Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 14.11.2018 07:36
Dilaver Goxhaj

​Mirënjohje, për Ali Aliu – Kelmendi

Prishtinë | 08/11/2018 07:40

Shkruar nga: Dilaver Goxhaj

“Sa ndryshon kuptimi i jetës, kur nis të jetosh jo për vete, po për të tjerët. Jeta pushon së qeni dhe shndërrohet në mjet”. Leon N.Tolstoi

Dihet se heroizmi i çdo klase përbëhet nga qëndrimi heroik i anëtarëve të veçantë të saj. Dhe një nga individët e veçantë të klasës politike shqiptare në ish-Jugosllavi është edhe Ali Aliu-Kelmendi, i cili po përjetësohet këto ditë me monografinë e përgatitur posaçërisht për të, nga anëtari tjetër i këtij legjioni të vecantë të viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, Avni Dehari.

E ndjej për obligim që, mirënjohjen që unë kam për patriotin Ali Aliu, t’ia bëj prezent edhe miqve dhe dashamirëve të këtij atdhetari të madh shqiptar.

Unë nuk kam pasur njohje shumë të thellë për jetën dhe veprën e Ali Aliut, por, kur lexova këtë jetëshkrim të hartuar prej z. Avni Dehari, mësova se jeta e Ali Aliut ka qenë shumë e ashpër, pasi ka qenë një luftë e përditshme, që nuk i nënshtrohej as dobësisë së shpirtit.

Ky jetëshkrim i këtij njeriu të shkëlqyer nuk i drejtohet krylartësisë së ambiciozëve; ky jetëshkrim i kushtohet fatkeqësive të këtij heroi dhe bashkëluftëtarëve të tij;  ky jetëshkrim tregon se Ali Aliu nuk ishte i vetëm në luftën për lirinë e trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi; ky libër na tregon se errësira e atyre trojve është ndriçuar vijimisht nga dritërat hyjnore të Ali Aliut dhe të gjithë legjionarëve të dënuarve politikë shqiptarë të këtyre trojeve nga rregjimi titist.

Madje edhe sot shikojmë të shkëlqejnë dy nga flakadanët më të pastërta në Kosovë: Flaka e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, dhe flaka e heroizmit të armatës së të përndjekurve politikë, me në krye Adem Demaçin, Ukshin Hotin e  Ali Aliu-Kelmendin, të cilët ndezën atë luftë çlirimtare.  

Nëse ky legjion i politikanëve atdhetarë nuk arriti ta zhdukte ërrësirën e dëndur mbi këto troje që i ishin shkëputur atdheut amë, ata i treguan popullit shqiptar të tyre, rrugën se si zhdukej errësira, rrugë të cilën e bënë realitet Adem Jashari me shokë. Kjo është një nga veçoritë më të rëndësishme të historisë për çlirimin e Kosovës.

Le të ecim në gjurmët e tyre, në gjurmët e gjithë atyre që luftuan si ata, me fjalën bombë e me penë, të shpërndarë në të gjithë viset shqiptare nën ish-Jugosllve; dhe më së fundi me pushkë. Pa qenë nevoja t’u drejtohesh veprave të tyre dhe të dëgjosh zërin e tyre, ne mund të lexojmë në historinë e jetës së tyre se jeta është më madhështore, më krijonjëse dhe më e lumtur, në vuajtje. Le të frymëzohemi dhe ne nga vepra e tyre krenare.

Në këtë legjion heroik, le t’i japim vendin e nderit edhe të madhit dhe të dlirit Ali Aliu nga Presheva, i cili bëri ç’ishte e mundur për të qenë njeri i denjë për emërin: atdhetar i shquar.  

Me këtë jetëshkrim, që ka dalë nga botimi këto ditë, nuk bëhet gjë tjetër, veçse ringjallen heronjtë idealistë të atij legjioni të veçantë, dhe nderohen shokët e tyre që janë ende gjallë. Jeta e tyre, një pjesë e së cilës tregohet në këtë libër, pothuajse gjithmonë ka qenë jetë martirësh, të cilët janë ushqyer me bukën e përditshme të përvojës.

Burrëria e këtij njeriu të veçantë, e idealistit Ali Aliu-Kelmendi, i erdhi në ndihmë edhe familjes time, në një moment të vështirë të saj.

Gjatë luftës në Luginen e Preshevës, 2000-2001, nga Shteti amë, në radhët e UÇPMB-së ishte edhe djali im, Dritan Goxhaj, ish oficer karjere i Ushtrisë së Shqipërisë, të cilin e dënoi qeveri e Tiranës, me kryeministër Ilir Metën, me 13 muaj burg, me motivacionin: dezertoi nga ushtria e Republikes se Shqiperise dhe shkoi e luftoi në Kosovë e Preshevë.

Pohoj, se ky ndëshkim u bë edhe me kërkesën këmbëngulëse të ish-drejtuesve kyesorë të UÇK-së, renegatët e pasluftës, në shenjë shpërblimi dhe mirënjohjeje, ngaqë familja jonë ishte e gjithë e angazhuar totalisht me luftën për çlirimin e Kosovës.   

Arrestimi i këtij djali u bë kur ai erdhi në Tiranë për mjekim, dy muaj para se të ndalej lufta në Luginën e Preshevës, dhe pas 9 muajve iu bë gjyqi.

Çuditërisht, gati disa minuta pasi pat filluar seanca gjyqësore, në sallën ku zhvillohej gjyqi vjen një polic dhe njofton trupin gjykues se kish ardhur një plak nga Presheva, i cili këmbëngulte të ishte i pranishëm në këtë seancë gjyqësore, duke mos e treguar arsyen. Trupi gjykues, për fat të mirë, lejoi që plaku prej Presheve të ishte i pranishëm.

Porsa Plaku hyri ne sallë, unë e njohta. Ai ishte Ali Aliu-Kelmendi, i cili, sikundër më tregoi më pas, e kishte mësuar datën e zhvillimit të atij gjyqi përmes mediave të Tiranës e të Prishtinës.

Plaku Ali, pasi na përshëndeti të gjithve duke qëndruar në këmbë, i mbështetur mbi bastunin e tij, u kthye nga trupin gjykues, i falënderoi që ia mundësuan kërkesën, dhe pastaj u tha:

-Lutem, meqenëse ma bëtë këtë nder, a do më lejoni ta puth në ballë këtë djalë dhe pastaj të largohem, ngaqë nuk kam fuqi të qëndroj gjatë?

Trupi gjykues, i bëfasuar nga kjo kërkesë e pazakontë, por ndoshta të ndikuar prej fuqisë urdhëruese që ka mosha e pleqërisë, pasi u konsultuan mes veti, e lejuan.

Dhe Ali Aliu, ashtu çuk-çuk, shkoi tek i pandehuri për dezertim, i cili qëndronte mes dy policëve, mbështeti bastunin në tavolinë dhe i hodhi të pandehurit të dy duart në qafë, e afroi nga vetja dhe e puthi në ballë; mori përsëri bastunin dhe u kthye mbrapsh, duke qëndruar përsëri në mes të sallës; u kthye nga trupi gjykues dhe u tha:

- U faleminderit shumë që ma bëtë këtë nder, duke më dhënë mundësinë që unë të mund ta njihja e ta puthja në ballë këtë djalë. Dhe, meqenëse ma dhatë këtë mundësi, lutem, me lejoni t'ua shpjegoj pse?

Leja iu dha nga kryetari me një lëvizje koke.

- Unë jam nga Presheva. Tanë jeten time, bashkë me shumë bashkëvuajtës të tjerë, kam luftuar me mënyrat që na mundësonte koha, për me çlirue trevat shqiptare, sidomos Preshevën time, dhe me i bashku ato me Shqipninë Londineze. Për këtë edhe jam dënuar me më shumë se njëzet vite burg; por, kur erdhi dita me rrëmby armët, sikundër e shihni, nuk kisha më  këmbë. Por ja që midis të rinjve nga Presheva, Bujanovci e Medvegja erdhën edhe shumë djem nga Kosova, Maqedonia e Shqipnia, madje edhe nga viset e saj më jugore, Laberia, duke u munduar me bë realitet endrrën dhe dëshirën e qindra-mijëra shqiptarëve të vrarë e të burgosur nga Serbia e Jugosllavia. Ju veproni ashtu si u thonë ligjet, politika dhe qeveria juaj, por unë i them ketij djali: Faleminderit shumë, në emër të të gjithë të patriotëve të gjallë, të vrarë e të vdekun, që erdhe me na ndihmu, i gatshëm për të dhënë gjithcka për të çliruar Preshevën time.  Faleminderit! 

 Pasi tha keto fjalë, baca Ali nderoi me grusht, dhe ashtu, çuk-çuk, me bastunin në dorë, u largua nga salla.

Në sallën e gjyqit, e cila ishte cip më cip me njerëz dhe gazetarë, nuk dëgjohej as miza. Edhe pasi doli Baca, heshtja vijoi. Atë e theu kryetari i trupit gjykues, Sokol Çomo, i cili me vështirsi i mbante emocionet, duke na thënë:

- Seanca për sot mbyllet. Ajo vijon nesër, në të njëjtën orë.

Të gjitha ndjenjat mund të të çojnë te dashuria, te pasioni – të gjitha: miqësia, keqardhja, mëshira, madje edhe urrejtja, moskokëçarja, frika, përfshi dhe përbuzia. Por nga të gjitha këto ndjenja, vetëm njera është borxh për njeriun: MIRËNJOHJA!  

Dhe mirënjohja pa urdhëresë, si mirënjohja e Ali Aliu-Kelmendi, ndaj aktit atdhetar të atij luftëtari, është mirënjohja më e mirë dhe më e lartë njerëzore.

Ku Ali Aliu, e ku renegatët binjakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Me këtë mirënjohje, që unë shpreh për atdhetarin Ali Aliun, dëshiroj të marr pjesë në pavdekësinë e tij./ Me rastin e promovimit të monografisë “Ali Aliu-Kelmendi”, me autor Avni Dehari/

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar