Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 18.11.2019 11:07
Driton Smakaj

​E drejta ime legjitime për të dyshuar

Prishtinë | 12/10/2019 18:27

Shkruar nga: Driton Smakaj

Ne jemi një shoqëri e rritur me dekada në një konfuzion total sa i përket organizimit politiko-shoqëror.

Në kohën e Jugosllavisë, gjeneratat e fëmijëve janë rritur nëpër shkolla duke ua mësuar atyre historinë se Shaban Polluzha ishte një armik, një ballist i tmerrshëm, ndërsa Fadil Hoxha ishte një hero i vërtetë që Kosovën e bëri Krahinë serbe mbrenda Jugosllavisë.

Edhe sot një përqindje e madhe e shoqërisë sonë e beson këtë MARRI të zbukuruar, bile duan t'i ndërtojnë shtatore në bronz në mes të qytetit 'heroit' Fadil Hoxha.

Kur vëllëzërit Gërvalla punonin për të drejta më të avancuara të shqiptarëve për të ngritur statusin tonë si një Republikë në Jugosllavi, lëpirësit e Pushtetit të atëhershëm i quanin LPK-istët si plehë i Kosovës.

Edhe sot ka një numër të madh të shqiptarëve që urrejnë LPK-në. Ndërsa nga LPK-ja ka buruar UÇK-ja, pa të cilën PAVARËSIA e Kosovës do të ishte vetëm një ëndërr për ta ëndërruar ndër shekuj. Por, edhe UÇK-ja ka plotë kundërshtarë mbrenda shoqërisë sonë.

Polarizimi i shoqërisë në Kosovë është në proporcion të drejtë me aftësinë e lëpirësve të Pushtetit sundues, ku një numër i madh intelektualësh ose bashkëpunonin drejtëpërdrejtë me armikun, ose heshtnin për të jetuar një jetë komode pa dinjitet në një hapësirë gjeografike pa liri.

Duke qenë të okupuar me shekuj, armiku natyrisht që ka infiltruar njerëzit e vet shqipfolës pothuajse në çdo grup shoqëror që ka pasur ndonjë plan kundër Serbisë. Kjo gjë është edhe krejtësisht e natyrshme, sepse armiku nuk flenë. Budallenjtë flejnë.

Për themelimin e LDK-së, ka fakte konkrete, tashmë të debatuara gjatë, nëpër mediat ditore, që UDB-a e ka themeluar dhe ia ka caktuar vijat kah me ba politikë. Edhe sot në zgjedhjet e fundit të 6 Tetorit, kjo Parti doli e dyta si më e votuara. 

Ky fakt e dëshmon se sa pak vetëdije ka ende shoqëria jonë rreth kuptimit të organizimeve politike. Kjo nuk do të thotë që mbrenda LDK-së nuk ka njerëz të mirë e intelektualë të devotshëm, por ata janë thjeshtë pjesë e kurthit të Partisë. Kot ka njerëz të mirë mbrenda, kur Shefi vëndos edhe kullet aty.

Nëjse, meqë jam një fanatik i papërmirësueshëm i demokracisë liberale, i uroj fansat e LDK-së për rezultatin dhe do e mbroj çdoherë të drejtën për të zgjedhur prijësit tuaj me votën tuaj.

Në anën tjetër, në Partitë e dala nga lufta, këtu hyn edhe VV sepse në Kryesinë e saj ka luftetarë e komandantë. Në të gjitha këto Parti janë rehatuar ish bashkëpunëtorë të udbës, si edhe djemtë e tyre me arsyetimin se ata dijnë, janë të mençur. Ndërsa djemtë e heronjve të luftës janë lënë papunë, me arsyetimin se ata nuk kanë përvojë pune, nuk dijnë, janë bijtë e ballistëve e arsyetime banale.

Janë emra konkret udbashësh, që janë thënë publikisht nga ish të burgosurit politik se po të njëjtit udbashë që i kanë torturuar ata në burgun e Serbisë, po ata torturues sot janë në Institucionet e Shtetit të ri të Kosovës. Këta udbashë janë mbrenda institucioneve të Shtetit falë liderëve të Partive të dala nga lufta. Kjo është një maskaradë shoqërore nga çdo kënd i vështrimit.

Sipas informacioneve që janë debatuar në Kuvendin e Kosovës, nga vet deputetët e atij Kuvendi, dyshohet që edhe mbrenda UÇK-së ka pasur rreth 130 shpijuna të Serbisë. Imagjinoni, kur mes pushkëve e flakëve të rrezikut, ata shpijuna kanë hyrë mes UÇK-së, se sa e lehtë është të futesh mes Partive Politike. Bile nëpër Parti Politike, këta të shitur e të mjerë, e kanë edhe mundësinë me dalë para kamerave e ma na shitë patriotizëm. Masat shoqërore hanë çka të iu sërvohet.

Morali ynë si shoqëri është nën dhé. Ne nuk shohim as hijen e të vërtetave, lëre më diçka nga e vërteta. Për çmimin nobel për letërsi, u bëmë copash duke reagua e shkruajtur çdo ofendim kundër një shkrimtari austriak, vetëm pse ai kishte glorifikuar Millosevicin. Krejt në rregull ky reagim.

Por, askush nuk kishte reaguar që Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është zgjedhur një ish bashkëpunëtor i denjë i sistemit të Jugosllavisë, rrjedhimisht Serbisë edhe kur Millosevici ishte në Krye të atij sistemi. Për ironinë e kohës, tash ky Kryetari ia kishte nisur një notë proteste Komisionit të Nobelit.

Kur ata do e analizojnë se kush ua ka dërguar notën e protestës, besoni do të plasin së qeshuri.

Pra kjo është shoqëria jonë sot. Jetojnë në një mjegull totale sa i përket organizimit politiko-shoqëror.

Disa miq intelektualë, më kanë shkruajtur që do të duhej ta përkrahja Albinin në zgjedhjet e 6 Tetorit nëse unë e dua ndryshimin. Absolutisht i kuptoja për qëllimin e mirë që ata kishin për ndryshime pozitive.

Por, në mes të analizave të mia, nuk arrita të ekzaltohem për një ndryshim siç premtohej. Nuk arrij ta shoh ende një mundësi të ndryshimeve radikale në horizont.

Sepse, karta e vetme që Albinin e ka bërë një fitues në këto zgjedhje, është karta kundër korrupcionit. Edhe atë një fitues me pak vota plus. Që natyrisht karta kundër korrupcionit është një diçka e mirë, sepse hajnia i irriton qytetarët. Por, korrupcioni është aq megaloman në shoqërinë tonë, saqë kërkohet një reformë e thellë e sistemit për ta zvogëluar atë. Do të duhen të paktën dy mandate QEVERISJE TË PASTËR, për të shënuar rezultate të kënaqshme.

Ndërsa, pikat kryesore që mua nuk më ekzaltuan në përkrahje të Albinit, është vardisja i tij me islamistët. Ka dhjetëra njerëz mbrenda vëvësë, që vdesin për Erdoganin dhe punojnë pa ndalë që Shtetin e Kosovës ta kthejnë në një Shtet Islamik. Për mua kjo është një pikë e rrezikshme.

Duke qenë nën ndikim të erdoganistëve, Albini pa pikë hezitimi e vuri Sami Frashërin si figurë kombëtare para Skënderbeut. Bile Skënderbeun as që e përmendi. Jam i sigurtë që Albini e din mirë se Skënderbeu është ADN-ja e qënësisë sonë shqiptare dhe nuk ka ndonjë figurë tjetër më madhore në historinë tonë shekullore.

Por, ai e madhëroi Samiun, një kontribues i madh i Perandorisë Osmane. Sami Frashëri 80% i ka kontribua Perandorisë e vetëm 20% Shqipërisë, andaj edhe eshtrat e tij rrijnë sot në Turqi e jo në Shqipëri. Nuk po dua ta nënvleftësoj Samiun, por me këtë qëndrim të Albinit për të, u nënvleftësua Albini para njohësve të vërtetë të historisë sonë.

Pika e dytë, është loja e tij me mos respektimin e Kushtetutës së Kosovës si të tillë dhe simbolet e Shtetit. Kjo pikë për fansat e VV-së nuk duket problematike aspak, sepse ata ashtu janë edukuar, por në rrafshin ndërkombëtar, kur i pari i vendit nuk i respekton simbolet e Shtetit dhe Kushtetutën e atij Shteti, atëherë është një thikë mbas shpine vet Shtetit që ende nuk e ka një ulëse në OKB.

Në këtë pikë Albini mbetet një naiv i skenës politike dhe sinqerisht i turbullt politikisht.

Shqiptarët kanë një KOMB, por për rrethanat aktuale politike në rajon dhe botë, nuk përbën kurfarë problemi politik e as organizitivo-shoqëror ekzistenca e dy Shteteve shqiptare në Ballkan.

Esenca e qënësisë sonë nuk ndryshon kur LIRIA është mes nesh dhe vazhdojmë të zhvillohemi.

Si konkludim, është e drejta ime legjitime që të kem DYSHIME!

Edhe atë të kem dyshime të mëdha në sëcilin politikan të Republikës së Kosovës. Këtë dyshim ma dëshmon edhe pa-aftësia e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të votuar Ligjin e Lustrimit. Mos votimi i këtij ligji, sëcilin politikan e bën të dyshimtë për të kaluarën e tij.

Një Shtet që nuk ka një FILTËR institucional, ku çdo individ që kërkon votën e qytetarit të dëshmohet se është i pastërt, i pakorruptuar dhe i denjë për instucionin më të lartë të Vendit, atëherë ai Shtet është sikur një KAZAN i çorbave tyrlifarësh. Në një Shtet të tillë, Partitë Politike dhe liderët e atyre Partive veç na flasin fjalë të ëmbla kot, sepse asgjë e mirë dhe e mbarë nuk ndodhë.

Nëse duam Shtet të së drejtës, atëherë secila Parti Politike duhet sëpari të bëjë filtrin e saj, në mënyrë që para qytetarëve të kërkojnë votën njerëz të denjë të dijes dhe me taban kombëtar.

Pastaj të gjithë këta, të hyjnë edhe nëpër filtrin e sigurisë nacionale që do të duhej të ishte detyrë e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.

Vetëm ata njerëz që kalojnë filtrin e sigurisë nacionale do të mund të garonin për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Me njerëz të tillë, bëhet Shteti e jo duke kërkuar besimin e popullit të bazuar në një indvidid, një emër i përveqëm që kërkon të sillet e tërë bota rreth tij.

Kjo rrëmujë e mashtrimit të masave me idenë e përcaktimit të BABËS së Kombit, duke lënë nën hije Institucionin e Shtetit dhe duke madhëruar individin, na bënë të dukemi para botës sa primitivë aq edhe injorantë total të shekullit të ri.

Para ca muajve, kam dhënë dorëheqje nga Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë - LKSHM, pikërisht për faktin që një udbash ishte ngulur në Kryesinë e kësaj shoqate dhe Kryetari i Shoqatës nuk bënte asgjë për ta larguar shkrimatrin udbash që shkruante libra patriotike. Pra, pa një filtër të mirë, nuk funksionon as edhe një shoqatë kulturore, e lëre më një Shtet.

P.S.

Për qëndrimet e mia radikale të pastrimit të skenës politike në Kosovë, mediat e Kosovës ka vite që injorojnë opinionet e mia rreth problemeve politiko-shoqërore të Kosovës. Mu për këtë shkak edhe kanë injoruar komplet edhe përurimin e librit tim të fundit.

Gjithashtu sa për ilustrim, romani im i mëhershëm "D11" është eleminuar nga gara për një çmim letrarë në Prishtinë, veç për faktin që në një kapitull mbrenda romanit nuk ka fjalë të mira për Fadil Hoxhën.

Kaq i kontrolluar e censuruar është mendimi i lirë në Kosovë, kur flitet për ndryshime konkrete të bërjes së Shtetit. 

Realisht nuk më bën aspak përshtypje që mediat e Kosovës injorojnë mendimet e mia. Sikur të mos ekzistonte kjo hapësirë këtu në facebook, as që do të dërgoja ndonjë artikull në ndonjë gazetë të Kosovës.

Pra, të gjitha shkrimet e mia janë publike, andaj të gjitha mediat janë të lira të publikojnë më tutje shkrimet e mia, nëse ua lejon shefi.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar