Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.01.2018 08:35
Dilaver Goxhaj

​19 vite më parë fjala dhe pushka u bëmë bashkë

Prishtinë | 03/01/2018 11:50

Shkruar nga: Dilaver Goxhaj

Të shkruash historikun e Luftës Çlirimtare në Kosovë nuk është një punë e lehtë dhe as nuk mund të bëhet shkel e shko.

Ashtu si çdo lloj punë tjetër letrare, edhe historia e kësaj lufte kërkon kujdesin më të madh, në qoftë se duam të krijojmë një përmendore të përjetshme për atë luftë dhe forcën e saj kryesore goditëse, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të shkruarit e historisë nuk ka lirinë e poezisë, thjesht vullnetin e poetit. Historia, sikur të mbështetet thjesht në vullnetin e X a Y personi do të katandisej në një prozë poetike e asgjë më shumë. Historia ka vetëm një detyrë e një qëllim – vetëm të vërtetën. Dhe kjo e vërtetë duhet të mbështetet kryesisht në arkiva, në ditare, në botimet dhe shkrimet mbarëshqiptare të kohës përkatëse si dhe në kujtimet e protagonistëve dhe dëshmitarëve të asaj kohe. Por, më të rëndësishmet janë arkivat.

Dhe arkivat më të rëndësishme për të përpiluar historinë e plotë të asaj lufte çlirimtare janë arkivat e forcave politike të kohës si dhe e dokumentacionit të formacioneve ushtarake të UÇK-së dhe ato të institucioneve të propagandimit të asaj lufte çlirimtare.  Aktualisht lexuesit i është dhënë në dorë arkivi i organit propagandistik “Çlirimi” i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (por jo ai I vetë partis të atij organi), ai i Radio “Kosova e lirë” dhe së fundi ai i agjencisë së lajmeve “KosovaPress”.

Ngritja brenda në Kosovë e institucioneve propagandistike të fuqishme për luftën çlirimtare, sikundër ishin ai i agjencisë “KosovaPress”, njëkohësisht me Radio “Kosova e Lirë”, në 4 janar 1999, vinte pas katërmbëdhjetë muajve luftë çlirimtare në shkallë të gjerë, ose, që të jemi edhe më konkretë, pas tetë muajve si pat filluar dalja publikisht e zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ai edhe “zëdhënës dhe përfaqësues politik i UÇK-së”, Jakup Krasniqi, sikundër thuhet në lajmin e orës së parë të kësaj Agjencie Lajmesh dhe të  Radio “Kosova e Lirë”), përbën një nga ngjarjet historike më të rëndësishme të asaj lufte çlirimtare në Kosovë. Pararendëse e tyre, në ilegalitet të thellë, kish filluar vite më herët dhe propagandonte për të rrëmbyer armët kundër pushtuesit broshura “Çlirimi” e LKÇK-së.

Pavarësisht se ngritja e këtyre dy institucioneve mediatike ishte me shumë vonesë, por edhe kur u ngritën ishin më se të domosdoshme, për faktin se bënë kompensimin urgjent të mos-ekzistencës të një udhëheqje të organizuar politike të Luftës Çlirimtare në Kosovë të shtrirë në të gjithë vendin, si dhe të vetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngritjen e“Kosovapress” dhe radio “Kosova e Lirë i bënte edhe më të domosdoshme ekzistenca tepër aktive e propagandaës pacifiste, që predikonte rezistencë jo të dhunshme, saqë edhe ato vetë nuk i besonin; e megjithatë  ato organe i bënin thirrje popullit që të mos përkrahte çdo kundërveprim të dhunshëm kundër policisë dhe ushtrisë së dhunshme serbe. Predikimi i tyre ishte: përgatituni të vuani, ndryshe na shtyp Serbia. Mirëpo, kjo propagandë nuk ngjall urrejte ndaj pushtuesit; pa urrejtje krahët s’kanë forcë të rrokin armët. Ndërsa çdo argument i radio “Kosova e lire” dhe agjencisë “Kosovapress” do ta bënte diagnozën e çlirimit shumë bindëse, e cila ishte në funksion të rrokjes së armëve si nevojë për veprim me luftë të armatosur.  

E veçanta e veprimtarisë së këtyre dy institucioneve qëndron në faktin se radio “Kosova e Lirë” bënte informimin e formacioneve të UÇK-së dhe të popullit në Kosovë, për luftën që zhvillohej dhe propagandimin e saj; ndërsa agjencia “Kosovapress”  bënte informimin e opinionit ndërkombëtar e kombëtar, si dhe të gjithë diasporës shqiptare në botë. 

Çasti historik i deshtë këto dy institucionet e propagandimit për të gatitur popullin për luftë domosdoshmërisht edhe më herët se të kërciste pushka e formacionit të parë luftarak i UÇK-së, pasi broshura “Çlirimi” ishte shumë e rrallë periodikisht dhe shpërndahej individualisht e ilegalisht, gjë që ishte e pamjaftueshme. 

Domosdoshmërinë e ekzistencës së një institucioni të tillë të fuqishëm propagandistik e ka konformuar përvoja e gjithë luftërave çlirimtare, pasi “Luftërat nuk fitohen vetëm në fushat e betejave. Duhet të dish të shfrytëzosh të gjitha marifetet e propagandës.”, sikundër thotë Napoleon Bonoparti. 

Para çdo gjëje, luftës çlirimtare në Kosovë i nevojitej të paktën një gazetë periodike që të botohej e shpërndahej brenda në Kosovë, ndoshta edhe javore. Pa atë organ, sikundër e tregoi praktika, ishte e pamundur zhvillimi sistematik i një propagande dhe agjitacioni parimor e të gjithanshëm, i cili do të përbënte detyrën e përhershme dhe kryesore të udhëheqjes politike të luftës çlirimtare, veçanërisht kur në shtresat më të gjera të popull në Kosovë e jashtë saj ishte ngjallur e krijuar gjithnjë e më shumë bindja se zgjidhja e çështjes së Kosovës mund të bëhej vetëm me luftë të armatosur. 

Mungesa e propagandimit të organizuar të Luftës Çlirimtare në Kosovë, në të gjithë territorin e vendit, kundër Armatës së madhe e të fuqishme të Serbisë, (një shtet shumë i konsoliduar dhe me përvojë lufte gati dhjetë vjeçare dhe e mbështetur nga shumica e shteteve të Evropës), bëri të mundur që të zinte vend propaganda anti UÇK, jo vetëm në Evropë e SHBA por edhe në opinionin e mbarë kombit shqiptar, se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një ushtri terroriste”.  

Parimisht dihet që luftërat çlirimtare e kanë fillesën me njësitet ilegale guerile në qytete dhe fshatra, dhe padyshim që këto konsiderohen edhe elementë terrori. Ai është një nga veprimet ushtarake që mund të jetë krejt i dobishëm, bile edhe i domosdoshëm në çaste të caktuar të luftës për çlirim kombëtar, në një gjendje të caktuar të terrorit të pushtuesit, në një gjendje të caktuar të ushtrisë e policisë së tij, sikundër ishin p.sh. aksionet e udhëhequra e të kryera nga Heroi i Kosovës Zahir Pajaziti. Por thelbi i çështjes qëndron pikërisht në faktin se ky lloj “terrori” në Kosovë nuk u paraqit aspak si një nga operacionet e ushtrisë çlirimtare në krijim e sipër, apo i lidhur ngushtë dhe i koordinuar me tërë sistemin e luftës, por si një mjet sulmi i veçuar, autonom; ato aksione të Zahirit ishin një mjet lufte që thjeshtë çorientonte forcat policore të pushtuesit, të cilat ishin ato që bënin terror ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.  

Për të kuptuar pasojën e mos-ekzistencës së një institucioni të fuqishëm propagandistik në interes të luftës për çlirim kombëtar, sikundër ishin agjencia e lajmeve “Kosovapress” dhe të radio “Kosova e Lirë”, mjafton të kujtojmë ngjarjet e vitit 1998: lufta jonë çlirimtare si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike e organizative vuante për arsye të copëtimit të saj, për arsye se të gjithë komandat e nënzonave dhe zonave operative ishin zhytur pothuajse krejt në luftë thjeshtë lokale, e cila ngushtonte edhe horizontin e tyre, edhe përpjesëtimet e veprimtarisë së tyre, edhe përvojën dhe  përgatitjen e tyre në punën e planizimit të luftimeve. Pikërisht në atë copëtim duhen kërkuar rrënjët më të thella të shpartallimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në verën dhe fillim vjeshtën e vitit 1998. 

Dhe hapi më i mirë dhe më adekuat në rrugën e zhdukjes së kësaj të mete, në rrugën e shndërrimit nga luftë lokale në një luftë të vetme për gjithë Kosovën, ishte krijimi i agjencisë “KosovaPress” dhe radio “Kosova e Lirë”.

 Këto dy institucione, si dhe broshura “Çlirimi”, nuk u ngritën të propagandonin thjeshtë zgjidhjen parimore të çështjes së popullit shqiptar që jeton në Kosovë, skundër po bënte propaganda pacifiste, por flisnin për zgjidhjen praktike të saj; këto institucione filluan të bënin qysh ditën e parë të funksionimit si të tilla jo vetëm sqarimin e popullit e të vullnetarëve të formacioneve të UÇK-së se për çfarë ishte e domosdoshme UÇK-ja, por po e sqaronin popullin në Kosovë dhe tërë kombin shqiptar me planin e kësaj luftë çlirimtare, e cila synonte të shkonte deri në bashkimin e Kosovës me shtetin amë.
Pa këto institucione politike nuk mund të merrej me mend në Evropën e shekullit të XX se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte thjeshtë një “tërësi bandash rivale”, sikundër propagandonte shtypi i forcave politike të djathta në Prishtinë e Tiranë si dhe të gjitha mediat në Serbi, por ishte një lëvizje çlirimtare kombëtare që meritohej të quhej një organizatë e mirëfilltë ushtarako-politike. Pa këto institucione do të ishte e parealizueshme mbështetja ndërkombëtare e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe bërja e saj më vonë aleate e aleancës Ushtarako-Politike e NATO-s. 

Përmes këtyre dy institucioneve që e filluan aktivitetin e tyre në 4 janar 1999 u arrit gradualisht të përgënjeshtroheshin të gjitha etiketimet dashakeqe kombëtare e ndërkombëtare përkundrejt UÇK-së, por edhe e demaskimit të gjendjes së vërtetë të terrorit ushtarako-policor të Serbisë në Kosovë, si dhe u hodh hapi tjetër: zgjimi në të gjitha shtresat pak a shumë të ndërgjegjshme të popullit pasionin e demaskimeve politike pacifiste. Kështu që agjencia e lajmeve “KosovaPress” dhe radio “Kosova e Lirë” u shndërruan në tribunë nga e cila mund të flitej për të vërtetën e asaj lufte, - populli tashmë kishte një auditor që e dëgjonte me vëmendje, e cila inkurajonte oratorët propagandistikë të luftës me armë – se populli filloi të shohin faktikisht një force ushtarake të tillë, të clës ia vlente t’i drejtoheshin nëse donin të luftonin kundër ushtrisë e policisë pushtuese e gjakatare serbe. Dhe prej atëherë e gjithë kjo propagandë filloi të ndryshoi  me një shpejtësi të habitshme. 

Fillimi nga puna i institucioneve agjitative e propagandistike, “KosovaPress” dhe radio “Kosova e Lirë, ishte shndërrimi i luftës në Kosovë në luftë mbarë kombëtare për çlirim, dhe populli shqiptar tashmë ishte i gatshëm jo vetëm që t’i dëgjonte dhe të përkrahte thirrrjen  për luftë çlirimtare, por edhe filloi të hidhej masivisht me guxim në luftë.
Por roli i agjencisë së lajmeve “KosovaPress” dhe radio “Kosova e Lirë” nuk kufizohej vetëm me përhapjen e ideve për çlirim dhe vetëm me edukimin politik dhe me tërheqjen e aleatëve politikë shqiptarë e ndërkombëtarë. Këto dy institucione si dhe broshura “Çlirimi” nuk ishin vetëm një propagandë kolektive dhe një agjitacion kolektiv, por edhe një organizator kolektiv. 

Nga kjo pikëpamje e fundit ato mund të krahasohen me skelat, të cilat ngrihen rreth e përqark një godine që është në ndërtim e sipër dhe të cilat caktojnë konturet e godinës, lehtësojnë lidhjet midis ndërtuesve të veçantë, i ndihmojnë ata të ndajnë punën dhe të shohin rezultatet e përgjithshme, të arritura nga puna e organizuar. Elementët e parë të kësaj “skele” i hodhi broshura “Çlirimi”.

Me ndihmën e këtyre dy institucioneve, të drejtuara nga Berat Luzha e Ahmet Qeriqi atëherë u formua plotësisht dhe ashtu siç duhej një organizatë e përherëshme solide me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila nuk do të bënte më luftë lokale, por luftë të organizuar e të rregullt në tërë territorin e Kosovës, një organizatë që do t’i mësonte të gjithë luftëtarët e asaj ushtrie çlirimtare të ndiqnin me vëmendje ngjarjet politike në Kosovë, në Evropë e më gjerë; të çmonin rëndësinë e tyre dhe ndikimin që po bënte lufta e tyre në shtresat e gjera të popullit; të përpunonin metodat dhe taktikat e luftimit përmes përvojës agjitative të këtyre dy institucioneve propagandistike, me anën e të cilave Ushtria Çlirimtare e Kosovë arriti të ushtronte ndikimin e vet mbi institucionet politike e diplomatike ndërkombëtare e kombëtare. 

Agjencia “KosovaPress” dhe radio “Kosova e Lirë” porsa filluan nga aktiviteti i tyre, siguruan furnizimin e rregullt me materialet nga terreni dhe bota me përhapjen e rregullt të tyre, duke krijuar një rrjet gazetarësh si në frontet e luftës dhe qytetet në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Evropë e në SHBA, të cilët njihnin gjendjen e atjeshme ku vepronin dhe i raportonin në kohë. Ky rrjet gazetarësh në frontet e luftës, në qytetet e Kosovës dhe jashtë saj formoi skeletin pikërisht të asaj organizate që nevojitej: mjaft të madhe, që përfshinte gjithë Kosovën; mjaft të gjerë e të gjithanshme; mjaft konseguente, përmes të cilit Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe gjithë formacionet e saj të dinin në çfarëdo rrethanash, në çfarëdo “kthesash” politike dhe të papriturash, ta zhvillonin pa rreshtuar luftën çlirimtare; mjaft elastikë, që arritën të ishin në gjendje, nga njëra anë, t’i shmangnin luftimet frontale e në fushë të hapët kundër një armiku shumë më superior kur ai përqendronte shumë forca në një pikë, dhe nga ana tjetër,  u aftësuan të përfitonin nga ngathtësia e formacioneve të armikut duke e sulmuar atë atëherë dhe atje, ku më pak se kudo gjetkë e prisnin sulmin. Një rol të madh për arritjen e kësaj shkalle gatishmërie e zhvilluar nga Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës u takon edhe emisioneve të Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencisë “

KosovaPress”, duke u bërë të gjithë komandantët e gjithë rendimeve të saj luftarake jo vetëm propagandistë të mirë e të zotë, por edhe organizatorë më të shkathët, udhëheqës ushtarakë e politikë më të talentuar, të aftë që në çastin e duhur të drejtonin formacionin e tyre luftarak për sulm vendimtar e ta udhëhiqnin atë, duke u mbështetur sa më pak në të papriturat, duke mos u kapur në befasi nga kurrfarë “kthesash politike”. 

Detyra e institucioneve propagandistike të asaj lufte çlirimtare ishte edhe që të paralajmëronin popullin me tërë energjinë e tyre për rëndësinë e rrëmbimit të armëve nga i gjithë populli dhe të mbushnin rrathët e formacioneve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si mjetin kryesor dhe themelor të luftës, nga e cila anonin shumë e shumë njerëz jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë diasporën shqiptare. Dhe asnjëherë në Kosovë nuk ishte ndjerë me një forcë kaq të madhe nevoja e plotësimit të agjitacionit të shkëputur – që bëhet me anën e ndikimit personal, të trakteve, komunikatave, broshurave etj., - me agjitacionin e përgjithësuar e të rregullt, i cili mund të bëhej vetëm me ndihmën e organeve të ngjashme me institucionet që u ngritën në 4 janar 1999. Por ngritja e këtyre dy institucioneve e bënte këtë agjitacion e propagandë shumë e më shumë herë se shtypi periodik, 24 orë në 24 orë në çdo skaj të Kosovës. 

Mund të themi pa e tepruar se ngritja e  agjencisë “KosovaPress” dhe e radio “Kosova e Lirë” i dha luftës sonë një dinamizëm tepër jetik, duke bërë të mundur edhe mbështetjen ndërkombëtare. Dhe nuk ishte rastësi që  menjëherë sa u bë prezent përmes këtyre dy institucione, tre ditë pas funksionimit të tyre, shkëmbimi i robërve midis UÇK-së dhe Ushtrisë së shteti të Serbisë, të cilat njoftuan mbarë opinionin vendas e atë ndërkombëtar se Ushtra Çlirimtare e Kosovës, përmes këtij shkëmbimi kish arritur të bëhej forca kryesore politike e ushtarake në Kosovë. Atëherë diplomacia ndërkombëtare lëvizi me një urgjencë të jashtëzakonshme për të organizuar një mbledhje ndërkombëtare, Rambujenë, me qëllimin e vetëm: për ta shuar urgjentisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila do t’u prishte të gjitha planet që ajo diplomaci ka pasur e ka për trojet shqiptare. Ishin këto dy institucione që e ngritën në këmbë diplomacinë ndërkombëtare, pasi i bënë prezente aftësinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Masën kryesore të UÇK-së e përbënin vullnetarët dhe kryengritësit që kishin vuajtur nëpër kazimatet e ish-Jugosllavisë. Në periudhën kur u instaluan këto dy institucione propagandistike të Luftës Çlirimtare në Kosovë, si ushtri të përhershme kishim 6 zona operative me 26 brigada luftarake, mirëpo as këto nuk ishin të informuara se çfarë veprimesh luftarake kryenin brigadat e zonave të tjera operative, prandaj dhe nuk ishin të lidhura midis tyre ashtu sikundër ishte e domosdoshme të ishin. Kur këto dy institucione filluan nga funksionimi, sikundër e theksuam më lart, lufta në Kosovë arriti që gradualisht të drejtohej në mënyrë të centralizuar tërësishtë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili jo vetëm që urdhëronte, por tashmë edhe kontrollonte veprimtarinë e formacioneve të saj si dhe mbajti bahkëveprimin luftarak midis kësaj ushtrie dhe Komandës së NATO-s. 

Dhe të gjithë këtë veprimtari ushtarako-politike të këtyre institucioneve politikë propagandistkë, agjensisë “Kosovapress”, radio “Kosova e lirë” dhe broshura “Çlirimi” gjithkush e gjen në botimin e arkivit të gjithë veprimtarisë së tyre, e cila përfshihet në  9 (nëntë) vëllime voluminozë:  3 (tri) libra arkivi i radio “Kosova e lirë” botuar në vitin 2009, në 4 (katër) libra arkivi i agjnsisë “Kosovapress”, botuar në vitin 2016 dhe në 2 (dy) libra arkivi i LKÇK (“Çlirimi”) botuar në vitin 2000. 

Botimi i këtyre tre arkivave të institucioneve propagandistike të Luftës Çlirimtare në Kosovë, që vepronin brenda territorit të Kosovës, është bërë me nismën dhe përpjekjet individuale të ish-drejtuesve të tyre gjatë luftës, e cila është një ndihmesë e jashtëzanshme për hitorikun e asaj lufte çlirimtare. Por vetëm botimi i këtyre tre arkivave nuk mund të jetë i plotë par hartimin e historikut të asaj lufte çlirimtare.

Shpresojmë se nuk do të jetë e vonët dita që ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të zonave e brigadave luftarake, të cilët kanë gati 20 vjet në krye të pushtetit në Kosovë, të  botojnë dokumentat luftarake të atyre shtabe lufte, si dhe vendimet e udhëheqjes së LPK-së, për të dalë në dritë se si ajo e organizoi dhe realizoi udhëheqjen strategjike të Luftës Çlirimtare të Kosovës, si dhe vendimet e udhëheqjes së  LKÇK-së; por edhe ato të udheheqjes së LDK-së dhe të partive satelite të saj politikë që ishin në opozitë me LPK-në e LKÇK-në, dokumentat kryesore të tyre që kanë pas lidhje me luftën që po zhvillohej në vitet 1997-1999. Vetëm botimi i gjithë këtyre arkivave do të mundësonte hartimin e saktë e të plotë të luftës për çlirimin e Kosovës./ Autori është Vullnetar në radhët e UÇK-së /

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar