Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 24.10.2017 12:44
Nijazi Idrizi

​Vezët e gjarprit të vendosura në LAA, LS, PAN kanë filluar të çelin

Prishtinë | 12/08/2017 08:59

Shkruar nga: Nijazi Idrizi

Sipas përrallës, dreqi në një dasmë e kishte shkulur vetëm një kunxh, kunxhi e kishte zgjidhur dashin, dashi e kishte thyer pasqyrën, burri e kishte mbytur gruan, burrin e kishin mbytur vëllezërit e gruas, lagjja e burrit e kishte sulmuar familjen e gruas, fshati i familjes së gruas e kishte sulmuar fshatin e burrit…

Një kungj të tillë më 11 qershor në skenën politike të Kosovës, e kishte shkulur presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, në marrëveshje me presidentin e Kosovës Hashim Thaqi, kur në orët e fundit të skadimit të afatit, kishte lidhur koalicion parazgjedhor me LDK. Reaksioni i pritur ishte ai i liderëve të tri partive politike (PDK, AAK, Nisma), të cilat në minutat e fundit i kishin lënë sharjet e pista dhe ishin bashkuar në një koalicion tjetër.

Për pasojë më 11 qershor, nga kutit e votimit bashkë me votat dolën edhe vezët e gjarprit. Demokracia në Kosovë pësoi goditje të rënd, duke prodhuar një rezultat të pa pritur, të pa mjaftueshëm dhe të pa panatyrshëm për koalicione pas zgjedhore. PAN-i i fitoi zgjedhjet por e humbi besueshmërinë, LAA bashkë me zgjedhjet humbi dhe besueshmërinë, LVV humbi zgjedhjet por e fitoi besueshmërinë. Ish komandantët, iu kthyen idiles së vitit ’99 duke e votuan njëri tjetrit dhe fituan të gjithë ose mbetën të pragu i fitores, (pos komandant Remit, i cili do të fitonte me siguri po të ishte kandidat). Kështu klanet e argatëve nga afera Pronto (Grabovci, Poliqkarët, Llapi), u dëshmuan se janë vetëm argat dhe humbën me turp, duke u zëvendësuar nga shefat e tyre. Në LAA humbën krahu tjetër i klanit të Llapit dhe ai i Isa Mustafës. Në LVV përgjithësisht fituan ata që ishin me stazh partie.

Në Kosovë, legjislatura e gjashtë do të mbahet mend për disa ish komandant me shkolla të natës që din vetëm ti rreshtojnë njerëz, disa intelektual e profesionist që din të ulin kokën dhe të heshtin dhe shumë të rinj me gurë në dorë, të cilët me siguri do të ndiqen me urimin e shumicës: “Zot ruaji; Zot rritua fuqinë”! Edhe pse dreqërit e kanë goditur Kosovën tonë dhe i kanë shkaktuar pasoja tragjike, shembjen e saj nuk e ka lejuar një fuqi hyjnore që ka ardhur nga vet mençuria e popullit të saj, e cila po u rri si kërcënim mbi kokë hileqarëve. Koha e masës dhe e bylyqeve ka kaluar dhe njerëzit, besimin blanko nuk po ia japin më askujt. 

Ata viteve të fundit kanë ndërtuar një mekanizëm perfekt të kontrollit të demokracisë, ku reagimi i heshtur me marrje të besimit, sipas veprimit politik të partive gradualisht po bëhet mënyrë e sjelljes.

Vota kundër e votuesve, funksionoi për mrekulli në zgjedhjet e fundit, kur u lidh koalicioni jo parimor në mes të atyre që shanin njëri tjetrin për motive të ulëta dhe për pasojë 100 mijë votat e PAN-it dhe 50 mijë të LAA ose kaluan në LVV ose u dëmtuan me dashje. Përpjekjet e turpshme të kërcënimit me padi dhe frikësimit të disa deputetëve labil, nuk dhanë rezultat. Derisa analistët parashikonin zgjedhje të reja, ai që i kishte vendosur vezët e gjarprit në LAA, PAN, LS, e priste ditën kur ato do të qelin. Dita kur kjo do të ndodh, tashmë është paralajmëruar. Shumë shpejt ato do të lëvizin në drejtime të ndryshme dhe po duket se do ta japin një rezultat momental të zhbllokimit të vendimmarrjes, por me shumë të panjohura, për vetë Hashim Thaqin, i cili edhe pse ka përvojë të madhe në shkaktimin e krizave, i mungon përvoja e menaxhimit të tyre dhe ka frikë se ato kësaj radhe me siguri do ti thyhen në duar.

Sipas të gjitha shenjave, të parat do të qelin vezët e gjarprit në LAA, me të cilat do të arrihen numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit të propozuar nga PAN-i. Pas këtyre, mund të lëvizin vezët brenda Listës Serbska, të cilët mund të mos e votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër dhe kjo do të dukej se po bëhej me fajin e Beogradit. Mundësia e kandidimit të një kandidati tjetër për kryeministër do të ishte reale: “Ujqërit e ngopur e delet në numër”, thotë një fjalë e urtë!

Ky skenar e ka vetëm një të panjohur tepër të rrezikshme! Reagimin e heshtur të votuesve në zgjedhjet lokale në të cilat, LVV është e mundur që ti fitoj zgjedhjet në rreth 20 komuna, madje në Prishtinë dhe disa qytete tjera, pa balotazh. Kjo fitore do ti kontestonte automatikisht zgjedhjet për pushtet qendror të cilat do të mbaheshin menjëherë nën trysnin e protestave të justifikueshme.

Për t’iu shmangur këtyre situatave të cilat mund të prodhojnë vetëm pasoja, madje edhe për ekzistencën e disa partive politike që kanë dal keq në këto zgjedhje, (ndoshta për shkak të orës së ligë, siç po arsyetohen), zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat mund të mbahen me pak shpenzime shtesë më 22 tetor, së bashku me ato lokale. Me këtë rast, partitë do të konkurronin mbi baza të shëndosha dhe rezultatet do ta konfirmonin forcën reale të tyre. Nga ky rezultat do të lidheshin koalicione të natyrshme programore, me të cilat do të qeveriset vendi në katër vitet e ardhshme.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar