Follow Us

*KYQU SQ EN
E Premte, 20.07.2018 03:20

​​ Vdes Carlo Benetton, trashëgimtari më i ri në moshë i markës që mban të njëjtin emër

| 10/07/2018 15:06

Carlo Benetton, më i vogli i vëllezërve dhe i motrës të cilët krijuan markën e veshje që mban po të njëjtin emër, vdiq në moshën 74 vjeç, bëhet e ditur nga burime pranë kompanisë.


Ai vdiq në shtëpinë e tij në Trevizo, në veri të Italisë pas një sëmundje. Ai ishte babai i katër fëmijëve.

Së bashku me vëllezërit Luciano dhe Gilberto, dhe motrën e tij Giuliana, Carlo Benetton themeloi kompaninë në vitin 1965 në Ponzano Veneto, një qytezë në verilindje të gadishullit, fillimisht i përqëndruar tek endja e pëlhurave.

Ideja erdhi nga Luciano, vëllai i madh dhe shumë shpejt pulovrat e buta me material leshi u shfaqën në ngjyra të ndryshme, të cilat u pëlqyen shumë nga masa.

Suksesi i “United Colors of Benetton” më pas pati një zgjerim të konsiderueshëm duke u bërë i njohur në të gjithë planetin mes viteve 1982 dhe 2000 me fushatat publicitare të bujshme të fotografit Oliviero Toscani, si ajo ku shfaqej një grua me ngjyrë duke i dhënë gji një fëmije të bardhë.

Por që prej fillimit të dekadës, marka e cila numëronte një gamë të gjerë produktesh në veshje, nuk po ndalet së humburi terren, duke e detyruar Luciano Benetton, 83 vjeç të rimarrë frerët e kompanisë këtë vjeshtë. Ai ishte larguar nga drejtimi në vitin 2012.

Benetton regjistroi në vitin 2017 një humbje prej 180 milionë euro, shuma më e madhe e humbur në historikun e biznesit, por shpreson të shohë në vitin 2019 efektet e para të strategjisë së re.


Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress