Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 09.12.2019 11:16
Bedri Halimi

​Mesazhi i organizimit spontan të Kosovës pas tragjedisë së Shqipëri

Prishtinë | 30/11/2019 14:48

Shkruar nga: Bedri Halimi

Të gjithë ndjemë keqardhje dhe dhembje deri në palcë për pasojat e tërmetit në Shqipëri. Edhe për humbjet e njerëzve, edhe për shkatërrimet materiale.

Organizimi spontan që ndodhi si me sustë në Kosovë, mahniti jo vetëm opinionin e brendshëm por edhe atë ndërkombëtarë. Kur kësaj ti shtohet edhe reagimi i shpejtë i njësive të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, si dhe niveli i lartë profesional i këtij reagimi, kjo e bën ‘mrekullinë’ nëse mund të thuhet brenda kësaj tragjedie.

Organizimi për ndihma, solidariteti për të hapur dyert për banorët e prekur të Shqipërisë nga tragjedia është tregues më vete i shpirtmadhësisë, i shpirt bardhësisë dhe atdhetarizmit të popullit të Kosovës. Është e vërtetë, se këtë shpirtmadhësi, shpirtbardhësi dhe atdhedashuri, popullata e Shqipërisë përgjithësisht dhe shteti Shqiptar veçanërisht e ka shprehur moti ndaj Kosovës gjatë luftës së saj. Është gabim të mendohet sikur tani Ksovarët po u’a kthejmë borxhin, sepse borxhli ndaj njëri-tjetrit jemi tërë jetën.

Mesazhi i këtij organizimi spontan, që u bë para reagimit të politikanëve, është në faktin se nga zemrat e njerëzve të tërë hapësirën gjeografike shqiptare, u fshinë kufijtë formal-fizik, dhe tashmë u bë një ndjenjë më e madhe e bashkimit shpirtëror. Edhe nëse në kokën e ndonjë individi në Kosovë, deri në periudhën e luftës ishte ndonjë mendim i gabuar rreth popullatës apo edhe sjelljeve të njerëzve të popullatës në Shqipëri, rasti i luftës, i bindi përfundimisht këtë mendësi të këtyre individëve kosovarë, gjë që e bëri ta ndërronin mendimin për Shqipërinë dhe popullin e saj.

Në anën tjetër, edhe element të caktuar në Kosovë që mund të ishin fërkuar me UDB-në në çfarëdo forme, në momentin e fundit kur Serbia i fshiu me fshesë kosovarët, ata strehimin e gjetën në Shqipëri. Kjo ndikoi përfundimisht që në Kosovë mendimi për Shqipërinë të ndërronte për të mire edhe te këta individë.

Ndërkaq në Shqipëri, në periudhën fillestare pas rënies së monizmit, nga Kosova patën shkuar në Shqipëri, disa njerëz kryesisht të filtruar përmes UDB-së. Pra UDB-ja individë të caktuar i infiltroi në Shqipëri, me detyra të caktuara: që të silleshin keq; që të bënin veprime të cilat do ti iritonin popullatën në Shqipëri; që të bëhej ndonjë ngacmim seksual ndaj ndonjë vajze në Shqipëri; që të propagandohej duke gënjyer gjoja për gjendjen përrallore ekonomike që e paskeshin njerëzit në Kosovë, etj etj. 

Natyrisht këto veprime nuk ishin pritur mirë, te një pjesë e popullatës së pa informuar në Shqipëri. Por shkuarja e njerëzve të mëvonshëm, dhe sjelljet e tyre, si dhe veçmas gjatë luftës dhe pas saj, ndikuan që të ndërrohej përfundimisht ky imazh negativ. Kurse rasti i fundit, i homogjenizimit pas kësaj tragjedie të tërmetit, është tregues që i jep vulë çdo gjëje, edhe nëse në kokën e dikujt akoma ka mbetur ndonjë dozë rezerve.

Pra misioni i reagimit kolektiv të popullit të Kosovës, është për të treguar jo vetëm ndjenjën e dhembjes, e të humanizmit, por edhe të atdhedashurisë, dhe krenarisë Kombëtare.

Gjithsesi këto sjellje janë një hap më tej rreth bashkimit jo vetëm shpirtëror.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar