Follow Us

*KYQU SQ EN
*staurday, 18.08.2018 05:56
Bashkim Fazliu

​Historianët idilik - romantik dhe falsifikimi i historisë

Prishtinë | 12/06/2018 07:48

Shkruar nga: Bashkim Fazliu

Në këtë 140 vjetor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po marr shkas shkarazi t'ua them troç disa fjalë shkurt e shqip, sidomos Historianëve që po i quaj "historian romantik": MOS NA RRENI!

Duhet ta pranojmë një fakt: Historikisht, shqiptarëve përherë na ka dalë gjumi vonë dhe asnjëherë nuk kemi qenë protagonist as për fatin tonë! Kjo pasi përherë të tjerët na i kanë pre 'teshat'! Kjo ka ndodhë edhe me Lidhjen e Prizrenit, 140 vite më parë (megjithë respektin e madh që kam për atë grusht intelektualësh e patriotësh të kohës), kjo Lëvizje ishte e vonshme e formuar pas Kongresit të Berlinit, ku veq na kishin pre 'teshat'. 

Dhe derisa ne po organizoheshim, veq ishin formuar dy shtete të reja Serbia dhe Mali i Zi, në shumicën e territoreve tona, prapë se prapë shqiptarët kishin kërkesa minimaliste - Autonomi brenda Perandorisë Osmane - pra nuk kishin kërkuar Pavarësi sikur shtetet e reja, por donin ta ruanin atë krijesë të sëmurë të Bosforit - që është paradoks i kohës. Që kemi qenë spektatorë kjo ka ndodhë edhe në Konferencën e Londrës, 1913, megjithëse ne ishim të fundit që shpallëm Pavarësinë (1912) nga Perandoria Osmane, ku pati edhe lëvizje të tilla haxhiqamiliste që jetojnë edhe në ditën e sotme - me dëshirën që të kthehej "Baba" (iu duket e njohur në këto vite të shek.21). Kjo ka ndodhë edhe në atë të Parisit (1919), ku mezi falë Amerikës mbajtëm atë mini-Shqipni. E ma bërrllog besa e kemi ba në Luftën e Dytë Botërore duke pasur luftë civile brendashqiptare (1943 e tutje), derisa fqinjët tanë përgatiteshin për ripushtimin e tokave tona, ndërsa ne kishim mundur bashkërisht t'i kthenim edhe ato të pushtuarat më parë. Historianët më tepër i kishin glorifikuar disa analfabetë komunista se sa krye-intelektualin e kohës, djalin e njërit prej prijësve të kësaj lëvizje, pra Mithat Avdyl Frashërit (e sot na shesin pallavra).

Edhe ma bërrlog e bënë në Shqipëri kur në vend se të lidheshin me botën euro-perendimore, u lidhën me Rusinë - nënën e problemeve tona shekujt e fundit! Ta përsëris - U LIDHËN ME RUSINË dhe e mbajtën Stalinin të fundit në këmbë deri në vitin 1990!!! Në vitet 89-90, derisa shkatërrohej Jugosllavia, shqiptarët kërkonin Republikë brenda Jugosllavisë ashtu sikur në 2001-in shqiptarët në Maqedoni kërkonin ta ruanin Maqedoninë (edhe sot nuk e dimë për çka u ba ajo luftë atëherë?). Edhe komunizmi në Shqipëri ra i fundit, ashtu si përherë, duke iu dalë gjumi vonë, shumë vonë. Dhe së fundmi por jo nga të gjitha, po veçoj se nuk ishim protagonist as 19 vite më parë me Marrëveshjen e Kumanovës - ku ende nuk e di saktë asnjë shqiptar se çfarë 'tesha' na kanë pre aty.

Problemi me historianët tanë është se shumica nga ata nuk janë historian real, por janë historian idilik, romantik. Kam respekt për një grup shumë të vogël të historianëve shqiptar që janë studiues të vërtetë, të cilët gërmojnë sikur minatori thellë e më thellë e jo vetëm sipërfaqësisht!

Nëse deri sot e kemi rrejtë veten mijëra herë e përherë jemi ngulë, atëherë le të marrim mësim bile një herë në historinë tonë dhe tutje mos të lejojmë t'na dalë gjumi vonë! Ndoshta një kohë na janë nevojitë ata historianë romantik për t'na mbajtur shpresën gjallë, duke na hiperbolizuar si komb. Por në kohën e tashme, nuk kemi nevojë më për të tilla hiperbolizime e romantizma, por kemi nevojë për të ditur faktet dhe historinë e vërtetë, në mënyrë që rrugës tutje t'mos i përsërisim gabimet shekullore. Ne kemi nevojë të ecim me këmbë për toke dhe t'i dijmë shumë mirë se kend e kemi mik e kend armik të përjetshëm! Duhet të dijmë që t'i ngulim mirë antenat e kthyera kah Perendimi dhe mos të lejojmë turli fryme me na kthy sipas qejfeve të individëve e politikanëve klandestinë! Një herë e përgjithmonë, duhet të dijmë gjithë shqiptarët një PROGRAM MBARËKOMBËTAR SHQIPTAR kudoqofshim e jo të defragmentarizohemi gjithnjë e më shumë!

Sigurisht se për këto tema mund të shkruaj libër të gjatë dhe nuk mund t'i përmbledhi në një shkrim të thukët! Por le ta marrin të shumtë si koncept paralajmrëues për një betejë të re!

Intelektualët që nuk kanë guxim - nuk meritojnë të quhen intelektualë - bilez duhet t'ju vie turp!

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar