Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 19.06.2019 07:44
Dritan Goxhaj

​Mirënjohje e vonuar për një oficer hollandes

Prishtinë | 20/05/2019 07:49

Shkruar nga: Dritan Goxhaj

Ditët e para të Operacionit “Shigjeta”, forcave të UCK-së iu desh të luftonin për marrjen e territorit të Republikës së Shqipërisë, i pushtuar nga forcat serbe. Forcat serbe e kishin marrë këtë territor në të gjithë gjatësinë e kufirit prej malit Pashtrik e deri ku zhvilloheshin luftime në Koshare, në një thellësi 3-4 km, për të përforcuar pozitat mbrojtëse të tyre, gjë që forcave të UCK-së u është dashur që të sulmojnë nga poshtë-lart. Ky territor i R.SH ishte pushtuar nga forcat serbe qysh në ditët e para të fillimit të luftimeve në Koshare.

Disa ditë më herët se të fillonte operacioni “Shigjeta” nga UCK-ja, oficerat amerikanë, (me të cilët unë isha caktuar të kryeja detyrën e oficerit të bashkveprimin midis tyre dhe SHP të UCK-së, prej ditëve të para të muajit prill 1999, i caktuar nga Mnistri i Mbrojtjes së QPK dhe SHP i UCK-së), patën kërkuar që të bëhej një demonstrim force nga ana e ushtrisë shqiptare, me qëllim që të ndikonte në ngritjen e moralit të forcave të UCK-së që do të angazhoheshin në luftime në mal të Pashtrikut. Ata gjithashtu propozuan që në atë demonstrim force mundësisht, krahas Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Shtabit të Përgjithshën të ushtrisë shqiptare, të ishin prezent edhe Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë. Dhe kështu u pranua edhe nga Presidenti  Rexhep Mejdani. Por është për t’u theksuar se Kryeministri Majko nuk erdhi ditën e atij demonstrimi, gjë që edhe grupi i maerikanëve u befasua, pasi nuk pati asnjë shpjegim se pse nuk qe Kryeministri. Kastriot Myftaraj shkruan se e pat bind që të mos  vinte ministri i atëhershëm i Kulturës.

Nuk kishin kaluar as dy-tre ditë që kishte filluar Operacioni “Shigjeta”. Grupi i oficerave amerikanë që kishin ardhur për të ndjekur nga afër veprimet luftarake të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, prej ditës që filloi operacioni “Shigjeta” shkonim përditë si në Cahan edhe në drejtimet e tjera.

Atë ditë, për të cilën po tregoj, ne ndodheshim qysh herët në mëngjes në Cahan.  Luftohej për marrjen e apareleve të fortifikuar të artilerisë mbi fshatin Cahan, në drejtim të malit Pashtrik, territor 3-4 km në brendësi të territorit shqiptar. Për marrjen e këtyre strehimeve të artilerisë po luftonin dy TEF-e të komanduar nga oficerat vullnetarë të ushtrisë shqiptare, Dritan Durmishi dhe Ermir Bega, nën drejtimin e oficerit nga Kosova Bilal Syla.

Në orët e para të asaj dite, nga gryka e Morinit, përgjatë bregut të liqenit, përballë doganës ndërshtetërore, futet në territorin shqiptar një batalion i këmbsorisë serbe, duke lëvizur në formacion paraluftimi. Ai batalion po ecte në drejtimin për t’u dalë në shpinë forcave të UCK-së që luftonin në drejtimin:  Cahan - maja e malit Pashtrik. U duk qartë se forcat serbe kishin për qëllim t’i rrettonin dhe t’i asgjësonin forcat tona të UCK-së në atë front.

Qysh në momentin kur forcat serbe u futën në territorin tonë në formacion paraluftimi, filloi përgatitja serbe me artileri kundër forcave tona në mal të Pashtrikut. Zjarri zhvillohej nga dy grupe zjarri artilerie obuzash të vendosur mbi fshatin Zym, në shpatin e malit të Koritnikut.  Ne kishim me vete radio dore, si dhe telefon satelitor.  U propozova amerikanëve që të lidheshim me forcat e Divizionit të Tiranës, të cilat prej ditës së atij  demonstrimi ishin dislokuar në përforcim të Divizionit të Kuksit. Propozova që këto forca të hapnin zjarr me artileri si kundër batalionit serb që po afrohej në formacion paraluftimi, ashtu edhe për të neutralizuar artilerinë serbe që po hapte zjarr prej fshatit Zym. Dhe ata ma miratuan. Atëherë lidhem në radio me Shefin e Shtabit të Divizionit të Tiranës që kishte ardhur në përforcim të Divizionit të Kuksit, i cili kryente edhe detyrën e komandantit të atij divizioni, që të godiste me artileri forcat serbe që po afroheshin buzë liqenit, si dhe të neutralizonin artilerinë serbe në Zym. M’u kthye përgjigjia se nuk mund të hapnin zjarr pa u dhënë leje SHP i ushtrisë shqiptare. Mirëpo situate nuk priste. Kështu që m’u desh të lidhesha me telefonin satelitor me komandanti n e Operacionit “Shigjeta”, z.Bislim Zyrapi. Pasi i sqarova situatën, i propozova se do të ishte më së miri të sjellej urgjentisht në përforcim toga e vullnetareve që po stërvitej në Burrel që ishte e armatosur edhe me  7-8 topa dore, të cilët ua kisha çuar unë në Burrel. Gjithashtu e sqarova Bislimin se këtë togë e komandonte dhe e stërviste një major Hollandes, ardhur edhe ai vullnetar.

                                                    *             *             *

Parantezë. Kush ishte ky oficer hollandes?

Oficeri hollandes, me gradë major, që për fat të keq nuk ia mbaj mend emërin,  kishte qenë me forcat  paqeruajtse hollandeze në Bosnjë, bashkë me bashkëshorten e tij; edhe ajo oficere. Ngaqë snaiperistët serbë atje i kishin vrarë bashkëshorten, hollandezi kishte vendosur të gjente mënyrën se si të hakmerrej burrërisht kundër serbe. “Në luftë ma vranë gruan, në luftë dua t’i vras edhe unë”, më pat treguar mua kur u njohta me të. Dhe kur NATO-ja u angazhua në luftën për çlirimin e Kosovës, ai e kishte vlerësuar si rastin më optimal për t’u hakmarrë kundër serbëve.

Duhet të ketë qenë java e fundit e muajit prill 1999, që ai kishte mbritur në Tiranë dhe ishte interesuar të gjente vendndodhjen e instituconeve drejtuese të UCK-së.  Duke pyetur qytetarë të ndryshëm, kishte arritur të shkonte te  zyrat e Fondit “Vendlindja Thërret”, të cilat ndodheshin  në Tiranën e Re, përballë shkollës 9-vjeçare “Edith Durham”. Pasi qe paraqitur dhe u kishte shprehur qëllimin e ardhjes së tij, dikush në ato zyra i kishin kthyer përgjigje negative. Po atë ditë, për koinçidencë, unë pata shkuar për punë te Ministri Mbrojtjes së QPK-së së  Kosovës, z.Azem Syla. Isha  veshur me uniformën e oficerit të ushtrisë shqiptare. Pasi dola nga hyrja e pallatit më ndali një civil, duke m’u drejtuar anglisht, për “një ndihmë të vogël nëse keni mundësi zoti oficer”, sikundër më tha. Pasi u prezantua, m’u lut nëse njihja dikë në ato zyra që të mund ta  kontaktonte me Ministrin e Mbrojtjës së QPK-së. U interesua të dija se me cilin kisha të bëja, para se të mund ta ndihmoja. 

Midis të tjerave mësova se qytetari prej Hollande ishte oficer këmbsorie kundërtanke, specialist edhe për përdorimin e topave të dorës. Pasi  më sqaroi se kush ishte qëllimi i ardhjes dhe cila qe dëshira e tij që donte të takonte ministrin e Kosovës,  atëherë i thashë se do të pyesja, por të më priste aty ku ishte, në oborr. U ktheva dhe shkova përsëri te Ministri Azem Syla, i cili nuk më linte kurrë që të prisja para zyrës. Pasi e sqarova rreth oficerit hollandes, i propozova që le t’i mundësohej dëshira, pasi ne do të kishim një oficer më shumë në front dhe aq më shumëqë kishim të bënim me një oficer madhor me përvojë lufte. Dhe Azem Syla pasi më dëgjoi me vemendje u bind, dhe  menjëherë më dha leje që ta nisja për në Qendrën Stervitore në Burrel. Dhe po atë ditë, hollandezi u nis për në Burrel me një grup vullnetarësh shqiptarë të porsa ardhur nga diaspora. Përgatitja në atë qendër stërvitore bëhej nga oficerat e Batalionit të Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.  Gjithashtu, një a dy javë më vonë, unë e kontaktova hollandezin në Burrel, kur çova një furnizim me 7- 8 topa dore, të cilët iu dhanë në pajisje togës së vullnetarëve që atij i ishte besuar për stërvitje.

*         *         * 

Bislim Zyrapi menjëherë urdhëron ardhjen e këtij njësiti nga Burreli, i cili, sikundër thashë, ishte në madhësinë e një toge. Derisa erdhën këto forca, luftimet nuk ishin ndërprerë. Këto forca u transportuan me mjetet e Batalionit të Sigurimit të ushtrisë shqiptare. Forcat e UCK-së vijonin të luftonin me shumë guxim, edhe pse në rrethim. U desh 4-5 orë të mbrinin forcat nga Burreli nën drejtimin e majorit Hollandes. Më të mbritur në Krumë, ku i priti dhe u dha detyrën  Fatmir Limaj, ato hynë menjëherë në luftim, në shpinë të forcave serbe, duke i vendosur ato midis dy zjarreve. Pas disa orë luftime, parallel me fillimin e errësimit, forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin totalisht.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar