Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 26.04.2017 12:24
Bahri Bivolaku

​Si do të dëshiroja ta shoh PDK-në në vitin 2017?

Prishtinë | 20/04/2017 10:05

Shkruar nga: Bahri Bivolaku

Zgjedhjet lokale po afrohen dhe obligimet gjithsesi rriten dhe Kosova e vitit 2017 vërtetë pret që partia lidere në Kosovë të ofroj kuadro që politikën konkurruese e fillojnë jo me minuse apo hipoteka, jo me lider klasik të udhëheqjes së tejkaluar. Është koha për menaxherë të mirë.

Viti 2017 do të jetë vit që do të karakterizohet me së paku tri sfida të mëdha në vend. Do të jetë vit, ku do të qartësohet produkti nga bisedimet në Bruksel dhe pozicioni politiko-partiak karshi këtij produkti, pastaj mundësia e hapjes së perspektivës europiane të vendit dhe qëndrimi rreth këtij pozicioni të ri politik si dhe sfida kryesore, ajo e fillimit të ndërmarrjes së hapave të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës. 

PDK-ja përballë këtyre sfidave si parti lidere në vend ka obligimin dhe përgjegjshmërinë për të sforcuar strukturën organizative e kadrovike për të pasur çasje edhe më të avancuar, veçanërisht në raport me anëtarët dhe simpatizantët e vet. Duhet rritur komunikimi empatik, duke rritur e ngjallur edhe kulturën proaktive të të vepruarit krijues në strukturë. 

Sinergjia dhe komunikimi çlirojnë energjitë krijuese individuale dhe sot qytetaria e ndjen këtë si nevojë. Liderët e partisë këtë vit duhet të zbresin shpesh në bashkëbisedimet me anëtarët e partisë së tyre e pse jo edhe me qytetarë, të komunikojnë me ta për këto procese, në mënyrë që kjo qytetari ta ketë ndjenjën e proaktivitetit. Përgjegjësia për besimin e marrë në udhëheqje të nivelit partiak, por dhe institucional qoftë në nivelin lokal a qendror gjithsesi duhet të rritet.

Duhet të përfundoj koha për ata individë që nuk kanë performonacë pozitive karshi mundësisë së ofruar për të dhënë shembullin pozitiv tek të tjerët nga puna e tyre. Duhet liruar nga përfituesit aksidental apo epizodik, të cilët jo vetëm që nuk i sjellin ndonjë të mirë partisë, por irritojnë veprimtarët, pasi të tillët veç përfitimeve për vete dhe rrethin e tyre që fare s’kanë lidhje me subjektin, nuk shohin gjë tjetër. Duhet braktisur politikat lokale, ku dikush shfrytëzon pozicionin e marrë nga të qenurit në subjekt për punësime e privilegjime tejmase të familjarëve, nipave, mbesave, djemëve e vajzave të miqëve të dikurshëm, favore të ndryshme dhe po ata të punësuar, pastaj e shajnë e e fyejnë më vonë si partinë, ashtu edhe qeverisjen. Kjo irriton anëtarësinë, andaj këtu edhe duhet kërkuar përgjegjshmëria.

Zgjedhjet lokale po afrohen dhe obligimet gjithsesi rriten dhe Kosova e vitit 2017 vërtetë pret që partia lidere në Kosovë të ofroj kuadro që politikën konkurruese e fillojnë jo me minuse apo hipoteka, jo me lider klasik të udhëheqjes së tejkaluar, i cili ka dëshirën që rreth vetes të ketë servilë të dukshëm e të cilët me këtë servilizëm mbulojnë djallëzinë vepruese të përfitimeve. Është koha për menaxherë të mirë, të cilët zhvillojnë politika të tilla ku e mira shpërndahet racionalisht e jo lider klasik dhe burokrat të zyrave me modele të autoritetit dhe absolutizmit.  

Në rrethin nga vij njoh shumë të tillë që në pozitën që janë, janë fryt i këtyre privilegjeve të fituara nga këto lidhje, por as që i takojnë këtij subjekti e ca të tjerë gjersa kanë marrë pozicionin e synuar si fryt nga politika, janë deklaruar si të tillë e me të marrë më nuk e njohin subjektin, nga i cili edhe përfituan. Të tillët harrojnë përgjegjësinë, pasi nuk janë lodhur për të arritur tek caku individual. Shembulli i tyre jo vetëm që nuk sjellë kualitet të ri apo votë të re, por irriton elektoratin e gjertanishëm dhe stabil të ngritur me mund e sakrificë. 

Në PDK-në e vitit 2017 do të dëshiroja të ketë sa më shumë politikanë që politikën e ndjejnë sikur punën e kopshtarit të mirë, i cili mbjellë fidanet, ujit, i mbron nga sëmundjet, barishtat e ndryshme, kultivon me devotshmëri dhe në fund korr frytet e dëshiruara. PDK-në e vitit 2017 e shoh si parti edhe më të virtytshme, ku bartësit e funksioneve partiake, qoftë si në qendër a degë marrin përgjegjësitë sipas fisnikërisë së origjinës, fisnikërisë së mendimit e ndjenjave. Struktura e mirë politike e gatshme për ballafaqimin me sfidat e vitit 2017 nuk duhet kërkuar tek servilët apo ata që fitojnë postet me hipokrizi apo forma të tjera, por duhet kërkuar tek anëtari shpirtlartë nga dija e fituar e autoriteti i ngritur nga e djeshmja me vizion të qartë për të nesërmen e të pasnesërmen. 

PDK-ja e vitit 2017 duhet të mbledhë e strukturoj njerëzit, të cilët nuk e kuptojnë politikën vetëm si aktivitet e propagandë parazgjedhore apo pjesë e luftës për pushtet, t’i mbledhë para vetes njerëzit që politikën e shohin si art të administrimit të përspektivës së gjerë, si art i dijes për të djeshmen dhe të sotmen, e mbase edhe të pasnesërmes. Udhëheqësit e PDK-së si politikanë të lirisë, besoj ta kenë guximin për ta hequr dhëmballën e prishur

Gjatë realizimit të këtij vizioni gjithsesi do të shfaqen edhe pengesa qoftë në rrafshin nacional apo lokal të organizimit mund të shfaqen pakënaqësi dhe me të cilat nuk e vlen të merresh. Kritika zakonisht shtyn të kritikuarit të kundërsulmojnë me dhe pa arsye dhe me këtë rast marrja me gjera të tilla të rikthen prapa. Mendoj që anëtarësia dhe qytetarët në vend të kritikave e sharjeve publike presin nga të përzgjedhurit e tyre t’i shohin më shpesh e të bisedojnë me ta, t’u dëgjojnë mendimet e tyre për proceset nëpër të cilat po kalon vendi i tyre. Partia e tillë hap kursin e ri të bërjes së politikës dhe qeverisjes sipas modelit dhe mentalitetit evropian. Politika në thelb të programit të saj synon ta ketë dinjitetin njerëzor si pikënisje, gjersa krijon ambient që kundërshtitë të zhvillohen me dinjitet njerëzor. 

Anëtarët e PDK-së, por dhe qytetarët e krejt vendit kanë shprehur shenjat se po fillojnë të ngopen me politikën e sotme që ende bazën e diskutimeve e ka tek e kaluara. Ata kanë filluar të vënë në dyshim kontributin e politikës në zhvillimin e vendit pikërisht nga mungesa e dëgjimit të tyre dhe qartësia e vendosjes së kufirit se ku mbaron politika e fillon diçka tjetër. 

Veseli dhe të tjerët si liderë pragmatist politik e kanë mundësinë për të bërë kapërcimin kualitativ politik e qeverisës në Kosovë me promovimin e kursit të ri politik, duke i dhënë gjallërinë dhe kreativitetin e saj për t’u zhvilluar nga diskutimet mes përdorimit racional të kapitalit që ka vendi dhe nevojave të qytetarëve. PDK-ja duhet ta ketë guximin ta heq dhëmballën e prishur sipas modelit të kësaj anekdote: “Ankohet njëri për dhëmballë. A fort po të dhemb a?-e pyet shoku. Mjaft shumë, më mbyti-ia kthen ai. Me qenë e imja, kisha me hjek-i thotë shoku. Edhe unë kisha me hjek, me qenë e jotja-i tha ai”. 

Dikush duhet të filloj me heqjen e dhëmballës e këtë e bënë lideri I paisur me vyrtytin e guximit, para se dhëmballa e prishur të shpërndahet tek dhëmbët tjerë. Tek politikanët e lirisë shoh guximin si virtyt për ta bërë këtë hap.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar