhe nga institucionet kulturore, arsimore e shkencore. Në Maqedoni nxënësit shqiptarë ende historinë e mësojnë prej “çitankave” të mbushura me budallallëqe autorësh të pensionuar, kurse në Luginë të Preshvës abetaret nuk mund të vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, sepse Beogradi  ende mendon se alfabeti ka plumba. 

Liderët shqiptarë munden sa here të donë të enden poshtë e përpjetë (siç do të thoshte Demaçi i ndjerë), por ata nuk munden të na e shesin këtë vajtje-ardhje si pjesë e ndonjë strategjie kombëtare, për të cilën kemi shumë nevojë. 

Apo ndoshta, edhe strategjitnë tonë kombëtare ua kemi lënë diplomatëve të huaj! Urojmë një 2019 ndryshe nga dëshirat e vockëla të politikanëve që arritjet e tyre personale mundohen t’i përkthejnë si kauza kombëtariste.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar