• Lajmi
  • KosovaPress , 30 Janar 2014 08:34

Mitrovica e veriut me 4 kandidatë

prev next Mitrovica e veriut me 4 kandidatë
 

Goran Rakiq, (GI Srpska) Oliver Ivanoviq, (SDP) Florent Azemi (PDK) dhe Musa Myftari (LDK) janë kandidat për kryetar të veriut të Mitrovicës.

Ata i kanë dorëzuar kandidaturat e tyre në KQZ mbrëmë para mesnatës.

Kandidati i ‘Srpska’, Goran Rakiq, ka thënë se qytetarët e veriut të Mitrovicës do të jenë në gjendje të zgjedhin kryetarin e tyre në zgjedhjet e 23 shkurtit, dhe në këtë mënyrë nuk do të lejojnë që kryetari i ardhshëm i kësaj komune të jetë shqiptar.

Ndërkaq, përfaqësuesja e SDP-së, Ksenija Bozhoviq, bëri të ditur se pas takimit të Këshillit të kësaj partie që është mbajtur mbrëmë në orët e vona, është marrë vendim i përbashkët që për kryetar të veriut të Mitrovicës të kandidohet sërish Oliver Ivanoviq.

“Kjo kandidaturë është dëshmia më e mirë se Ivanoviq është i pafajshëm dhe mos kandidimi i tij do të nënkuptonte se ai po i frikësohet akuzave të sajuara dhe të turpshme që janë ngritur kundër tij”, ka thënë Bozhoviq.

Florent Azemi, kandidat nga PDK-ja, ka konfirmuar për Kosovapress kandidaturën e tij, duke thënë se mbrëmë anëtarët e partisë kanë vendosur njëzëri që ai të jetë kandidat, ndërsa tërheqjen e kandidatit të mëparshëm, Agim Deva, ai e arsyetoi me shkaqe personale të tij.

Kosovapress-i ka provuar të kontaktoj edhe me kandidatin e LDK-së, Musa Myftari, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Në anën tjetër, për zgjedhjet e përsëritura në veri të Mitrovicës, nga gjithsej pesë kandidatë sa ishin herën e parë, ka munguar vetëm kandidatja e pavarur Adriana Hoxhiq.

Sipas saj, shoqëria e këtushme akoma nuk ka arritur nivelin e duhur të demokracisë, në të cilin kryetari do të ishte nga një nacionalitet tjetër përveç atij shqiptar dhe serb.

“Serbët kanë apeluar që të votohet kandidati serb, ndërsa të njëjtën gjë e kanë aplikuar edhe shqiptarët, andaj jam ndier e diskriminuar në zgjedhjet e para. Mendoj se këtu nuk po vlerësohen aftësitë e kandidatit, por cilit nacionalitet i përket ai, dhe politika e lartë ka ndërhyrë fatkeqësisht në temat lokale”, theksoi për Kosovapress Hoxhiq.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën Veriore do të mbahen me 23 shkurt.