Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 22.05.2019 09:55
Nijazi Idrizi

​Kosova shtet sui generis, me lider sui generis

Prishtinë | 21/02/2019 15:48

Shkruar nga: Nijazi Idrizi

“Kosovën e kemi prishur kaq shumë sa edhe sikur të punohet mirë, 20 vjet duhen që të ndreqet”! Kështu i ka deklaruar një ministër aktual i qeverisë së Kosovës një mikut të tij në koinfidencë, para pak ditësh.

Kosova në këto 11 vite të Pavarësisë është më keq se që kemi menduar se mund të bëhet, në rastin më të keq. Ajo edhe pas qeverisjes kalimtare ndërkombëtare, nga qeverisja e oligarkëve të vet,po vazhdon të jetë sui generis në shumëçka: 

Kosova është i vetmi vend i pavarur në botë, i cili jo vetëm që nuk e ushtron,por as nuk e njeh sovranitetin e shtetit të vet, të cilin ia ka njohur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe 116 shtete! Kosova është i vetmi vend në botë, që e lejon Presidentin e vet, Hashim Thaçin, që me veprimet e veta, po i shpallë “fajtor”,shtetet e NATO-së të cilat për ta mbyllur dramën njerëzore të Kosovës, ndërhynë ushtarakisht. Ky njeri, për ta relativizuar këtë akt human botëror, po punon me serbët për ndarjen etnike të Kosovës dhe ka hequr dorë nga territori i saj,për kufijtë e të cilës ato luftuan, madje për sigurinë e tyre, (me Marrëveshjen e Kumanovës), e detyruan Serbinë të tërhiqet në brendi të territorit të saj 5 kilometra, duke e krijuar një brez të sigurisë. 

Ky ishte mesazh i çartë për paprekshmërinë e kufive të këtij shteti të ri. Për ta relativizuar këtë akt shtetësie, Thaçi, po kërkon neutralitet të këtyre shteteve për ndarje territoriale në baza etnike të Kosovës, për tërësinë e së cilës ato luftuan 72 ditë! Kosova është i vetmi vend në botë, që e lejon Presidentin e vet, që me veprimet e veta, ti revoltoj 10-15 shtete (burime të ndryshme), të cilat ia kanë tërhequr njohjet. 

Ato, këtë e kanë bërë për t’ia hapur rrugën bisedimeve në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse kanë konstatuar se hapja e bisedimeve për territore, mund të sjell befasi dhe nuk duan që të jenë pjesë e debateve publike të qytetarëve të tyre, “pse e kanë njohur para kohe Pavarësinë e Kosovës”.

Mesazhin për tërheqjen e njohjeve ua ka përcjell vet Presidenti Thaçi, i cili ka kërkuar neutralitet ndërkombëtar për copëtimin e Kosovës me qëllim të arritjes së marrëveshjes me Serbinë, edhe pse tërësia territoriale e saj është e njohur nga Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe 116 shtete! Kosova është i vetmi vend në botë, që e lejon Presidentin e vet, ta kontestoj kriterin e ndarjes së Kosovë nga ish Jugosllavia, sipas parimit të njëjtë me republikat tjera! Kosova është i vetmi shtet në botë e cila nga vet Presidenti i saj, po promovon ndarjes etnike, mu në kohën e krizës globale të integrimeve, i cili po shpërndan mesazhe të urrejtjes dhe po nxit ndarje, mos durim dhe luftëra në mes të kombeve. 

Kosova është i vetmi shtet në Evropë që për shkak të sjelljes dezintegruese të oligarkëve të vet, i ka qytetarët e burgosur, pa të drejtë të lëvizjes së lirë në Evropë! Kosova është një nga shtetet e pakta që iu ka refuzuar anëtarësimi në UNESKO dhe, INTERPOL madje mbi rrezikun e zhdukjes së vlerave kulturore dhe rrezikut të sigurisë globale! Kosova është i vetmi shtet në botë që e ka themeluar Gjykatë Speciale (dhuratë nga Hashim Thaçi dhe Hajredin Kuçi) për ti gjykuar bijtë e vet që luftuan në vendin e vet, për ti mbrojtur familjet e tyre nga masakrimi, dhunimi, djegia e plaçkitja e ushtrive të ardhura nga Serbia! Kosova është shteti i cili ekonomin e vet (ndërmarrjet e veta strategjike: aeroportin, energjetikën…), falë ish kryeministrit Thaçi, e ka orientuar drejt Lindjes, edhe pse gjysma e popullit të saj jeton dhe punon në Perëndim! Kosova është i vetmi shtet evropian të cilin pas shpalljes së Pavarësisë, (për shkak të plaçkitjes nga 4 familje feudale), e kanë braktisur mbi 410 mijë njerëz, ose 20% e popullsisë së saj (nga 2.21 milion banorë sa ishin në vitin 2010 në 1.8 milion në 2017)! 

Kosova është i vetmi shtet evropian ku edhe pse 6 ministri shpërndajnë qindra miliona euro grande dhe subvencione për shtimin e prodhimtarisë efekti i tyre është i kundërt: ky investim e ka rritur importin (nga 2.16 miliard euro më 2010 në 3.05 miliard euro më 2017) dhe e ka ulur eksportin (nga 296 milion më 2010 në 278 milion euro më 2017)! Kosova është i vetmi shtet evropian ku investimet e shtetit dhe të donatorëve në bujqësi arrijnë në rreth një miliard euro, por që importi është rritur në vitin 2017 për 32% (176 milion euro) ndërsa eksporti ka stagnuar. 

(Në vitin 2010 janë importuar 483 milion euro dhe janë eksportuar 25, ndërsa në vitin 2017 janë importuar 659 ndërsa janë eksportuar 29 milion euro produkte bujqësore)! Kosova është shtet i rrallë evropian ku ata që punojnë (sektori privat), i kanë pagat njëfish më të ulëta, se të atyre që konsumojnë(sektori publikë). Dhe përfundimisht Kosova është shtet ku nuk ka më as shpresë. 

Nga sondazhet e zakonshme që i bëjnë mediet, direkt dhe indirekt, del se 80% e moshave të reja,me nervozë po presin liberalizimin e vizave, me qëllim që për një sezonë, 300 mijë nga ta, të largohen kudo ku ofrohet diçka më shumë. Në këto 11 vite të Pavarësisë janë evidentuar edhe disa suksese të dukshme të cilat japin pak shpresë. Ndër to duhet të përmenden: Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, e cila e ka shtuar besimin se Kosova lehtë nuk do të bëhet arenë lodrimi e kriminelëve serb. 

Fillimi i fundosjes, (nga presioni publik), i segmenteve të klanit “Pronto”, siç po ndodhë me atë të Pejës, fundosja e poliçkarëve të Gjilanit, lodhja e atij të Drenicës dhe Llapit etj. Marrja e disa vendime teknike të qeverisë Haradinaj, me të cilat janë hequr disa ndalesa dhe pezullime nga qeveria Thaçi dhe Mustafa për shkaqe politike dhe korruptive (lirimi i mihjeve për termocentralet, Ligji i Prishtinës, kthimi i pronës së Pallatit të Rinisë pronarit legjitim, leje për prodhim të energjisë alternative pas ndalesave me motive korrupsioni nga vet ish kryeministri Thaçi etj.). Pas 11 vitesh shteti i Kosovës nuk është i konsoliduar, as politikisht, as ekonomikisht as moralisht.

Ai politikisht po mbahet me inercion,për shkak të ekuilibrave global; mbijetesa e tij ekonomike po bëhet falë të hyrave që po vijnë nga të punësuarit tanë nëpër botë, të cilët ende janë solidarë me familjet e tyre në nevojë, të cilëve po iu ndihmojnë për ta kaluar këtë krizë të shkaktuar nga oligarkët tanë kleptokrat; ndërsa moralisht po e mban frika e zhytjes në një rreth vicioz, në të cilin oligarkët po e zhysin përditë nga pak! “Zot mëshiroi”!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar