Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 23.03.2019 04:26
Dorina Hoxha

​Mallkohesh kur lind grua!

Prishtinë | 13/02/2019 07:58

Shkruar nga: Dorina Hoxha

… Në redaksinë e lajmeve të para 5 viteve më qëllonte të merresha me kronikat e shtyrjes së seancave të Dritan Dajtit, një njeri që bëri bujë për vrasjen e 4 policëve, ngjarje që për atë kohë pati një jehonë të madhe në opinionin publik se si bota kriminale po fuqizohej dita ditës.

Në fakt si për cudi të fatit, dënimi I tij sërish mori vëmendjen e duhur mediatike por edhe me lajmet tanimë të mbushura me krime brenda familjes. Tipologjia e krimeve të kryera nga Dritan Dajti është në raport të drejtë me rolin dhe funksionin e policisë që është në mbrojtje gjithnjë të qytetarëve, por, tipologjia e gardistit që vret gruan e devotshme myslimane, jo vetëm është në raport të zhdrejtë me tipologjinë  e një krimi duke thyer normat por edhe vlerat morale të një shoqërie. Nëse kronikat mbushen me Dritan Dajtin, kupton se në këtë realitet dhe kudo, do të ekzistojnë njerëz që shkojnë kundër ligjit, ndryshe drejtësia nuk do të konceptohej dhe se ne do të jetonim në parajsën tokësore ndërsa ngjarja e gardistit është më e rënda se qindra seancat sëbashku të Dajtit  sepse ndryshe nga ky I fundit,  gardisti ashtu si edhe 6 kriminelë të tjerë thyen rregullat morale, vranë gratë, vranë  mbi të gjitha  konceptin e jetës dhe familjes, vranë besimin, vranë dashurinë, vranë vetësakrificat. 

Të vrasësh katër policë në dyluftim, nuk është më shumë se sa t’i marrësh jetën një gruaje me të cilën u dashurove, ja puthe cdo pëllëmbë të trupit e prej kësaj I dhe jetë një fëmije, të vrasësh një grua është sikur të kesh vrarë qindra policë e gardistë sëbashku, sepse  kur vritet një grua, me të vdesin qelizat e së ardhmes, qindra këshilla, përkujdesje, vdes besimi, vdes dashuria se ditë më të mira do të vijnë. 

Në këtë vend është mallkim të lindësh grua,  nuk është mallkim të klonosh Dritan Dajtin as të tjerë si ai, jo jo. Në këtë vend është mallkim të klonosh gardistë që jo vetëm nën pushtetin e një uniforme, vret besimin dhe dashurinë  e familjes së tij. 

Parimi I parë  që  mësojmë në jetë është  forca e besimit dhe dashurisë që e mban familjen në jetë dhe se cdo gjë që cënon këtë unitet duhet të përjashtohet, ndërkohë në shoqërinë shqiptare ndodh krejt e kundërta,  shkatërrojmë po vetë këtë unitet. Gruaja e gardistit ishte një vajzë që unë e njihja që nga vitet e shkollës në njësinë administrative Vaqarr dhe jemi përshëndetur shumë herë në urbanet e së përditshmes. Komuniteti Mysliman sot duhet të ishte ngritur për të mbrojtur vlerën e jetës në këtë vend si shenjë respekti ndaj  hixhabit që  e vrara mbante. I bëj thirrje të ngrihen këtë here,  të  ngrihen  këtë rradhë për këmbanën e fortë që preku edhe atë komunitet,  krimi nuk njeh as ngjyrë as fe, as veshje e as pushtet,  përtej cdo hixhabi dhe karakteri  në shoqërinë tone, ranë këmbanat e forta edhe aty ku duket se me fanatizëm ruhet koncepti I familjes. Dikush prej jush do pyeste: “Edhe në radhët e myslymanëve ka të tilla tragjedi?! Në familjet që presupozohej të promovoheshin vlerat morale, në një ditë shkurti promovohet anti jeta. 

Miq, krimi nuk njeh logjikë, as besim, ndaj kjo është thirrje për ne që ende frymojmë në këtë shoqëri se  mbase ka ardhur koha për një reflektim  social se dicka ka me ne shqiptarët që  nuk vrasim  atë që na bën keq, por vrasim  atë që na bën mirë, vrasim të mirën dhe së keqes I shtiremi sikur po bëjmë mirë. Paradoks…!!!   Të vrasësh atë që të dhuron dashuri, a nuk është prej krimeve më të dënueshme, përse atëherë Dajti qënka kaq I rrezikshëm ndërsa “ gardistë” që vrasin familjen dhe që vuajnë prej depresionit nuk janë të rrezikshëm?!. Hiqeni ju lutem këtë teori, gratë nuk vriten prej depresionit, po vriten nga tipologjia e njerëzve pa zemër, gardistët janë “Dritan Dajti” I së përditshmes,  jo Dritan Dajti!  Pa dashur të fyej familjarët e të ndjerëve të rënë në detyrë, qëllimi nuk është të bëhem avokatja e Dajtit, as e krimeve të askujt, madje I frikem krimit sepse në racionalitetin e cdo kujt ka pak marrëzi që mund të na fundosë të gjithëve.  

Nuk I frikem vdekjes sepse cdo shpirt do ta kalojë një ditë, por I frikem mënyrës sesi do ta dorëzosh shpirtin një ditë, në dorën e kujt do të të bjerë ta japësh frymën e fundit dhe se si, ndaj duke dashur që vdekja e secilit prej nesh meriton një moment prej së mirës, disa bien heronj në krye të detyrës e disa si kriminelë. Por jemi ne sesi  duhet ta luajmë pjesën  në jetë. Mbase policët do ishin vrarë në dyluftim me një tjetër “Dajt” a mbase me një tjetër gardist, por kur vritet një grua nuk ka të rënë në krye të detyrës, nuk ka as heronj, ka vetëm viktima. 

Keni dëgjuar të thuhet se një grua që u vra, është heroina e familjes?! Askush nuk e thotë këtë gjë sepse të lindësh grua në këtë vend, pothuajse po kthehet në mallkim!  Të lindësh grua në këtë vend do të thotë, të sakrifikosh kafshatat  e bukës për fëmijët, do të thotë të sakrifikosh lëkurën që të rrudhet nga mosvemendja dhe tradhëtitë e burrave perversë që të përdorin si një lodër seksi të ligjshme. Të jesh grua në këtë vend do të thotë të pyesësh bashkëshortin për masën e veshjeve, për masën e këpucëve,  të pyesësh bashkëshortin për masën e fjalëve që do thuash përgjatë një dite. Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend, ku  pirja e një kafeje, një shëtitje apo një argëtim, të stigmatizon përgjatë gjithë jetës.

Është fatkeqësi të lindësh femër në këtë vend ku heshtja  dhe bindja është kusht I martesës, ndryshe vritesh! Është fatkeqësi të lindësh femër në këtë vend, ku  burrat ende mendojnë se martesa do të thotë ta bësh të besojë bashkëshortja se shantazhi I braktisjes është dashuri!  Është fatkeqësi të lindësh grua  në këtë vend ku dyert  e karrierës ju hapen vetëm burrave dhe se gratë duhet të paguajnë ‘haracin’ e hapjes së këmbëve, ose në të kundërt do qajnë cdo mbrëmje se do të dështojnë, do fillojnë të humbin vetvlerësimin në këtë meritokraci perversash. Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend ku fjalori I përdorur I gjuhës, është më fyesi, më denigruesi për qënien njerëzore.  Është fatkeqësi të lindësh  grua në këtë vend,  ku ka burra që dashurinë e shprehin me fjalorin e rrugës dhe se për të bërë një femër për vete, duhet pa tjetër të përdorin fjalë me ngrënie, fjalë me vrasje, fjalë me fruta, fjalë  që tregojnë vetëm nevojat e tyre fiziologjike. Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend  ku rriten meshkuj  të paedukatë, meshkuj të ashpër, pa zemër dhe egocetrikë.

Është fatkeqësi të lindësh  grua në këtë vend, ku rriten burra që nuk kanë takt, as delikatesë në gjuhën e tyre të komunikimit. Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend ku vriten 6 gra brenda amuajit nga bashkëshortët e tyre. Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend, kur sheh që rriten burra që  si argument kanë armën dhe organin e tyre gjinital. 

Është fatkeqësi  të lindësh grua në këtë vend kur pavarësisht se sheh gra të forta e të hekurta në fushën e politikës,  mjekësisë, biznesit apo edhe  në fushën e artit, sërisht sheh në sytë e tyre  rebelim, egërsi dhe lodhje nga të qënët gjithnjë në vetëmbrojtje aq sa të krijojnë përshtypjen e një karakteri burrëror nga paraqitja. Ëshët mallkim të lindësh grua në këtë vend se po u martove, bëhesh  skllave e ligjshme e një burri vrasës! Heronjtë I duhen imagjinatës, jetës së përditshme I duhet qëndrueshmëria në besim, I duhet dashuria pa kushte, I duhet morali dhe familja. Jetës së përditëshme, i duhet mbi të gjitha të jetë e mbushur me njerëz origjinalë dhe të vërtetë. Shqoërisë sonë  I mungon sinqeriteti social, I mungon ndershmëria me veten.  

Të gjykosh në kushtet e ndershmërisë me veten, do të thotë ta vlerësosh  kuptimin e jetës  tek të tjerët, duke qenë së pari I ndershëm me vetveten. Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend ku lindin burra me perceptimin se, edhe sytë kanë cipë himeni! Është fatkeqësi të lindësh  grua në këtë vend ku ‘shikimi I zhvirgjëruar’, merret si fakt tradhëtie nga gjykata supreme e perceptimit të një provinciali patriarkal.

Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend por fatkeqësia më e madhe është të jesh nëna e një burri sidomos kur ai vret, e keqja më e vogël e kësaj është të jesh përfolur në fantazitë perverse të të gjithë shokëve të tij, e pastaj ta pranosh atë për falje.  Është fatkeqësi të lindësh grua në këtë vend, kur rriten burra që nuk dinë të thonë fjalën “më fal”!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar