Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 26.05.2019 02:18
Berat Zhinipotoku

​Individët brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, kundër vlerave të luftës së UÇK-së!

Prishtinë | 22/03/2019 22:13

Shkruar nga: Berat Zhinipotoku

Luftën kundër vlerave të luftës së UÇK-së, në mënyrë të paskrupullte po e bëjnë disa zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilët përmes Udhëzimeve Administrative në Kosovën e lirë, po vazhdojnë ti zbatojnë idetë serbe të regjimit të Millosheviqit, me të cilat po ua cenojnë dhe mohojnë qytetarëve të drejtat e garantuara ligjore.

Këtë po e bëjnë Udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve dhe Udhëheqësi i Divizionit të Skemave Pensionale të Kosovës. Ata në kundërshtim me procedurat ligjore pa asnjë paralajmërim e as vendim(vendimet janë marr pas ndërprerjes së pensioneve), ua ndërprenë pensionet pensionistëve të TMK-së, pensionisteve të FSK-së dhe pensionet kontributpaguese Familjarëve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës së UÇK-së, të cilët për disa javë i maltretuanë duke mos u dhënë me kohë vendimet për arsyen e ndërprerjes së pensioneve.

Për çudi, pas një kërcënimi me bombë në objektet e departamentit të pensioneve, iu bë pagesa e pensioneve(në mënyrë retroaktive), vetëm pensionistëve të TMK-së dhe FSK-së, ndërsa familjarët e Dëshmorëve dhe Invalidët e luftës së UÇK-së, i detyruan të heqin dorë nga pensionet e tyre si Familjar të Dëshmorëve, dhe si Invalid të luftës së UÇK-së, të cilëve iu lejua vetëm realizimi i Pensioneve Kontributpaguese(shih vërtetimet).

Familjarët e Dëshmorëve dhe Invalidët e luftës së UÇK-së, u diskriminuan dhe padrejtësisht ju mohua një e drejtë të cilën ua njeh ligji.

Këto veprime të papërgjegjshme të këtyre zyrtarëve, Familjarët e Dëshmorëve dhe Invalidët e luftës së UÇK-së, i përjetuan si vrasje për së dyti, tani nga shteti për të cilin bijtë e tyre nuk e kursyen as jetën, ndërsa invalidët i lanë gjymtyrët e trupit të tyre.


Mohimi i kësaj të drejte dhe ndërprerja e pensioneve kontributpaguese Familjarëve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës së UÇK-së, pa asnjë paralajmërim, ua cenoi mirëqenien familjare, të cilët në një takim me zyrtarët e MPMS-së, të revoltuar u kishin thënë:

"Po na vrajnë për së dyti këta qena, e ne me atë pension po i mbajmë fëmijët e Dëshmorëve, e po na vjen marre në pleqëri me u bë horë e me dalë në televizor, se kurrë nuk kishim hjekë dorë".

"Këta pisa po na thonë hiqni dorë nga njëri pension nëse doni me marrë tjetrin, sepse dy pensione nuk ju takojnë. E ju thash, njërin e kam fitu me djersë e tjetrin me gjak, kallxom nga cili me hjekë dorë?"

Pas kësaj padrejtësie që po u bëhej për të realizuar të drejtën në pension kontributpagues të moshës dhe të drejtën në shfrytëzimin e pensioneve të tjera të aplikueshme në Kosovë, Familjarët e Dëshmorëve dhe Invalidët e luftës së UÇK-së, kishin paraqitur ankesë edhe te Avokati i Popullit, duke ja bashkangjitur të gjitha faktet dhe dëshmitë lidhur me ndërprerjen pa të drejtë dhe pa asnjë paralajmërim të pensioneve kontributpaguese.

Për këtë çështje Avokati i Popullit, kishte hartuar një Raport me Rekomandime (A.nr.890/2016 me datë:27/02/2018), drejtuar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, me qëllim që të tërheqë vëmendjen e saj, që qytetarëve t’u ofrohet mundësia e garantuar ligjore dhe kushtetuese në shfrytëzimin e pensioneve kontributpaguese si e drejtë në pronë, duke i argumentuar se ushtrimi i të drejtës në pension kontributpagues të moshës paraqet ushtrim të së drejtës në pronë, në bazë të nenit 1, Protokollit nr.1, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit përmes raportit vlerëson se kufizimi i të drejtës në shfrytëzimin e pensionit kontributpagues të moshës ose ndonjë pensioni tjetër nga shteti, përkundër faktit se plotësohen kushtet e përcaktuara sipas ligjit, paraqet shkelje të së drejtës së pronës e cila assesi nuk mund të kushtëzohet.

E drejta për të gëzuar pensione, në veçanti e drejta në pension kontributpagues, është një e drejtë e fituar (acquired right), që paraqet një doktrinë juridike sipas të cilës një e drejtë e fituar në bazë të normave ligjore të caktuara nuk mund të kufizohet me ligje apo akte të nxjerra më vonë. Doktrina e së drejtës së fituar lidhet ngushtë me parimin e sigurisë juridike. Prandaj, kufizimi i të drejtës në gëzimin e pensionit kontributpagues në bazë të nenit 8 të Ligjit Nr.04/L-131, për skemat pensionale të financuara nga shteti, shkel parimin e sigurisë juridike për shkak se kjo e drejtë është fituar në bazë të ligjeve të mëparshme për pensionet dhe nuk mund të ndryshohet me asnjë ligj tjetër.

Përkundër të gjitha fakteve që janë në favor të Familjarëve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës së UÇK-së, si dhe rekomandimit të Avokatit të Popullit, se veprimet e zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përbëjnë diskriminim dhe shkelje të së drejtës së pronës e cila assesi nuk mund të kushtëzohet.

Për fat të keq deri më tani adresimet e këtij diskriminimi dhe shkeljet e të drejtës së pronës, nuk kanë hasë në mirëkuptimin e vendimmarrësve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe pasojat e këtyre veprimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve të Departamentit të Pensioneve, vazhdojnë ti bartin Familjarët e Dëshmorëve dhe Invalidët e luftës së UÇK-së.

Heshtja dhe mosveprimi i vendimmarrësve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, po ma vrasin ndërgjegjen, andaj u detyrova që përmes këtij shkrimi publik ta ngriti edhe njëherë këtë shqetësim me të vetmin qëllim për të kërkuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tua kthej pensionet e garantuara me ligj Familjarëve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës së UÇK-së.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar