Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 22.02.2018 11:33

​Fahrushi me “Të kam në zemër Kosovë” dhuratë për pavarësi

Prishtinë | 13/02/2018 17:08

“Të kam në zemër Kosovë” është titulli i këngës që këngëtari Fahrush Azemi në bashkëpunim me Shemsin Krasniqin e “Ilirëve”, kanë sjellë për publikun shqiptar në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë të Kosovës.

Azemi në një intervistë për KosovaPress tregoi se kjo është dhurata që ai ka përzgjedhur t’iu japë admiruesve të muzikës së mirëfilltë shqipe si dhuratë për ditëlindjen e shtetësisë së Kosovës.

Inspirimi për të ardhur me një këngë të tillë Azemi tha t’i ketë ardhur nga një postim spontan të një kënge të atdhetarit Jusuf Gërvalla, për të cilën kishte marrë shumë komente dhe kërkesa pozitive nga ata që e kishin dëgjuar.


“Ideja për këtë këngë më ka ardhur në momentin kur lansova në Facebook shumë spontanisht një këngë me kitarë të Jusuf Gërvallës. Ajo këngë pati shumë efekt në Facebook. Shumë njerëz më thanë pse nuk po krijon diçka të ngjashme. Kështu më obliguan të krijoj diçka. Dhe ishim në prag të 10 vjetorit të pavarësisë të Kosovës... Dhe fillova me krijua diçka me kitarë, e nisa, e zhvillova dhe kontaktova me kolegët i mi. E përmbylla disi edhe tekstin edhe melodinë”, u shpreh ai.

Ai për KosovaPress shpjegoi se si erdhi deri tek përfundimi dhe lansimi i këngës, derisa shprehu mirënjohje për bashkëpunëtorët e tij.


“Kolegët e mi  me të cilët bashkëpunoj e mirëpritën shumë, dhe ata më dhanë edhe një të shtyrë për të vazhduar tutje. Kontaktova edhe me kolegët e mi, Hysni Klinkaun i cili mori përsipër orkestrimin, Tomor Berishën, i cili mori përsipër hedhjen e këngës në nota dhe më bënë një demo që na frymëzoi për të vazhduar tutje. Gjatë demos vendosëm t’i fusim edhe disa bashkëpunëtorë tjerë, Shemin e ‘Ilirëve’, i cili pranoi bashkëpunimin me kënaqësi. Kënga lipste edhe një dramë, ku e gjetëm një aktor shumë të madh, Ismet Azemin. Pasi e bëmë një kompletim të përgjithshëm e thirrëm edhe regjisorin Blerdi Malushin i cili në momentin që e dëgjoi këngën tha më leni mua këngën që ta çoj në fund. Një këngë e tillë tha rrallë realizohet”, rrëfen Azemi.

Teksa theksoi se edhe kori i shkollës fillore ‘Dardania’ në Prishtinë i dhanë hijeshi dhe kuptim këngës.

Ai tha se synimi i kësaj kënge është që t’i motivojë të rinjtë që të gjejnë shpresë për të ecur përpara, pavarësisht ballafaqimeve që hasin përgjatë rrugës. Derisa tregoi se e veçanta e kësaj kënge përveç përmbajtjes së fuqishme që ka, qëndron edhe në videoklipin e saj, në të cilin janë fokusuar të paraqesin mesazh pozitiv.

Azemi theksoi se përderisa dëshmorët i kanë dhënë kuptim këngës e Kosovës lirinë, ata i kanë përmendur në tekst, porse në videoklip kanë paraqitur në mënyrë figurative simbolika dhe gjëra pozitive pasi që sipas tij, nderimi më i mirë për dëshmorët është puna me nder dhe synimi për ta çuar vendin përpara.


“Mesazhi i kësaj kënge është shpresë për rininë, shpresë për këtë vend. Për me e bë këtë tekst së pari më është dashur t’i jap vetes shpresë. Sikur shumë të tjerë që bisedojnë për zhgënjimin shpesh, por kur mendova thellë në vetvete, e pash që nuk kemi shumë të drejtë të zhgënjehemi. Kemi qenë në pozita më të vështira, e kemi bërë ballë. Kurse tani i kemi punët më mirë se asnjëherë. Dhe teksti burojë nga kjo ide... Në videoklip nuk kam futur as dëshmorë, as varreza, as zhgënjim, as dhembje. I kam përmendur por gjatë xhirimeve e diskutuam ... Ideja ka qenë që videoklipi të mos i përfshijë, ne i kemi respektuar, i kemi vlerësuar, dhe gjithmonë do t’i respektojmë sepse pa ata ne nuk do të ishim këtu. Kështu që shpresoj që ta mirëpret publiku”, tha Azemi.

E regjisori Blerdi Malushi tha se duke pasur parasysh fuqinë e madhe të tekstit nuk ka qenë e lehtë të gjejnë elementet e nevojshme për ta përshkruar një Kosovë e cila për shqiptarët është shumë e madhe.

Malushi: Kush e dëgjon këtë këngë, rrallë mund të shpëtojw pa pasur emocione

Video

“Ne i kemi bërë 10 vjet. Dhe në 10 vjetorin e pavarësisë ka ardhur një dhuratë shumë e mirë. Fahrushi ka bërë një këngë që në momentin që e kam dëgjua, kam ndjerë shumë obligim për këngën dhe e kam dhënë maksimumin për këtë këngë me e bë një videoklip që i përshtatet këngës. Shumë zor ka qenë që t’i afrohemi ritmit të këngës sepse kënga shumë shpirt, ka shumë gëzim brenda. Këtë këngë kush e dëgjon rrallë mund të shpëtoj pa pasur emocione sepse ka shumë realitet përbrenda”, theksoi Malushi.

Sipas tij, kjo këngë do të jetë himn për Kosovën.


“Për mendimin tim, aq sa unë marrë vesh në muzikë, kjo duhet të jetë një himn për Kosovën... Unë nuk iu garantoj që do t’i ketë 30 milionë klikime sepse nuk jemi 30 milionë shqiptarë. Por iu garantoj se edhe fëmijët në djep kanë për ta dëgjuar. Sepse kënga nuk vdes asnjëherë”, tha ai.

Këngën “Të kam në zemër Kosovë” do të mund ta gjejnë sonte pas orës 17:00 në Youtube të gjithë ata që dëshirojnë të ndjejnë nga afër emocionet që përçon ajo në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë të Kosovës./KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress