Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 17.09.2019 03:39
Azem Syla

​Hysen Ahmet Zogjani – i pa lodhur dhe i pandalshëm – apelon për vigjilencë

Prishtinë | 27/06/2019 15:20

Shkruar nga: Azem Syla

Kanë kaluar 21 vjet nga ajo ditë e kindapimit të dëshmorit të atdheut Hysen Ahmet Zogjani nga fshati Harilaq – Fushë Kosovë. Por kanë kaluar nuk di sa vjet që ai konsiderohet se nuk është më i gjallë, pasi mendohet se është vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe. Por nuk dihet vërtetë çfarë ka ndodhur me këtë luftëtar. Nuk dihet sa është mbajtur i gjallë. Nuk dihet sa është torturuar. Nuk dihet sa është masakruar.

Ashtu sikurse nuk dihet kur është mbytur në torturë a është pushkatuar a varur. Por një gjë dihet mirë. Hyseni ka pasur informacion të shumtë, ka njohur të gjithë krerët e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ka ditur bazat e fshehta më kryesore të ruajtjes së armatimit e të strehimit të veprimtarëve e luftëtarëve të çështjes kombëtare. E në gjithë këtë njohje që ai kishte asgjë nuk u zbulua, çka tregon për qëndresën e tij heroike para torturave, duke mos treguar asgjë, duke mos u dhënë serbëve as edhe një bazë të vetme. 

Një fakt i tillë e bën Hysenin madhështor në rrjedhën e luftës për çlirim. E bën Hysenin një figurë të spikatur, që megjithëse nuk e dimë se sa e si është torturuar, dimë mjaftë saktë se si ai ka qëndruar i pa lëkundur para torturuesve të tij. Këtë e tregon vetë fakti që unë sot jam gjallë dhe pa asnjë moment vështirësie a kërkese në atë kohë, kur po të kishte treguar Hyseni mund të kisha pësuar unë, por edhe shumëkush tjetër nga familja e nga fisi Syla.

E fillova me veten, pasi mendoj se unë do të isha e duhet të isha ai të cilin edhe mund ta kishte sakrifikuar për të mbrojtur të tjerët. Por ai i mbrojti dhe i la të pa prekur të gjithë. Ky është një tregues i forcës së tij morale e shpirtërore. Ky është treguesi i ndjenjës së tij atdhetare dhe i besimit që kishte se lufta duhet e do të vazhdonte edhe pa të edhe pas tij dhe se liria ishte në rrugën e ardhjes. Ky është tregues i qartë i besimit që kishte Hyseni te bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e tij.

Hyseni u kindapua vetëm rreth 200 metra në të dalë nga banesa në Dardani, me 22.06.1998. Del nga banesa rreth orës 17.00, pa dhënë ndonjë informacion të zgjeruar, por thjeshtë duke thënë se po dilte për të blerë diçka. Ashtu sikurse kishte thënë se do të kthehej rreth orës 17.30, pasi në atë kohë ishte momenti kur ishin lajmet shqip për t’u dëgjuar.

Nuk kthehet më. Nuk e dimë edhe a e kreu apo nuk e kreu detyrën që kishte në atë moment. Okularët, që e kanë parë ngjarjen në ato momente, thonë se ishin të vendosur dy postëblloqe ushtarake deri te sahati. Në këto postëblloqe ushtarake kuptohet që i ndalnin kalimtarët, i kontrollonin, i maltretonin, i godisnin, i shtynin, i grabisnin e në mjaftë raste i merrnin me vete, ndoshta edhe për të mos u kthyer më kurrë.

Kështu do të ndodhë edhe me Hysenin. Atë e ndalon postëblloku i parë i ushtrisë e policisë dhe pasi e kontrollojnë e maltretojnë e lënë të lirë për të vijuar rrugën. Kur vjen pranë postëbllokut të dytë, përsëri e ndalojnë, e kontrollojnë, e maltretojnë, por edhe nuk e lëshojnë. Ata pasi merren me të për një kohë, ku askush nuk e di se çfarë kanë biseduar dhe çfarë problemesh janë trajtuar, do ta marrin me vete me gjithë makinën, me të cilën ishte nisur në detyrën a në hallin e tij. E marrin dhe ma nuk kthehet. Familja dhe të gjithë kompetentët që merren me zbardhjen e të pagjeturve nuk kanë arritur deri tani të sigurojnë asnjë shenjë gjetjeje për të, për të arritur të krijohet një pamje më e qartë e asaj se çfarë ka ndodhur me këtë veprimtar e luftëtar të pandalshëm.

Familja e Hysenit, nëna Zoja Syla – Zogjani, babai Ahmet Zogjani ishin në vitet 1970 bazë e strehimit dhe mbrojtjes së sigurt të literaturës së ndaluar nga shteti jugosllav e serb në atë kohë. Por që për shqiptarët ishte gjë me vlerë të veçantë, pasi na mësonte si të duam atdheun e kombin, ku ishte atdheu ynë dhe çfrë priste ai nga ne. Cili ishte kombi ynë, çfarë historie e lavdie kishte e çfarë duhet të bënim ne që ta lartësonim atë lavdi.

Hyseni edhe më herët për veprimtari atdhetare do të bjerë në sy të organeve të pushtuesit. Por ai asnjëherë nuk u ndal.

Prej vitit 1987, ishte simpatizant i yni dhe na ka shoqëruar gjithë kohën, në udhëtime nëpër Kosovë, natën dhe ditën, bile edhe në Maqedoni. Unë e kam pasur si një ndihmës të pa lodhur. Në çdo kohë ai do të dinte t’i kryente detyrat që i jepeshin pa u ndjerë i lodhur.

Në gjithë atë hapësirë kohore 11 vjeçare të veprimtarisë së tij intensive në interes të atdheut e kombit, Hyseni ka kryer detyra me rëndësi të veçantë. Ai ka lëvizur në gjithë Kosovën e jashtë saj me dërgesa teknike, ngarkesa me mjete propagandistike e deri te armatimi dhe municionet për luftëtarët, te vizitat te shokët (grupet e luftës) së UÇK-së, në shumë anë të Kosovës. Ashtu sikurse ka shoqëruar e ruajtur mjaft nga udhëheqësit e veprimtarisë atdhetare e luftarake.

Në dy raste ka dërguar porosi, dërgesa lufte pranë grupit të luftëtarëve të komandantit legjendar Adem Jashari. Në njërin rast që e kujtoj mirë, takimi njëherë është bërë te fushat e Polacit. Për këto veprime në atë drejtim më mirë e më të plotë e ka informacionin Nait Hasani, pasi ai ka qenë i ngarkuar për të mbajtur kontakte të pa ndërprera me grupin e Adem Jasharit.

Po kështu Hyseni ka punuar edhe me grupin e Ferizajt, ku ka qenë i ngarkuar me dërgesa e porosi të Shtabit të Përgjithshëm, në kontakte me Rexhep Bislimin e Vezir Jasharin.

Ashtu sikurse ka kryer mjaft detyra në kontakt edhe me Xheladin Gashin – Plakun. Po kështu edhe me Xhavit Halitin (Zekën) në Shqipëri.

Ka përcjellë Sokol Bashotën (Zgatën), Mua dhe Kadri Veselin (Lulin). Shumë herë më ka shoqëruar me makinë të tij. Na ka dërguar deri në Babaj të Bokës – Gjakovë, në kufirin me Shqipërinë, për të pritë dhe marrë armatim për luftën. Kujtoj me këtë rast se në këtë anë bazë ishte shtëpia e Zenel Sadikut (Zeneli, bashkëshortja dhe Arbeni atëherë 17 vjeç, ishin gjithnjë në pritje e përcjellje të luftëtarëve e të dërgesave për luftëtarët.

Hyseni sipas nevojës gjithëherë ka mbajte lidhje edhe me shokët në Maqedoni. Ai i dinte të gjitha rrugët që luftëtarët e veprimtarët i shfrytëzonin për të hyrë e për të dalë në Kosovë. Në çdo kohë ishte i gatshëm për të lëvizur e për të kryer detyrat. 
Pra Hysen Zogjani, pak ditë para se të merret nga forcat serbe ishte në Shqipëri ilegalisht dhe ka kontaktuar me Xhavit Halitin (Zekën) dhe me oficerë shqiptar, të cilët ishin të angazhuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare.

Në gjithë atë ndërmarrje të tij, Hyseni ka krijuar në portret të përsosur veprimtari e luftëtari. Ai nuk ka pyetur kurrë se si mund ta kryente detyrën që merrte. Me rëndësi ishte të dinte se cili ishte misioni. Se si do ta kryente mënyrat, rrugët, mjetet i siguronte vetë dhe në afatin e urdhëruar, do të raportonte se detyra u krye.

Tashmë janë bërë shumë kohë prej ndalimit të tij. Por qoftë edhe thjeshtë me këtë rënie të pa ditur të tij, Hyseni edhe sot apelon për vigjilencë. Ai na tregon se Serbia dhe serbet, janë akoma me ato mendësitë e tyre fashiste, përderisa edhe sot pas 20 vjet çlirim, i mbajnë të fshehur të vrarët që na i kanë grabitur. Por edhe njëherë theksoj, se edhe me këtë mënyrë rënie Hyseni i ka bërë shumë nder Kosovës, atdheut e Kombit, Ushtrisë Çlirimtare dhe luftës së saj heroike.

Hyseni ka aktivitet, angazhim dhe detyra të kryera. E në fund rënie heroike pa e cenuar aspak luftën dhe luftëtarët e vendit të tij.

Do ta ruaj në kujtesë gjithnjë ashtu siç ishte, të qeshur, të pa frikësuar kurrë, të pa lodhur kurrë, të saktë, të qartë, të thjeshtë, pa u ndalur në rrugën e tij.

Komisioni për vlerësimin e vlerave – kategorive të UÇK-së, për aktivitet patriotik dhe ushtarak Hysen Zogjanin e ka shpallur dëshmor të atdheut. I qoftë i lehtë dheu kudo që të ketë rënë.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar