Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 20.08.2018 08:34

​Zbulohet shtatorja e Beg Rizajt, vëllai i tij sqaron çfarë ndodhi në Deçan

Deçan | 16/06/2018 16:20

Në Deçan është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar Beg Rizaj. Kjo u bë në ditën e çlirimit të kësaj komune, që është vendlindja e Rizajt e edhe e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit, tha se Rizaj luftoi dhe ra për liri.

Një incident ndodhi teksa po zbulohej shtatorja.

Ishte vëllai i Beg Rizajt, Aliu, ai që nuk dëshironte të lejonte askënd për të zbuluar shtatoren e të vëllait, por dëshironte ta bënte ai vet.

Teksa mediat ishin në një anë, panë vetëm pjesën kur ai po diskutonte me të kryeministrin Ramush Haradinaj.

Vëllai tjetër i Beg Rizajt, Hakiu, për KosovaPress deklaroi se Aliu ishte i mërzitur për të vëllain dhe se nuk kanë asnjë problem me kryeministrin e vendit.

Edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosja ka sqaruar incidentin.

Ai tha për KosovaPress se ishte një konflikt në mes vëllezërve Rizaj dhe që kryeministri ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.

Më vonë sqaroi edhe vet kryeministri.

Thotë se ndërhyrja e tij ka qenë në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit të lirisë.

Shtatorja e heroit kombëtar do të qëndrojë në qendër të Deçanit, është financuar nga bashkëluftëtarët dhe bashkatdhetarët e tij. Ndërsa, komuna e Deçanit e ka ndarë hapësirën ku është vendosur.

Ushtari i “Shqiponjave të Zeza” të UÇK-së, Beg Rizaj, bashkë me tetë shqiptarë tjerë janë vrarë në Kumanovë gjatë një beteje me policinë dhe ushtrinë maqedonase, ku ende nuk është sqaruar se pse ndodhi kjo betejë dhe kush qëndron prapa tyre. Ai është i varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan./KosovaPress

 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress