Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 22.05.2019 09:56
Berat Zhinipotoku

​Idetë e regjimit të Millosheviqit për mohimin e Arsimit Shqip për periudhën pas vitit 1990, vazhdojnë të implementohen nga institucionet e Republikës së Kosovës!

Prishtinë | 10/03/2019 20:45

Shkruar nga: Berat Zhinipotoku

Është trishtim kur e sheh se si në institucionet e Republikës së Kosovës vazhdon implementimi i ideve të regjimit të Millosheviqit për mohimin e Arsimit Shqip për periudhën 1991/99, edhe përkundër faktit se ky shqetësim është ngritur nëpër të gjitha instancat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, madje edhe në Kuvendin e Kosovës!

Kjo ide e regjimit të Millosheviqit për mos njohjen e diplomave të arsimit shqip për periudhën 1991/99, buron nga një pjesmarrës në tubimin e Millosheviqit në Kosovë, i cili në takimet regjionale (mars 2011), edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (korrik 2010), lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vazhdon ta përfaqësoj Republikën e Kosovës me Rezolutën 1244.

Ideja për mos njohjen e diplomave të arsimit shqip për periudhën 1991/99, është kundër Kushtetuese dhe kundërligjore, dhe si e tillë edhe është kundërshtuar me kohë nga disa zyrtarë brenda departamentit të pensioneve në MPMS-së, mirëpo fatkeqësisht gjeti përkrahës të shumtë, dhe në Dhjetor 2015, arriti të zbatohet me nënshkrimit Udhëzimit Administrativ për kategorizimin e pensioneve kontributive sipas strukturës kualifikuese, Nr.09/2015 të ish-Ministrit Arban Abrashi.

Paragrafi 5 i nenit 5 të këtij Udhëzimi Administrativ, i përjashton diplomat e të diplomuarve pas datës 01.01.1991, ku decidivisht thotë: Të gjitha dëshmitë për kualifikim, të përcaktuara nga paragrafët 2, 3, 4, të këtij neni, duhet të jenë para datës 01.01.1991, që do të thotë se të gjithë atyre që e kanë kryer shkollën e mesme, shkollën e lartë dhe fakultetin dhe kanë diplomuar pas datës 01.01.1991, nuk iu njihen diplomat.

Paragrafi 5 i nenit 5 të Udhëzimit Administrativ 09/2015, është në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit 04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, në të cilin ekziston vetëm përkufizimi i datës para 01.01.1999, e jo data para vitit 1991, siç është te kriteri i vendosur në paragrafin 5 të nenit 5, i cili është diskriminues dhe kundërligjor, pasi që i përjashton diplomat e periudhës 1991-1999, për të cilën periudhë të gjithë e dimë se me çfarë sakrifice është zhvilluar Arsimi Shqip.

Në ligjin Nr. 04/L-131, askund nuk figuron data 01.01.1991, por përkundrazi, neni 8, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, thotë: duhet të ketë stazh pensional kontributdhënës para datës 01.01.1999. Poashtu edhe paragrafi 6 thotë: Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999, punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës.

Javën e kaluar u miratua edhe një ligj i veçantë për njohjen e kontributit të dhënë për arsimin shqip në Republikën e Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri nē vitin shkollor 1998/99, i cili ua njeh statusin e punëtorëve të arsimit shqip, diplomat e të cilëve nuk njihen nga të njëjtat institucione. 

Paramendoni një i punësuar i cili ka qenë absolvent i universitetit dhe pas vitit 1981 ka qenë i burgosur politik për shkak të politikës diskriminuese serbe, i cili pas lirimit nga burgu kishte diplomuar pas vitit 1991, atij paragrafi 5 i nenit 5 të U.A. 09/2015, ia mohon diplomën me arsyetimin se data e diplomimit është pas vitit 1991, përkundër që stazhi i sigurimit pensional pranohet deri në vitin1999 duke përfshirë edhe arsimin shqip edhe pse nuk janë paguar kontributet.

Andaj i shqetësuar nga vazhdimi i zbatimit të ideve të Millosheviqit nga Departamenti i Pensioneve në MPMS, për mohimin e diplomave të Arsimit Shqip pas vitit 1990, kërkoj nga Ministri i MPMS, që sa më parë ta ndërpres këtë shkelje që po bëhet përmes Udhëzimit Administrativ Nr.09/2015, për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensioneve kontributeve sipas strukturës kualifikuese, duke e larguar datën 01.01.1991, nga paragrafi 5 i Nenit 5 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015, i cili është i pa bazuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasiqë i përjashton diplomat e periudhës 1991-1999, dhe në vend të saj të vihet data 01.01.1999, në përputhje me Ligjin nr.04/L-131, i cili periudhën e arsimit shqip e njeh si stazh pensional edhe pse nuk janë paguar kontributet, me çrast do të njiheshin edhe diplomat e Arsimit Shqip, për të cilin të gjithë e dijmë se me sa mund është zhvilluar.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar