Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 26.05.2019 02:14
Nijazi Idrizi

​Krimi për amnesti

Prishtinë | 08/05/2019 07:13

Shkruar nga: Nijazi Idrizi

“Dështimi i njerëzimit për ta ndjekur penalisht Milosheviqin dhe kriminelët rreth tij, i nxiti serbët të kryenin pastrime etnik kudo.” Richard Goldstone, (prokuror i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi)

Krimet kundër njerëzimit, nuk shqetësojnë vetëm viktimat dhe familjet e tyre, por gjithë njerëzimin, pavarësisht nacionaliteteve. Ndjekjet penale janë të domosdoshme për ti respektuar të drejtat e viktimave; për vendosjen e sundimit të ligjit; për parandalimin e krimeve të ardhshme; dhe për vlerat e përbashkëta të njerëzimit.

Në fundi të shekullit të kaluar, bota ka parë mizori të cilat nuk i lënë prapa as ato të luftës së dytë botërore. Mizorit më të egra i ka shkaktuar Serbia, e cila duke u fshehur pas sovranitetit të shtetit të Jugosllavisë, e filloi shfarosjen e boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve. U masakruan edhe fëmijë, gra e pleq. Dhunimet e femrave, plaçkitjet dhe djegiet e shtëpive ishin akte të rëndomta kriminale. 

Kriminelët serb të bindur se nuk do të ndëshkohen, bënë gara egërsie mbi njerëzit e tmerruar. Këtë siguri ata e bazonin në Parimin e sovranitetit të shtetit nga paqja e Vestfalisë, (i vjetër 350 vjet), i cili e ndalonte përzierjen e shteteve tjera në çështjet e brendshme të një shteti. Këto akte sipas Konventave ekzistuese, konsideroheshin çështje të brendshme të një shteti dhe nuk paraqitnin shkelje të rëndë penale ndërkombëtare. Në fund të shekullit të kaluar, këtë parim e ndryshoi globalizimi, (efekti global i një ngjarje) dhe besimi në të drejtat themelore të njeriut, (i cili u bë themel i demokracisë). 

Erdhi koha kur sovraniteti i një shteti kushtëzohej nga aftësia e tij për të përmbushur detyrimet që lidhen me mbrojtën e popullit të vet dhe respektimin e kombeve tjera. Nëse një shtet kryen gjenocidin dhe spastrimin etnik mbi popullin e vet, nuk mund të mbajë sovranitetin. Bashkësia ndërkombëtare në emër të humanizmit, e ka për detyrë të ndërhyjë për ta ndaluar. Këtë të drejtë e legjitimon Konventa e Zhenevës e vitit 1949, Konventa Kundër Torturës dhe Konventa kundër Gjenocidit. Por, përgjegjësia për krimet vazhdon të qëndrojë pezull. 

Përpjekjet e qeverive të shteteve për t'u marrë me kriminelët në disa shtete, si në Kili, Haiti, Sierra Leone, ish-Jugosllavi etj. nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme. Vendosjen e drejtësisë e pengonin jo vetëm pushtetet e tyre, por edhe shtetet e mëdha dhe organizatat ndërkombëtare. Ka pas raste kur vet OKB-ja, në interes të ndërprerjes së dhunës, në emër të paqes, ka bërë tregti me drejtësinë (Afrikë të Jugut, Guatemalë, Nigeri). Kjo tregti pastaj është bartur te disa shtete të cilat kanë zbatuar amnisti për kriminelët e tyre. Zakonisht atë e kanë bërë në dy mënyra: me miratimin e ligjeve të amnistisë dhe me fshehjen e dëshmive të ndjekjes penale. 

Shumë shtete kanë deklaruar se amnistia pas përfundimit të luftës është gjest paqeje e pajtimi dhe këmbimin e drejtësisë me paqen e kanë quajtur të drejtë. Në mesin e tyre janë edhe Kosova dhe Serbia. Disa nga ato, i kanë nxitur institucionet relevante që t’i amnistojnë autorët e krimeve. Shembuj të tillë ka në Amerikën Latine, Afrikë të Jugut etj. Ka pasur shembuj, kur në dokumentet e amnistisë është theksuar se amnistitë i përfitojnë vrasësit që kanë vrarë nën 20 njerëz! 

Me këto amnisti nuk është synuar vetëm pajtimi, por iu është lënë mundësia që vet diktatorët të luajnë role vendimtare si bartës të tranzicionit politik për demokratizimin e shteteve të tyre. Njëri nga ta ka qenë Sllobodan Millosheviqi. 

Rezultatet e amnistive shpejt treguan se Bashkësia Ndërkombëtare nuk i ka zgjidhur konfliktet, por i ka shtyrë ato, duke e bërë botën edhe më të pasigurt. Madje, ajo i ka inkurajuar regjimet për të kryer krime të tmerrshme, me viktima të shumëfishuara. 
Kombet e Bashkuara, pas këtyre përvojave, kanë mbajtur qëndrim kundër amnistisë për disa krime si: "gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, krimet seksualet dhe tortura...për të cilat autorët duhet të ndiqen penalisht ose të ekstradohen nga shtetet". Përpjekja për ta vendosur drejtësinë ndërkombëtare mbi amnistinë për krimet, filluan në vitet ‘90, kur OKB krijoi gjykatat ndërkombëtare për krimet e luftës (Ruandë, Sierra Leone, Timor Lindor, ish-Jugosllavi). Me këto akte, amnistitë për krimet e rënda sipas ligjit ndërkombëtar, indirekt u shpallën të paligjshme dhe u forcua besimi se autorët e krimeve të egra do të ndëshkohen. 

Edhepse Gjykatat ndërkombëtare në bankat e akuzës e kanë ulur krimin e nivelit të lartë të vendimmarrjes politike dhe atë të zinxhirit komandues, drejtësia nuk u përmbush. Dënimet e shpallura ishin sa për ta dhënë një mesazh për një fillim të ri global. Shumica dërmuese e kriminelëve në shtetet e tyre, mbetur të paprekur nga drejtësia. Ata madje ishin pozicionuar që nga maja e piramidës së pushtetit, e deri niveli më i ulët i tij, ku merrnin vendime sërish dhe u bënë partner në vendimmarrjen rajonale e botërore. Shembull tipik janë bashkëpunëtorët e Millosheviqit të cilët sot po qeverisin në Serbi, Srbska Kraina dhe në veriun e Kosovës. 

Por, në vend të saj, viteve të fundit, po zbatohet, fshehja e dëshmive të ndjekjes penale (amnistia e heshtur), për krimet e rënda. 

Duhet të theksohet fakti se deri më sot e drejta ndërkombëtare ende nuk ka ligj me të cilin decidivisht i detyron shtetet të ndjekin penalisht këto krime. Ato kanë obligim vetëm të sigurojnë një formë të llogaridhënies. Kjo e le të hapur mundësinë që dënimet të jenë të lehta. 

Rastet e Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës janë shumë eklatante. Ta marrim, Serbia me vetëm 16 raste të mbyllura penale dhe Kosova me 4, lënë të kuptohet se në Kosovë nuk ka pas gjenocid, por krime ordinere të mëhallëve.

Duhet të theksohet e vërteta se, shteti i Kosovës në të gjitha këto vite, nuk ka grumbulluar dëshmi dhe nuk ka bërë padi ndaj forcave të armatosura serbe të cilat kanë shkaktuar rreth 400 masakra. Ato pak dëshmi të grumbulluara në mënyrë stihike, me vullnetin e mirë të qytetarëve, sot janë duke u kalbur diku në dhe e bodrume të lagështa. 

Në gjykatat tona nuk ka asnjë padi madje as për Milosheviqin, sa për ta dhënë një mesazh të përjetimit të dhembjes njerëzore për viktimat.

Duket ashiqare se oligarkët e Serbisë dhe të Kosovës kanë bërë pazar për fshehjen e dëshmive të krimeve për shpëtimin e mijëra kriminelëve serbë në këmbim të disa shqiptarëve të traumatizuar që bënë krime për hakmarrje. 

Oligarkët e Kosovës nuk kanë ndjenja për krimet në Kosovë, sepse shumica dërmuese e tyre nuk janë prekur nga to fare. Ata, në formë fushatash e për motive personale, turren për të hapur e mbyllur gjykata dhe djersiten me dosje gazetash në duar, me të cilat duan të vendosin drejtësi. 

Dhe krejt në fund!

Për një paqe të qëndrueshme të Kosovës me Serbinë, duhet të mbyllen tri probleme të mëdha: drejtësia, dëmshpërblimi i viktimave dhe e drejta e njerëzve ta mësojnë të vërtetën. 

E drejta për drejtësi është e drejtë themelore e njeriut. Gjykimet e krimeve në gjykata janë të domosdoshme për të nderuar vuajtjet e viktimave dhe rivendosjen e dinjitetit të tyre në vend.

Këto duhet të jenë tema të bisedime për paqe, në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe jo ndarjet etnike me mure, mbi të cilat snajperistët serb dhe shqiptarë të Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, do t’i mbajnë në kryq kokat e njerëzve të pafajshëm.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar