Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 10.12.2018 06:40

​“Troja” promovoi albumin e fundit “One” në një mënyrë të veçantë

Prishtinë | 26/12/2015 15:31

Rok grupi i famshëm “Troja” ka bërë sot prezantimin e albumit “One”, i cili u lansua në një mënyrë shumë të veçantë dhe krejt ndryshe, se që jemi mësuar të shohim.

Promovimin e albumit të fundit, Troja e bënë përmes një shfaqje teatrale, me anë të së cilësnë mënyrë ironike paraqiten të vërtetën e funksionimit të jetesës në Kosovë.

Artisti Alban Makolli, gjatë gjithë shfaqjes foli kinse ai është njëri nga udhëheqësit e institucioneve tona publike, duke treguar kështu mënyrën se si ata veprojnë në të vërtet.

Kështu, gjatë kësaj shfaqje teatrale ai iu drejtua gazetarëve të pranishëm duke ua bërë të ditur fuqinë autoritare që ka mbi ta dhe duke i kërcënuar me humbje të punës nëse dikush prej tyre shkruan kundër tij.

“Një gjë duhet ta dini se ne e kemi mirë me shumicën e shefave tuaj. Andaj ju lus për bashkëpunim sepse nuk do të ishte e ndershme të humbasësh punën sot kur je në kredi deri në fyt. Prandaj, të nderuar gazetarë, pyetjet që do t’i bëni besoj jua kanë shpërndarë, apo jo? Por, para pyetjeve edhe diçka tjetër. Të nderuar gazetar tani që po e shihni seriozitetin dhe determinimin tonë, ju lus që gabimi të mos jetë pjesë e punës tuaj. Për këtë ju falënderojmë dhe ju jemi mirënjohës paraprakisht”, tha Makolli.

Pasi që ai u sigurua se askush nga gazetarët nuk do të shkruajnë në të keq të tij, ai u bëri thirrje atyre që ta ndihmojnë në mbrojtjen e identitetit të Kosovës duke e parandaluar albumin e ri të rok-grupit “Troja”. Kjo pasi që sipas tij, ideologjia e këtij grupi do të prish sistemin e sofistikuar të Kosovës.

“Ne ju kemi thirr sot këtu të flasim për një temë shumë më të thellë. Që së bashku të mbrojmë identitetin tonë, ta mbrojmë identitetin tonë nga armiqtë. E kush janë këta armiq, mund të pyes ndonjëri nga ju? Armiqtë e brendshëm siç është grupi Troja me këngët e tyre që shprehin haptas mllefin kundër sistemit tonë që me aq mund e sakrificë e ndërtuam me 16 vite demokraci... Pra gazetarë jeni këtu për ta parandaluar këtë lloj ideologjie që po na e prish sistemin tonë të sofistikuar që me aq mund dhe sakrificë dhe gjak e kemi krijuar që 16 vite. Grupi Troja nuk ndalon vetëm me demokraci. Ata kanë përgatitur një arsenal me këngë kundër sistemi tonë. Jemi këtu të gjithë së bashku për t’ju paralajmëruar dhe për të alarmuar për albumin e tyre të ri të cilin në këtë moment ata e lansojnë”, tha Makolli.

Në përfundim të kësaj shfaqje, ai premtoi se shumë shpejt, pas zhdukjes së muzikës “Rock” do të zhduket edhe muzika klasike.

Pyetja: Pas zhdukjes së muzikës “Rock”, a është në plan edhe zhdukja e muzikës klasike? Përgjigja: Pyetja më me vend që kam dëgjuar deri më tani. Po, pas zhdukjes së “Rock-ut”, i cili do të jetë një luftë e vështirë do të fillojmë edhe me zhdukjen e muzikës klasike”, tha ai.

“One” ka shtatë këngë, prej të cilave dy janë në gjuhën angleze. Këngët kanë mbajtur ritmin e grupit Troja edhe në spektrin e teksteve, që shprehin pakënaqësi me politikën dhe zhvillimet./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress