Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 19.01.2018 04:18
Nijazi Idrizi

​Komisioni i ri për demarkacionin, "amniston" kauzën për pushtet

Prishtinë | 03/11/2017 09:48

Shkruar nga: Nijazi Idrizi

Kryeministri Haradinaj me të marrë mandatin e qeverisjes së vendit, me të drejtë, me prioritet e formoi komisionin e ri për rishikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi (të firmosur nga vartësi i kryeministrit Isa Mustafa, ministri i punëve të jashtme Hashim Thaçi, pas 15 takimeve të dy komisioneve larg syve të opinionit).

Aty u përfshinë të gjithë kundërshtarët e zëshëm të marrëveshjes, pa dallime politike (Bulliqaj, Gruda, Berisha, Basholli, Isufi). Ky vendim është pritur nga opinioni publik, pas aktit të konfrontimit dhe goditjes me harta të kryetarit të komisionit të parë, Murat Meha. Njohësit e mirë të kësaj fushe, formimin e komisionit të ri me këtë përbërje, e konsiderojnë si punë joserioze.

Kjo për faktin se argumentet dhe provat e anëtarëve të tij tashmë janë të njohura për të gjithë dhe si të tilla, ato pos që do të vazhdojnë ta mbajnë opinionin të ndarë në dysh, nuk do të prodhojnë ndonjë rezultat, jo pse s’duan, por nuk kanë mundësi të bëjnë diçka më shumë. 

Po të ishte motivi serioz, për ta zgjidhur këtë problem, Kryeministri Haradinaj do të duhej të shpallte konkurs për ekspertizë ndërkombëtare, e cila e kombinuar me vendoren do të mund të ofronte ndonjë argument të ri si propozim për zgjidhje të re. Argumentet e reja janë kusht për kontestimin e marrëveshjes dhe rinegocimi i çështjes do të ishte fare i sigurt, duke pasur parasysh edhe deklaratat e kreut të shtetit të Malit të Zi të cilët kanë deklaruar se nuk duan tokë të Kosovës. 

Ka dyshime se komisioni i ri me këtë përbërje, u krijua me qëllim që të njëjtit të shpallen jo profesionist, të papërgjegjshëm dhe manipulatorë të lidershipit të disa partive politike, dhe të akuzohen se pikërisht këta janë nxitësit e kundërshtimit të marrëveshjes, duke i nxitur disa parti që atë kundërshtim ta shndërrojnë në kauzë dhe për pasoj vendin ta lënë pa liberalizim të vizave.

Këtë akt mund ta përshpejtojë deklarata e fundit e Bulliqajt dhe Isufajt të cilët dolën me idenë që ta hedhin këtë problem në Kuvend të Kosovës, me alternativa madje edhe për metodologjitë që mund të përdorën, (për të cilat ata nuk kanë as dije bazike), flet për një “tërheqje taktike” të tyre dhe i hap rrugën dyshimit për profesionalizëm.

Në një situatë të tillë, rrugë tjetër nuk ka: ose qeveria duhet të jap dorëheqje ose komisioni duhet të shkarkohet (ose dorëhiqet). Nuk ka dyshim se në një alternativë të tillë, do të ndodhë kjo e dyta! 

Pas kësaj, qeveria me Kryeministrin (e zhveshur nga kauza), pritet t'iu kërkojnë falje qytetarëve për vonesën e vizave dhe bashkë me LDK-në do ta votojnë në Kuvend pa asnjë ndryshim.

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar