Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 15.09.2019 07:14
Dilaver Goxhaj

​“BETEJA E KOSHARES” (VI)

Prishtinë | 02/06/2019 20:05

Shkruar nga: Dilaver Goxhaj

Detyra luftarake e Grupit të Tretë Operativ.“Rrustem Berisha urdhërin e ka marrë drejtpërdrejt prej meje.” Bislim Zyrapi

Në këtë shkrim do të sqarojmë detyrën luftarake që i qe ngarkuar  Grupit të Tretë Operativ (GO-3), i cili më vonë u emërtua “Brigada 138 e UCK-së Agim Ramadani”. 

Në simpoziumin e organizuar nga ish-komanda e GO-3, më 9 prill 2000, komandanti i atij formacioni të UCK-së, z.Rrustem Berisha ka theksuar si më poshtë:
“Nga vlerësimi i përgatitjes profesionale, teknike dhe luftarake, vëzhgimit të detajuar të forcave të armikut, moralit të lartë ushtarak dhe motivit për luftë, Shtabi i Grupit të Tretë Operativ, nën udhëheqjen e shefit të shtabit, Agim Ramadani, që përpiloi planin operativ për heqjen me luftë të kufirit, të cilin e miratova unë, si komandant i këtij formacioni, vendim ky, të cilit jo vetëm nuk i parapriu asnjë urdhër konkret nga cilado anë që thirrej në drejtimin e luftës, por vie nga vetë fakti që si ushtarakë të organizuar në formacione të rregullta ushtarake iu futëm luftës që në qershor të vitit ’98 me veprim në rajonin e gjerë të fshatrave të Junikut, Gjocaj, Jasiq, Voksh etj.”1) 

Edhe ish komandanti i Batalionit të Parë i GO-3, gjeneral Hysen Berisha, qëndron në të njëjtën valë me komandamtin e brigadës përsa i përket detyrës luftarake për këtë njësi taktike: “Doktrina që na ka udhëhequr ne si GO-3 ishte që lufta të filloi në një anë të kufirit dhe të përfundoi me lirinë e Kosovës. Hapja e korridorit të furnizimit nuk ka qenë objektiv i forcave që luftuan në Koshare.”2) 

Mohimin e  pasjes detyrë nga GO-3 për hapjen e korridorit të furnizimit e shprehin pothuajse të gjithë ish-eprorët ushtarakë në përbërje të GO-3, që patën hyrë në Dukagjin në verën e vitit 1998, nën drejtimin e Tahir Zemës dhe që u larguan në fillim të shtatorit të po atij viti, me përjashtim të ish-shefit të Shtabit të GO-3, i cili zevendësoi Agim Ramadanin pas rënies së tij, z.Anton Cuni, i cili thotë: “Çdonjëri e ka pas idenë se duhet me u hap kufiri. Duhej të hapej kufiri për nevoja të ndryshme që të ekzistoi një hapësirë e lirë për të kaluar furnizime nga Shqipëria në Kosovë.”3) 

Personi i autorizuar në emër të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës që i ka vënë detyrën luftarake GO-3, ka qenë z.Bislim Zyrapi, në cilësinë e shefi t të Shtabit të Përgjithshëm të asaj Ushtrie Çlirimtare, i cili pohon një vit pas asaj lufte dhe një muaj pas atij simpoziumi të organizuar nga vetë ish-komanda dhe shtabi i GO-3:

  “Vendosëm që Kosharja të fillonte më parë, me qëllim që sa më shpejt të hapen korridore, por edhe që të mbajnë të angazhuar atje një pjesë të forcave serbe… Njësitë që kanë qenë në Koshare, në drejtim të Drinit të Bardhë, është parashikuar dhe përpunuar më herët si plan për hapjen e korridorreve për furnizimin e ushtrisë për zhvillimin e operacioneve përfundimtare të luftës… Për Kosharen është mbajtur edhe një simpozium.  Por mund të them këtë: Kosharja, apo hyrja në atë drejtim, kanë qenë nën urdhërin tim si ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe askush tjetër nuk ka dhënë leje e as urdhër që të veprohet. Urdhrin drejtpërdrejt prej meje e ka marrë Rrustem Berisha, komandanti i Brigadës 138. Tash shumë njerëz dhe politika të ndryshme thonë kinse komanda ka qenë e kësaj apo asaj politike, ish-ministrisë së mbrojtjes së Bukoshit etj.”4) 

Të njëjtën gjë pohon edhe eprori  i GO-3, z.Agim  Haziri: “Stërviteshim e përgatiteshim për luftën në Kosovë për bartjen e armatimit dhe të municionit nga Shqipëria në Kosovë.”5)  

Po ashtu shprehet edhe eprori tjetër i GO-3, z. Binak Gashi: “Detyra ishte që, me u bë të gjitha përpjekjet që të bashkohen brigadat dhe njësitë e UCK-së mes veti dhe me pjesët e tjera deri në thellësi të Kosovës, përmes pikave dhe vijave të frontit të luftimeve.”6) 

Këto fakte i mbështet edhe përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm pranë komandës së GO-3, z.Nasim Haradinaj, që ua rrëzon këto justifkime zotërinjve Rrustem e Hysen Berisha, i cili thotë: “Kemi pas marrëveshjen me fol për Kosharen vetëm ne të tre, unë, Rrustem Berisha dhe Xhafer Gashi, por Rrustemi e ka thye marrëveshjen. Shtabi i Përgjithshëm dhe Zona e Dukagjinit nuk kanë qenë të kënaqur me ritmin tonë të luftës.”7) 

Edhe ndihmësi i ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi për çështjet e ndërlidhjes, z. Kamer Elezaj, pohon: “ Brigada 138 ka qenë pjesë integrale e UÇK-së dhe kanë vepruar nën urdhrat Shtabit të Përgjithshëm, madje mund të themi se ka qenë brigada që ka komunikuar më së miri me Shtabinë e Përgjithshëm të UÇK-së, ngase edhe i ka pasur kushtet e mira për komunikim. Nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme janë dhënë urdhrat përkatës. 

Sot duket i çuditshëm qëndrimi i një pjese të oficerëve të kësaj brigade, sikurse janë Anton Quni dhe Hysen Berisha, të cilët nuk duan ta pranojnë se Brigada 138 ka qenë nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe se Shtabi i Brigadës i ka pas ndërprerë komunikimin me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës (qeverinë Bukoshi) – gjë për të cilën mund të dëshmoj unë personalisht, meqenëse atëherë kam shërbyer në këtë Ministri, d.m.th. në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, si ndihmës i ministrit për çështjet e ndërlidhjes.”8)
Të njëjtën gjë pohojnë edhe dy nga kuadrot më të larta politike të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës:

Jakup Krasniqi: “Kosharja objektiv ka pasur hapjen e një korridori, për të furnizuar çdo pjesë të Ushtrisë Çlirimtare me armatim, gjë që nuk ashtë bërë, por nuk ashtë bërë për shkak të grumbullimit të madh të forcave të mëdha që Serbia i kishte vendos në kufirin shqiptaro-shqiptar.”9)  

Xhavit Haliti: “Beteja e Koshares ka qenë për të fut armatime dhe ka qenë përgatit edhe një kontigjent i madh armatimesh.”10)   

Atëherë, cili duhet të jetë qëllimi i këtij unisoni për mohimin e detyrës kryesoreluftarake, që kishte marrë GO-3 (Br.138) para se të fillonte sulmin për hapjen e korridorit të furnzimit Koshare-Drini i Bardhë?

Përgjigjia është shumë e thjeshtë: Të gjithë këta ushtarakë profesionistë, me në krye komandantin e GO-3, z.Rrustem Berisha, përmes këtij mohimi duan të justifikohen para Atdheut, për mos kryerjen e detyrës luftarake, me qëllim që të mos japin llogari para drejtësisë. 

Dhe, për ta bërë bindëse se nuk kishin për detyrë hapjen e atij krridori për furnizim të formacioneve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës brenda në Kosovë si dhe të popullsisë, që ishte shpërngulur drejt zonave të mbrojtura nga UCK-ja, këto ditë nxorrën ish-shefin e Shtabit të GO-3, z.Anton Cuni kur flet me nëntekst, në komentin që i bëhet filmit të RTS (PTC) gjatë transmetimit nga RTK3, ku deklaroi: “Sulmi u ndërmuar vetëm me 84 forca kundër një batalioni kufitar serb. Forcat serbe u tërhoqën në panik dhe u përgjysmuan.”11) 

Këtë sasi luftëarësh për atë fitore12) na e konfirmon edhe eprori Naim Loshi. 
Por kur sulmuan dhe sa zgjati sulmi i këtyre 84 forcave? 

Këto forca sulmuan në orët e para të mëngjesit të datës 9 prill 1999, deri në ora 09.00 të datës 10 prill, kur mbritën në vijën e tyre të sulmit forcat e ardhura nga Qendrsa Stërvitore e Helshanit, sikundër tregon oficeri tjetër Agim Haziri.13) 

 Me këtë deklaratë, përmes gojës së z.Anton Çuni, këta zotërinj duan të na thonë, se ajo detyrë është realizuar vetëm me 84 ish-pjestarët e Brigadave 131 dhe 134 të Zonës III Operative “Dukagjini” të vitit 1998. Me të cilëm duan të na bindin, se janë këto forca që kanë çliruar Kosovën. Dhe si e kanë çliruar? Duke bërë “heqjen me luftë të kufirit”; duke krijuar një hapësirë të lirë me gjatësi e thellësi 15 x 6 km përmes“Betejës afro tre ditë të Koshares me luftime të rrepta.”14), sikundër shprehet një prej atyre eprorëve të saj. 

Mbi bazën e këtij “suksesi”, këtë luftim 24 orësh ata e kanë cilësuar: “Beteja kryesore dhe fitimitare në Koshare u zhvillua më 9 prill 1999, kur edhe u rrënua për herë të parë guri famëkeq që ndante shqiptarët dhe tokën e tyre.”15) 

Me këto thënie, ata duan të na bindin se kjo paska qenë detyra luftarake e GO-3!
I pyesim këta zotërinj oficerë profesionistë: Çfarë u fitua me zotërimin e kësaj sipërfaqeje 15 x 6 km, në të cilën nuk përfshihej as edhe një lloj qendre banimi?
Dhe ja se si e kanë përgatitur qysh herët përgjigjen këta zotërinj: “Kishim një qëllim, një strategji tjetër kryesore: Mbrojtjen e kufirit në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë, nga se aty ishin të vendosura forcat e UÇK-së të këtij Grupi Operativ.”16) 

Mirëpo, nuk bëhet e ditur që dikush nga instancat e larta nga jua vareshit t’ua ketë dhënë këtë detyrë për mbrojtjen e këtij kufiri, ndërkohë që Republika e Shqipëisë kishte një Division të tërë Këmbsorie të komanduar nga gjeneral Kudusi Lama, me ndihmën e të cilit ju të GO-3 mundët të kapnit këtë sipërfaqe.17) 

Dhe përsëri ata na përgjigjen: “E kemi marrë vetë këtë detyrë.”, shprehur kjo edhe nga vetë komandanti Rrustem Berisha: “Ne si ushtarë dhe e prorë të Br.131 dhe eprorë dhe luftëtarë të Brigadës 134...si dhe njësia vëzhguese diversioniste “Delta” u treguam të gatshëm që të rreshtoheshim në Grupin Operativ 3, një njësi taktike-luftarake, që formohet për kryerjen e misioneve të veçanta luftarake, çfarë është edhe Lufta e Koshares.”18) 

Dhe vetëlëvdimi për këtë lloj “fitoreje” arrin kulmin, kur vetë komandanti i Grupit Operativ 3 deklaron gjithë pompozitet në atë simpozium u e patën nderuar zotërinjtë Agim Çeku e Ramush Haradinaj: “Kjo betejë në të ardhmen mund të shërbejë si burim doktrinor për ndërtimin e ushtrisë së Kosovës.”19)(?!)

Të gjitha këto përgjigje dhe vetëmburrje nuk përkojnë aspak me realitetin; këto janë përpjekje për t’iu larguar përgjegjësisë ligjore. GO-3, i cili ka marrë më pas edhe emërtimin “Br.138 e UCK”, nuk ka pas këtë detyrë luftarake që këta pretendojnë dhe, sikundër e pamë, nuk është aspak e vërtetë ajo që na thotë  komandanti i GO-3, se gjoja “nuk i parapriu asnjë urdhër konkret nga cilado anë që thirrej në drejtimin e luftës.”20)

Të nderuar profesionistë ushtarakë të GO-3, mos u mundoni të mbuloni Diellin me shoshë. Detyra luftarake ngarkuar formacionit tuaj luftarak ka qenë ajo që ka theksuar ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, z.Bislim Zyrapi. 

Duhet të jeni të ndërgjegjshëm, se ky bojkotim i detyrës luftarake nga ana e juaj përbën vepër penale, dhe këmbëngulia e juaj për ta mohuar atë detyrë luftarake, na detyron t’i drejtohemi  Presindentit të Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi: Për këtë lloj “heroizmi” i keni dekoruar komanduesit kryesorë formacionit luftarak GO-3, zoti President?

(vijon)
Tiranë, më 31 maj 2019
REFERENCAT:
1. Muhamet Çetta “Me UÇK-në në Koshare”, v.2, f.261-262
2.Hysen Berisha, intervistë në emisionin “debat plus”, 16.4.2019
3. Anton Çuni intervistë në emisionin “debat plus”, datë 2 maj 2019
4. Revista javore “Zëri”, nr.1739, 27 maj 2000,f.20-25
5. M. Çetta, vepër e cituar, v.1, f.88 
6. (M. Çetta, vepër e cituar v.1,f.131-132
7. Nasim Haradinaj, intervistë në“debat plus, 17.4.2019  
8. https://www.facebook.com/kamer...
9. Jakup Krasniqi, intervistë në “debat plus”, 3 maj 2019
10. Xhavit Haliti, intervistë në “debat plus”, dt.17.4.2019
11. Anton Çuni gjat komentimit të filmit të RTS (PTC) 
12. M. Çetta, vepër e cituar, v.2,f.44
13. M. Çetta, vepër e cituar, v,1, f.88
14. M. Çetta, vepër e cituar, v.2,f161
15. M. Çetta, vepër e cituar ,v.1,f.86
16. M. Çetta, vepër e cituar, v.1,f.84
17. M. Çetta, vepër e cituar, v.2,f.159
18. M. Çetta, vepër e cituar, v.2,f.262-263
19. M. Çetta, vepër e cituar, v.2,f.264 
20. M. Çetta, vepër e cituar, v.2, f.261-262

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar