Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 16.10.2019 10:52
Arben Malaj

​Mungesa e lirisë së mendimit dhe e shprehjes.Varfëria në rritje e kombit shqiptar

Prishtinë | 09/10/2019 07:22

Shkruar nga: Arben Malaj

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar Është që njerëzit me vetëdije të lartë të heshtin”. Thomas Jefferson, President i SHBA 1801-1809

Liria shpirtërore apo pasuria natyrore, kush prej tyre i ka ndihmuar më shumë popujt në rrugëtimin e tyre disa qindravjeçarë.  Heshtja apo fjala, nënshtrimi apo guximi?

Si janë ngritur popujt e vende të varfra dhe pse, si kanë rënë mbretëri e perandori disa qindravjecare?

Liria e mendimit dhe e shprehjes janë dy kolona solide mbi të cilat individ, vende dhe kombe kanë mbështetur zhvillimin e tyre. Këto liri kanë lindur bashkë me njerëzimin, fitimi dhe konsolidimi i lirisë së mendimit dhe shprehjes nuk ka qenë i lehtë.

Ndoshta gjyqi i parë publik kundër së drejtës së mendimit dhe të shprehjes ka qënë ai kundër Sokratit 330 vite p.e.s me të cilin Sokrati krijoi modelin që inspirone dhe sot me referimin “më mirë një Sokrati përvuajtur se sa një derr i dhjamosur”. 

Ndoshta gjykimi më makabër mbetet ai i Galileos i cili e mbrojti lirinë e mendimit të tij se “bota rrotullohet” edhe kur përballë tij rrotullohej turma që po e digjte të gjallë në zjarr. 

Filozofi francez Voltier inspironë dhe sot kur deklaronte se “Unë nuk e pëlqej mendimin tënd por unë jam gati të vdes për të mbrojtur larine tënde të mendimit.” 

Gëte më ka inspiruar shpesh në angazhime dhe ballafaqime jo vetëm politike (edhe në të ardhmen), kur deklaron se : “..n.q.s. ke humbur guximin, më mire të mos kishe lindur.” 

Filozofët progresistë dhe mbështetesit e tyre kanë luftuar gjatë për ti bërë universal të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Në vitin 1949 miratohet në OKB Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ku theksohet se  “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes; kjo e drejtë përfshin larinë për të mbajtur mendime pandërhyrje dhe per të kërkuar, marrë dhe shpërndarë informacione dhe ide perms çdo media dhe pavarësisht nga kufijtë”.

Nobelisti Fukajama në librin e tij “Liria si zhvillim” analizon impaktet positive të demokracisë funksionale  e cila është e pamundur pa një demokraci me pjesëmarrje. Indeksi I përvitshëm I lirisë ekonomike gjen lidhje të qarta midis lirive dhe zhvillimit ekonomik e social.

Shqetësimi për pasojat e përkeqësimit të lirisë së fjalës vjen nga Presidenti George Washington kur theksonte se : “Nëse liria e fjalës hiqet, atëherë memecë dhe të heshtur mund të jemi të udhëhequr, si dele në thertore." Ky konkluzion vlen sot më shumë se kurrë për disa vende dhe popuj të cilët po i nënshtrohen kufizimit të lirisë së mendimit dhe të shprehjes. 

Me shumë se për këdo tjetër ky apel u drejtohet elitave, sepse shumë individë me influence publike vet-kufizohen apo i kufizojnë duke i nënshtruar ose duke i përkëdhelur me poste e përfitime publike për të heshtur sepse siç presidenti Jefferson qartëson heshtje e tyre është gjeja më e rëndësishme për tiranët.

Dilemën se mos duke kritikuar liderët politikë demtohet vendi e ka zgjidhur rreth 110 vite më pare presidenti amerikan Ruzvelt ku qartësonse:"Të njoftosh se nuk duhet të ketë kritikë ndaj Presidentit, ose se ne duhet të qëndrojmë pranë Presidentit, të drejtë apo të gabuar, nuk është vetëm jo patriotik dhe servil, por është moralisht i tradhëtueshëm për publikun amerikan." Theodhore Ruzvelt President i SHBA 1901-1909“.

Rreth 110 vite më vonë ne ndodhemi 110 vite më pas në raportin tonë me lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Besnikëria ndaj vendit për të cilën politikanët betohen është vrarë nga detyrimi për besnikëri ndaj partisë.

Në Shqipërinë e shekullit të 21 sapo të kritikosh një lider, një makineri e tërë shpifëse në rrjetet sociale e financuar nga udhëheqës parafabrikatë, sulmojnë me gjuhë banale këdo që sipas tyre po “dëmton” partinë. E vërteta është se ata sulmojnë që të mos u cenohet karriera e tyre, edhe kur është e qartë se ajo që në fillimet e saj është berë pisë nga marrëveshjet me të fortët, krimin e organizuar dhe financuesit me 900 euro/nata në hotel. Prandaj presidenti Ruzvelt theksonte se të mbështetësh personat e gabuar “nuk është vetëm jo patriotike dhe servile, por është moralisht I tradhëtueshëm për publikun amerikan”.

Në një artikull të tij Profesor Jan-Werner Mueller në Universitetin Princeton,analizon zhvillimet jo positive në raport me larine dhe demokracinë në disa vende si në Rusi, Turqi, Hungari etj edhe konkludon se nuk janë masat popullore, por janë elitat që për shkak të grindjeve Brenda tyre nuk arrijnë të bashkohen as përballë këtyre zhvillimeve përkeqësuese. Në këto vende qeveritë janë angazhuar për ti reduktuar liritë qytetare e politike individëve dhe partive opozitare. 

Presidentit amerikan Harry Truman paralajmeronte se: "Pasi një qeveri të jetë e angazhuar për parimin e heshtjes së zërit të opozitës, ajo ka vetëm një rrugëdalje, dhe kjo është në rrugën e masave gjithnjë e mështypëse, derisa të bëhet burim terrori për të gjithë qytetarët e saj dhe të krijojë një vend ku të gjithë jetojnë me frikë ”.

Ndoshta braktisjet massive nga vendet e Ballkanit Perëndimore ushqehen edhe nga ndjenja e frikës që sundon në këto vende. Frika për të folur i lirë në publik, frika për humbjen e vendit të punës, frika për të bërë biznes konkurues, frika për të ardhmen kanë shumë vite që po I varfërojnë jo vetëm shpirterisht shqiptarët.

Përkeqësimin e lirive demokratike po ndodhë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimorë, disa qeveritarë dhe mbështetës së tyre mediatike përpiqen ta justifikojnë se kjo po ndodhe dhe në demokracitë e konsoliduara.

Po, por në ato vende rrënjët e kultures demokratike, rrënjët shtete-formuese, rrënjet institucionale, ndarja dhe kontrolli i pushteteve, liritë themelore në çdo aspect të jetës shoqërore, ekonomike e politike,mund ti përballojnë dhe amortizojnë zhvillimet e përkohshme negative.

Ndërsa në vendet e Ballkanit shkelja e këtyre lirive që në fazat e para të demokracive anemike, pengojnë konsolidimin e demokracisë dhe favorizojnë liderët authoritarian dhe populistë.

Ky raport i deformuar dhe vetëpranuar  me larine nuk na ndihmon ti zgjerojmë ato, nuk ka nxit të jemi promovues të tyre, kemi mbetur thjeshtë mbrojtjës virtual apo digital dhe spontan.

Mësimi historik lidhur me lirinë se “Liria është frut që duhet vjelur përditë, ndryshe kalbet”, prandaj për to duhet luftuar çdo ditë jo thjeshtë për ti mbrojtur,  por për ti zgjeruar dhe rritur, për ti bërë më të mëdha, më të gjera dhe më të prekshme dhe pa asnjë kufizim për çdo individë, për çdo vend dhe për çdo komb.

Prof. Dr. Arben Malaj President I IPPM-së

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar