Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 19.05.2019 03:34
Diana Toska

​Tetova – guximi për shpresë

Prishtinë | 18/02/2019 16:39

Shkruar nga: Diana Toska

Gjaku dhe lotët, që ujitën themelet e Universitetit, e bënë edhe më të fortë e më të çmueshëm përjetësimin e UT. E, udhëtimi i atyre lotëve, ishte e gjithë historia e pashkruar.

RETRO Tetovë, 15 shkurt 1995

Dukej sikur Universiteti u kishte dhënë shpirt edhe gurëve dhe maleve të Pollogut. Në fytyrat e qytetarëve po mbretëronte atmosferë lumturie. Shihej një gëzim i tensionuar, ndërkohë që qyteti me rrethinë ishte duke u mbikëqyrur e kontrolluar nga tërë aparati shtetëror policor e ushtarak. Mbi çdo ndërtesë të lartë, snajperistët ishin në gjendje gatishmërie, ndërsa në mesin e turmës ishin futur sigurimcat me veshje civile, që regjistronin lëvizjet e të pranishmëve. A kishte frikë? Po! Por, në ato momente vendosmëria e ideali mbisundonin çdo ndjenjë. Ato ishin më të fuqishme se të gjitha tanket maqedonase, që shiheshin gjithandej. Shqiptarët kishin vendosur që fjalën natë ta zëvendësojnë me fjalën ditë, për ta shprehur fatin e tyre të mëtejmë. Tetova kishte përgatitur atmosferë madhështore për të pritur shqiptarët nga të gjitha trojet etnike.  Para objektit të Bashkësisë Lokale ishte vendosur një tribunë. Aty ishin të gjithë: udhëheqësit e tri partive politike shqiptare, deputetë, kryetarë komunash, inteligjenca shqiptare... Të gjithë rrinin gatitu prapa rektorit të UT, dr. Fadil Sulejmani dhe para më se 20.000 dashamirëve të arsimit, si garanci se të zgjedhurit e tyre ishin me popullin.

Ora 12

Nën rrezet e diellit të Sharrit, jehoi një zë i fuqishëm, që theu heshtjen mortore, e cila mbretëronte në qytet. Vigani i arsimit, dr. Fadil Sulejmani, që kishte marrë mbi supet e veta rrezikun, sypatrembur, publikisht dhe solemnisht, do të shpallë të hapur Universitetin e Tetovës. Duartrokitje frenetike e të gjata, urime e përqafime, lot gëzimi, përmbushje ideali, bashkim e unitet i politikës dhe i popullit shqiptar. Për snajperistët maqedonas ky ishte fillimi fundit të Maqedonisë.

16 shkurt

Më 16 shkurt, në Poroj, në praninë e forcave të shumta policore, të armatosura deri në dhëmbë, por nën mbrojtjen e mijëra qytetarëve shqiptarë, filluan ligjëratat e para të Fakultetit Filologjik dhe të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Tetovës..

17 shkurt

Më 17 shkurt, pasdite, në Reçicë të Vogël, policia maqedonase sulmoi turmën e xhematit në mënyrën më barbare, me të gjitha mjetet policore, që kishte në disponim, derisa ishte duke përfunduar një ceremoni mortore. Ky mort “nxiti” policinë dhe u bë “shkas” që ajo të tërbohet edhe më shumë, të vrasë Abdylselam Eminin, të riun shqiptar pa pikë faji dhe, të plagosë mbi 100 të tjerë, të bastisë e të plaçkitë shumë shtëpi, me pretekst të kërkimit të armëve. E burgosën rektorin me disa profesorë e veprimtarë dhe rrënuan tri herë shtëpinë, ku ishte paraparë të fillonte mësimi. Qeveria e Maqedonisë, nxori disa konkluzione, me të cilat e shpalli antiligjor Universitetin e Tetovës dhe ndaloi çdo aktivitet rreth tij. Ndërsa, veprimtarët - Fadil Sulejmanin (rektor), prof. Milaim Fejziun (kryetar i Senatit, Arben Rusin (ligjërues), Musli Halimin, Nevzat Halilin e shumë profesorë, studentë e qytetarë të tjerë, që e ndihmuan themelimin e Universitetit, i burgosi dhe i dënoi me nga 30 ditë dhe me nga 2 vjet e gjysmë burgim. Qyteti i studentëve nuk u mposht. Gjaku i Abdyselamit e bëri edhe më unik e më të fortë të vazhdojë betejën e dritës mbi errësirën dhe, me shumë sakrifica, arriti ta jetësojë këtë ideal. Gjaku dhe lotët, që ujitën themelet e Universitetit, e bënë edhe më të fortë e më të çmueshëm përjetësimin e UT. E, udhëtimi i atyre lotëve, ishte e gjithë historia e pashkruar.

UT-ja, projekt gjithëpopullor

Lajmi për hapjen e Universitetit të Tetovës kishte depërtuar në çdo shtëpi dhe ishte bërë pjesë e një gëzimi kolektiv. Shqiptarët në Maqedoni për herë të parë po e sfidonin sistemin unitar maqedonas dhe po instalonin sistemin e tyre përmes këtij institucioni të lartë arsimor, duke hapur kështu edhe Kutinë e Pandorës për sa i përket të drejtave të tyre kolektive. Pikërisht, UT-ja do të bëhet në vitet pika më neuralgjike, ku thyheshin shtizat ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. U hapën shumë shtëpi e objekte të tjera për mbajtjen e ligjëratave të para. Popullata shqiptare filloi ta hap qesen e vet me aq sa kishte. Diaspora, si gjithnjë kur bëhet fjalë për projekte kombëtare, është aty e para. Dhuronte në bazë të mundësive. Shumë gra hoqën nga qafa pesëlirshet e nusërisë. Pleqtë, paratë e destinuara për haxhillëk, i derdhën në arkat e UT-së. Kjo ishte nisma e misionit më të lartë të intelektualëve shqiptarë për ta mbajtur gjallë këtë vatër të dijes. Në Televizionin “Toska” do të ftohen mysafir, rektori Fadil Sulejmani e Milaim Fejziu. Ata do të apelojnë, do të thërrasin në përkrahje, do të kërkojnë ndihmë, duke folur për rëndësinë që duhet të vazhdohet t’i jepet UT, për t’iu kundërvënë dorës së hekurt e për t’i mbijetuar grushtit të pushtetit. Babai im kishte qenë ditë më parë dhe kishte vizituar disa shtëpi, ku po zhvillohej mësimi. Ishte mërzitur shumë. Po thoshte se fëmijët po mërdhijnë në klasë. Nuk kishin kurrfarë nxemje. Fadili e Milaimi ishin pajtuar që babai të blente termongrohëse, si ndihmë UT-së. Shkeputur nga Libri „Maqedonia ne Gazetarine Time“


Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar