Follow Us

*KYQU SQ EN
E Mërkurë, 24.07.2019 03:26

​Zhiviq nuk përgjigjet në pyetjet e komisionit, tregon nga kush e mori detyrën

Prishtinë | 14/03/2019 14:04

Ministrja e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, në raportimin e saj të parë para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural nuk ka folur rreth keqpërdorimeve të fondeve dhe mënyrës së ndarjes së granteve, për çka ishte ftuar të raportojë, me arsyetimin se ka marrë detyrën që 15 ditë dhe se shumica e pyetjeve të anëtarëve të komisionit kishin të bënin me periudhën kur detyrën në këtë ministri e mbante Nenad Rikallo.

Zhiviq ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në mënyrë transparente me Komisionin për Bujqësi në mënyrë që të ketë rezultate pozitive.

Ajo ka pranuar se ka vonesa në procedimin e ligjeve nga ana e kësaj ministrie në Kuvend, duke premtuar se ato do të dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor. 

Sekretari i MPBZHR-së, Kapllan Halimi ka folur rreth menaxhimit të mjeteve financiare dhe granteve nga ana e kësaj ministrie, duke thënë se sipas të dhënave të vitit 2014, në Kosovë ekzistojnë 130 mijë ekonomi familjare bujqësore, ndërsa ata si ministri përkrahin në programe bujqësore 30-35 mijë ekonomi familjare bujqësore, ku mbi 76 për qind të këtyre ekonomive familjare bujqësore nuk përkrahen.

Halimi ka folur edhe rreth konkurrencës në treg ndërmjet prodhuesve vendorë dhe atyre të huaj, duke thënë se kanë vendosur të kenë një pilot-program për mbështetjen e bizneseve të mëdha, gjë e cila do të fuqizojë produktet vendore dhe bashkëpunimin e bizneseve të mëdha me ato të vogla, në mënyrë që këto të fundit të kenë një treg të sigurt.

Për më tepër, ai bëri të ditur se nga pesë auditime që kanë pasur i kanë tejkaluar si njësi e bujqësisë.

Liburn Aliu, nga Komisioni për Bujqësi, shprehu habinë se si ka mundur të dalë pozitiv auditimi për MPBZHR-në, ku sipas listës së fituesve të granteve në këtë ministri del se për projektin për infrastrukturë rurale janë katër konsorciume që kanë fituar nga dy milionë euro dhe tha se kjo çështje duhet të hetohet nga prokuroria.

Anëtarja tjetër e Komisionit për Bujqësi, Besa Gaxherri tha se MPBZHR asnjëherë nuk ka pasur një ministret të denjë sikurse duhej të ketë dhe porositi ministren Zhiviq se sukseset e saj janë të popullit të Kosovës.

Anëtari tjetër i Komisionit parlamentar për Bujqësi Sali Zyba kërkoi sqarime të di se nga kush ministrja Zhiviq ka marrë detyrën kur ka shkuar në ministri dhe kjo e fundit tha se atë e ka marrë nga kryeministri Haradinaj. /KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress