Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 25.01.2020 11:02
Arben Malaj

​Çelja me 9 kushte e negociatave - arritje apo sfidë e pa arritur?!

Prishtinë | 29/09/2019 21:41

Shkruar nga: Arben Malaj

Debatet politike nqs ky vendim i çel apo jo negociatat kanë në fokus përfitimet partiake jo ato kombëtare. Nëntë kushtëzimet mbeten përgjegjësi e përbashkët e politikës shqiptare për tu plotësuar sa më mirë dhe pas vonesa të tjera. Më poshtë po ndaj me ju disa argumente.

1. Vendimi i politikës gjermane është pozitiv sepse nuk i vë një gurë të rëndë ecjes përpara të Shqipërisë në proçesin e integrimit. Shteti gjerman meriton mirënjohje për propozimin konkret, i cili ka shumë gjasa të jetë edhe vendimi i Këshillit Evropian në mbledhjen e tyre vendim-marrëse në mes të Tetorit 2019. 

2. Vendimi orienton dhe lehtëson arritjen e një mirëkuptimi për një vendim të unifikuar të 28 vendeve evropiane, duke e minimizuar riskun për një "jo bllokuese" nga vende të veçanta. Kjo është e mundshme edhe në diskutimin e vështirë midis vendeve evropiane, ta ndajnë ose jo Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria, në vendimin e tyre për çeljen e negociatave. Këndvështrimi për të mos i ndarë synon të mos “vrasë” inspirimin evropiane të liderëve të këtyre dy vendeve, ku mbështetja e popujve të këtyre dy vendeve për të ardhmen brenda BE- së është shumë e madhe. Në rastin e mos bllokimit të dy vendeve ose vetëm të Shqipërisë synohet të mos krijohen efekte jo pozitivë në zhvillimet e brendshme politike.

Ky shqetësim është më i madh për Maqedoninë e Veriut. Kjo shprehet qartë në përgjigjen diplomatike të krye diplomatit maqedonas kur theksoi se :“dy është më mirë se një, (pra negociatat te çelen për të dy vendet është në të mirë të tyre dhe të rajonit të trazuar të Ballkanit Perëndimore), dhe “një është më mirë se asnjë”, pra mos na penalizoni edhe neve për shkak të kushteve ndaj Shqipërisë. Duke lobuar që vendi tij të mos penalizohet por opsioni ose të dy vendeve tu çelen negociatat ose asnjë, këndvështrim që diplomacia shqiptare e ka përdorur pa një diplomaci efektive dhe penguese. Nëse negociatat çelen me 9 kushte askush ne Shqipëri nuk ka pse mburret dhe aq me pak të krenohet, as maxhoranca, as opozita por as shoqëria civile gjithashtu.

3. Kushtëzimet duhen vlerësuar vetëm pozitivisht, ato nuk janë bllokim i proçesit por një udhërrëfyes si të mos vonohemi më. Ato shprehin thelbin e dështimeve tona të përsëritura prandaj pa përmirësimin e tyre brenda ose jashtë BE-së e ardhmja jonë nuk ndryshon dhe nuk përmirësohet. Risqet janë reale siç ndodhi me Rumaninë dhe Bullgarinë.

4. Nqs ky vendim do të unifikohet si vendim i Këshillit Evropian në takimin vendimmarrës të Tetorit, negociatat nuk duhen konsideruar të hapura. Kjo sepse edhe pas këtij vendimi nuk mund do të filloj negocimi për asnjë kapitull të 35 kapitujve të legjislacionit përafrues me BE-në.

5. Çelja me kushte nuk ka një datë çelje te negociatave por ka një orientim te proçesit, ku duhet te fokusohet Shqipëria. Data konkrete do të jetë në një kohë të dytë kur do të ketë njëvlerësim të thelluar për plotësimin e 9 kushteve. 1) Funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese 2) Miratimi i reformës zgjedhore; 3) Implementimi i reformës zgjedhore; 4) Ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut; 5) Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; 6) Vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK, 7) Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”; 8) Përparime në reformën e administratës publike; 9) Sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

6. Angazhimi dhe përkushtimi i politikanëve, institucioneve kushtetuese, shoqërisë civile dhe qarqeve akademike duhet të jetë tek cilësia dhe shpejtësia me të cilat Shqipëria do të përmbush 9-të kushtet. 

7. Çdo diskutim tjetër se si duhet ta lexojmë këtë vendim deri edhe vendimin përfundimtarë te Këshillit Evropian, që në rastin më të mirë do të jetë çelje e negociata me kushte, është kohë e humbur dhe penguese për këtë sfidë kombëtare.  

8. Një dështim tjetër i përsëritur mund të rrit zhgënjimin sidomos tek të rinjtë i cili ndikon në braktisjen e vendit. Individët, biznesi vendas edhe ai i huaj do të mbeten në pritje të çeljes së negociata. Ekonomia dhe buxheti mund të kenë trend përkeqësues. 

8. Të mos harrojmë që Evropa është gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më pranë një recesioni ekonomik, çka favorizon forcat euro skeptike. Qeveritë dhe parlamentet e 28 vendeve evropian mund të kenë vështirësi të brendshme për të rritur mbështetjen për zgjerime të reja nga vendet e Ballkanit Perëndimorë. Aktualisht vendet e Ballkanit Perëndimorë nuk po kërkojnë anëtarësim, prandaj nuk duhet të vonohen apo bllokohen në hapat e ndërmjetmeve të këtij procesi, të nisur prej samitit të Selanikut në 2003. Kanë kaluar 16 vite dhe arritjet në hapat e ndërmjetme të integrimit evropian janë simbolike, përjashto lëvizjen e lirë, liri që padrejtësisht dhe fatkeqësisht nuk i gëzojnë akoma popujt e Kosovës dhe Bosnje Hercegovines, përveç të fortëve dhe kriminelëve që i kanë kaluar përherë lehtësisht kufijtë e mbyllur dhe të “sigurtë” të Evropës së Bashkuar. Këta popuj nuk e kanë përfituar akoma një prej katër lirive që përbëjnë thelbin e lirive evropiane, lirinë e lëvizjes së lirë. 

9. Eliminimi i çdo vonese apo mungese përgjegjësie në bashkëpunimin edhe midis partive politike për plotësimin e 9-te kushteve, duhet të jetë prioriteti i prioriteteve të partive politike, jashtë dhe larg çdo përpjekje të sforcuar për përfitime partiake edhe nga krizat e vetë- shkaktuara. 

10. Ndërtimi i një kalendari për plotësimin me prioritet të 9-të kushteve, qartësimi objektivave, afateve , institucioneve përgjegjëse, monitorimi periodik i këtij kalendari nga Kuvendi dhe opinioni publik, është një domosdoshmëri kritike për të dal nga cikli i dështimeve të përsëritura./ Arben Malaj, Studiues i Integrimit Evropian Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje./

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar