< Opinione
Kerko

Logjika “e djegë veten të faroj ty” e Rektorit Gashi

05/02/2014 08:03
Gjendja e krijuar në UP dhe pamjet para Rektoratit dhe rreth tij ishin të padëshiruara për qytetarët e Republikës së Kosovës. Greva, protesta dhe forma tjera të mospajtimit ose kundërshtimit të studentëve bëhen edhe në vendet e zhvilluara dhe me demokraci të konsoliduara.

Madje, ka raste kur edhe policia speciale detyrohet të intervenojë për t’i “çliruar” mjediset e një universiteti nga studentët e pakënaqur dhe për të mundësuar punën normale në atë universitet. Kështu ka ndodhur ndonjëherë edhe në Francë dhe në vende tjera. Edhe në ato vende ka organizata të ndryshme studentore: të majta, të djathta, revolucionare, ekstreme, etj. Krejt normale.

Protesta që kemi parë këto ditë para dyerëve të Rektoratit kërkesë kryesore kishte dorëheqjen ose shkarkimin e Rektorit Gashi. Reagimet e organeve të UP-së, të Ministrisë, të partive politike, të Kuvendit të Kosovës, të medies dhe të shoqërisë civile ishin të nduardurshme, të ndryshme. Kishte nga ata që i jepnin përkrahje studentëve protestuesë, por kishte edhe nga ata që e kritikuan protestën dhe e quajtën si formë të papranueshme. Në fakt në shumë debate, reagime dhe shkrime të ndryshme është “huqur” thelbi i çështjes dhe dëgjuesi ose lexuesi shpeshherë është manipuluar duke ia krijuar përshtypjen se problem i UP-së janë një grup studentësh të ndikuar ose që janë anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje! Gjë që nuk përjashtohet të jetë e vërtetë. Në këtë grupim të protestuesve mund të ketë anëtarë dhe simpatizantë të Vetëvendosjes ose të një partie tjetër. Mund të ketë edhe të tillë që nuk janë fare studentë, mund të ketë edhe të tillë që kanë qëllime rrënuese, anarkiste, etj.

Por, unë, dhe besoj edhe çdo qytetar dhe dashamir i UP-së dhe i Republikës sonë e ka të qartë se protesta është pasoja dhe jo shkaku. Nuk them se Rektori i ri nuk bëri punë të mira gjatë një viti e ca muajve. Këshilli Drejtues dhe ky Rektor morën vendim dhe ua ndërpren kontratatë e dyfishta e të trefishta shumë profesorëve, pastaj morën masa për ta “disiplinuar” regjistrimin e studentëve, nisën edhe ndalimin dhe parandalimin e shumë parregullësive që ishin bërë “rregullësi” në këtë Universitet gjatë gjithë pasluftës. Këto nisma dhe punë të mira kishin gjetur edhe përkrahjen e studentëve dhe të stafit akademik.

Loading...

“Zbulimi” dhe publikimi në medie se Rektori Ibrahim Gashi kishte marrë gradë akademike (professor i rregulltë…) me punime të dyshimta (më duket asnjëri nga fusha e tij) dhe të botuara në një revistë fiktive, të rrejshme “tronditi” botën akademike dhe studentore. Pajtohem plotësisht se ky “zbulim” u (sh)përdor pa mëshirë dhe pa marre edhe nga qarqe të caktuara që edhe mund t’ia kishin inat ose zili Rektorit dhe atyre që e bënë Rektor I. Gashin. Kjo, me thënë të drejtën, është edhe nga pak “normale” kudo në botë, por te ne manifestohet pak më vrullshëm dhe me një dozë të theksuar vulgariteti. Megjithatë, edhe Rektori duhet ta pranojë se problem (me ose pa vetëdije…) i UP-së u bë vetë ai. Rektori, me publikimet e tija “shkencore” dhe me (vet)gradimin e tij u bë shkaku i gjithë kësaj zallamahie që nuk po i bënë nder as atij, as institucioneve arsimore dhe shtetërore dhe as qytetarëve tanë. Ka tre muaj që doli në medie ky farë marifeti i Rektorit Gashi. Asnjë reflektim, veprim ose shpjegim për atë “skandal”, që sidoqoftë nuk ishte i vogël! Nëse Gashi konsideronte që nuk kishte bërë shkelje dhe se ngritja e tij akademike dhe publikimet e tij ishin konform ligjit dhe Statutit të UP-së, konform kritereve shkencore, atëherë Senati do të duhej menjëherë të mirrte masat dhe ta (ri)verifikonte punën dhe gradimin e Rektorit. Nëse këtë punë nuk mundi ta bënte Senati, sepse ishte i përfshirë në atë gradim, i takonte Këshillit Drejtues që ta “detyronte” Senatin për ta përmbushur këtë detyrim akademik. Pritja e gjatë (tre mujore…) acaroi gjendjen dhe krijoi njëfarë mosbesimi të studentëve, të disa profesorëve, të medies dhe të shoqërisë civile te organet e UP-së dhe te vetë Ministria. Po të ngrihej para protestave komisioni që u ngritë tash (pas protestave) për verifikimin e punimeve të Rektorit dhe të profesorëve tjerë, si dhe të revistës ku janë botuar punimet, besoj që nuk do të kishte arsye për protesta.

Kokëfortësia e Rektorit nuk i shkon për shtati dhe as për fytyre një profesori universitar. I. Gashi do të duhej të kishte më shumë konsideratë për organet e UP-së (ç’faj kishte ta zëmë KD-ja në këtë “histori” të Rektorit?), për studentët, për kolegët dhe për Ministrinë. Nuk do të duhej t’i fuste në këtë siklet. Duhej treguar më shumë kurajo qytetare dhe intelektuale. Dorëheqja nuk është dobësi, por forcë njerëzore, intelektuale, morale e qytetare. Kështu do ta lehtësonte pozitën dhe situatën e tij, por edhe të kolegëve, të organeve të UP-së, të studentëve dhe të vetë atyre që e kanë bërë Rektor. Si duket Rektorin e ka mundur logjika e mbrapshtë, që na shoqëron shpesh ne shqiptarëve: “e djegë veten të faroj ty”! Dorëheqja me kohë do ta shpëtonte nga djegia vetë Rektorin, i cili nuk do të kishte nevojë ta faronte askend. Me të drejtë a pa të drejtë, me faj a pa faj të mbeti në dorë Rektor, prandaj ikë një orë e më parë, sepse tashmë je i vonuar…

Loading...
Të tjera nga Xhevat Bislimi