< Opinione
Kerko

Logjika lagjeformuese e partive dhe institucioneve tona

13/07/2015 08:34
(Emërtimi I rrugëve me logjikën e lagjeve) Po thuhet dhe është thënë edhe deri tash se shoqëria jonë ka dalë nga shtrati ose ka dal nga shinat. Këtë e kupton pa vështirësi edhe po t’i shikoshë shkarazi emrat dhe mbiemrat me të cilët janë emërtuar rrugët dhe sheshet në fshatrat tona (aty-këtu edhe ato të qyteteve)! Këto dy vitet fundit në Kosovë, më në fund, u emërtuan edhe rrugët, sheshet dhe rrugicat e fshatrave. Gjë e mirë shumë, sepse njerëzit duhet të kenë një adresë të saktë me emër rruge, sheshi, rrugice dhe me numër shtëpie.

(Emërtimi I rrugëve me logjikën e lagjeve)

Po thuhet dhe është thënë edhe deri tash se shoqëria jonë ka dalë nga shtrati ose ka dal nga shinat. Këtë e kupton pa vështirësi edhe po t’i shikoshë shkarazi emrat dhe mbiemrat me të cilët janë emërtuar rrugët dhe sheshet në fshatrat tona (aty-këtu edhe ato të qyteteve)! Këto dy vitet fundit në Kosovë, më në fund, u emërtuan edhe rrugët, sheshet dhe rrugicat e fshatrave. Gjë e mirë shumë, sepse njerëzit duhet të kenë një adresë të saktë me emër rruge, sheshi, rrugice dhe me numër shtëpie. Por, po të “analizosh” procesin e emërtimit të tyre dhe vet emrat që janë “zgjedhur” nga familjet, lagjet, grupet e partisë në pushtet, na duhet të themi shumë keq, madje vaj medet për këtë shoqëri dhe për këto institucione! Emërtimi I rrugëve dhe shesheve, sipas ligjeve në fuqi, është kompetencë e komunave. Këshilli komunal i një komune merr vendimin për emërtimin e rrugëve dhe të shesheve, zgjedhë komisionin komunal dhe miraton ato emërtime. Mirëpo, logjika lagjeformuese e kryetarëve të komunave dhe e këshillave komunale me këshillatrë komunalë që kanë po të njëjtën logjikë ka bër që ky proces të deformohet dhe të degjenerojë në një proces lagjesh, familjesh dhe ndikimesh të grupeve politike injorante me ndikim (kryesisht të partive në pushtet)! Në këtë pikë dallimet midis partive dhe strukturave të tyre janë të vogla! Qeverisja komunale, mjerisht edhe ajo qendrore, nuk udhëhiqet nga logjika shtetformuese por nga logjika lagjeformuese, partiake, klanore, etj. E njëjta situatë, pak a shumë, ka qenë edhe në emërtimin e shkollave dhe të institucioneve tjera! Madje, edhe ngritja e përmendoreve për dëshmorët e kombit (sidomos për dëshmorët e UÇK-së) është bër me logjikën e familjes, të lagjes e të fshatit! Sikur dëshmorët ishin të familjes, të lagjes a të fshatit e jo të kombit e të atdheut! Kush ishte më i forti bënte përmendore (po bëjnë edhe sot…!) ku t’i tekej dhe si t’i tekej, pa njohur dhe pa respektuar asnjë kriter a standard! Edhe në këtë fushë u dëshmuam miqve dhe, sidomos armiqve, se akoma jemi larg logjikës shtetformuese! Rrënjët e kësaj gjendjeje duhet kërkuar, sepse aty janë, te logjika dhe filozofia politike e shtetërore e atyre që kanë zaptuar partitë politike dhe këtë copë shteti-Republikën e Kosovës.

Janë mbushur lagjet dhe fshatrat me tabela që mbajnë emra që, në rastin më të mirë, nuk i njeh kush jasht lagjes ose fshatit të tyre dhe, në rastin më të keq, me emra që janë njohur, njihen e do të njihen për bashkëpunimin e tyre me pushtuesit e tokave të Shqipërisë (Kosovës dhe krahinave tjera)!!! Rrugët, rrugicat, sheshet dhe institucionet e vendit tonë do të duhej të mbanin me krenari dhe hijeshi emra figurash historike, emra atdhetarësh, dijetarësh, heronjsh, dëshmorësh, shkrimtarësh, artistësh…, datash, ngjarjesh kombëtare nga historia jonë e lavdishme shqiptare. Fajin për këtë degjenerim të emërtimit të rrugëve nuk e kërkoj asnjëherë te qytetarët, por te institucionet dhe te partitë politike që udhëheqin me institucionet qendrore dhe vendore të Republikës. Është qeverisja komunale dhe ajo qendrore (kur e do puna dhe kur kanë kompetenca ligjore) që do të duhej t’i përzgjedhte emrat dhe që do të duhej t’i emërtonin rrugët, rrugicat, sheshet dhe institucionet e këtij vendi. Komisioni i zgjedhur nga Këshilli komunal do të duhej t’i përzgjedhte dhe propozonte emrat për të gjitha rrugët, rrugicat dhe sheshet në territorin e komunës. Lista me emrat e propozuar do të afishohejë në çdo fshat e lagje për dy javë ose edhe për një muaj për t’i parë dhe diskutuar qytetarët. Pas këtij afati do të merreshin vrejtjet, sugjerimet dhe propozimet e qytetarëve, do të mblidhejë komisioni komunal dhe do t’i shqyrtonte një nga një. Vrejtjet, sugjerimet dhe propozimet që do të bëheshin me vend dhe në pajtim me kriteret (standardet) e vendosura nga komisioni do të merreshin parasysh. Në fund do të nxirreshin në Këshillin komunal dhe do të miratoheshin. Në komunat e Republikës sonë të lodhur nga logjika lagjeformuese dhe partiformuese ka ndodhur e kundërta: është hapur një garë e paparë (jodinjitoze) mdis familjesh dhe lagjesh për emërtimin e rrugëve me emrin e babait, gjyshit dhe të afërmit e asaj apo të kësaj familje, pa marrë parasysh se ky i afërm nuk e kishte shkruar emrin e tij as në qykë të teslicës gjatë jetës së tij ose e kishte shkruar emrin e tij në faqen e turpit (bashkëpunëtor i Serbisë…!). Janë lënë edhe shumë emra të bashkëpunëtorëve të shquar (eksponentëve) të fashizmit, duke i shitur si “nacionalistë”!!! Kësaj anarkie dhe këtij degjenerimi nuk i shpëtoi as komuna e Vitisë dhe fshatrat e lagjet e saj! Vaji me të mbërthy për këtë gjendje ku është katandisur shoqëria jonë nga injorantët, matrapazët e politikës dhe nga partitë e hurit e të litarit!

Loading...

Kam parë me vëmendje emërtimet e rrugëve dhe të shesheve në vendbanimet (fshatrat) serbe në Kosovë. Të gjitha, ama të gjitha, janë ngjarje, data, figura kombëtare të historisë serbe (shpeshherë edhe me shovinizëm të theksuar dhe antishqiptarizëm të tejdukshëm)… Secili emërtim i rrugëve dhe shesheve të tyre (edhe i institucioneve publike) ka në vete një histori dhe një porosi për të gjallët që jetojnë në ato rrugë dhe për të gjallët që kalojnë dhe i shohin ato emërtime. Njësoj edhe me monumentet që ka janë ngritur në këto vendbanime! Nuk duhet të jesh me shkollë dhe formim të posaçëm për të kuptuar se aty është dora e shtetit serb (dora e Serbisë në shtetin tonë…!!!) dhe jo e familjeve, e lagjeve apo partive të atyre lokaliteteve!

Kjo anarki, ky degjenerim, ky mjerim, për fatin tonë të keq, është shtrirë edhe në të gjitha fushat tjera! Në këtë shkallë të degjenerimit dhe shpërdorimit masiv është edhe feja dhe faltoret e saj! Njerëz të caktuar janë vetëshpallur përfaqësuesë të zotit në tokë dhe po dhunojnë e terrorizojnë qetësinë shpirtërore e psiqike të njeriut tonë (shqiptarit) me altoparlant gjithë ditën e gjithë natën…!!! Edhe ky fenomen dhe kjo çmenduri rrënjët i ka në varfrinë ekstreme dhe në politikë! Njerëzit përparimtarë, atdhetarët dhe inteligjencia e këtij vendi janë strukur dhe po ndjehen herë të pafuqishëm, herë të frikësuar dhe herë të dëshpruar me këtë gjendje! Tërheqja e tyre nga fusha e “mejdanit” para kësaj anarkie dhe para këtij degjenerimi po u shkonë për lale vagabondve, injorantëve, bashkëpunëtorëve të djeshëm e të sotëm të Serbisë dhe klaneve mediokre të partive politike në pushtet! Po i shkon, madje shumë, për shtati edhe Serbisë neofashiste, e cila edhe është pjesë active e “sponzorizimit” të kësaj gjendjeje poshtëruese dhe aspak krenare të popullit shqiptar në Kosovë e më gjerë.

Loading...
Të tjera nga Xhevat Bislimi