Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 20.05.2019 01:54

​Zbatimi i MSA-s, kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së

Prishtinë | 03/11/2017 13:03

Qytetarët e Kosovës kanë perceptim pozitiv ndaj Bashkimit Evropian, duke u shprehur se Kosova do të përfitojë shumë nga integrimi i saj në familjen evropiane.

Në analizën e publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “Kosova, Integrimi Evropian dhe MSA-ja: Një analizë mbi perceptimet e qytetarëve”, qytetarët kanë thënë se përfitimi me i madh i hyrjes së Kosovës në BE, është e drejta dhe liria për të udhëtuar, për të studiuar, punuar dhe për të jetuar kudo në Bashkimin Evropian.

Mbështetja e qytetarëve për integrimin e Kosovës në BE tregohet edhe me votën e tyre dërmuese prej 75 për qind, nëse do të votonin në një referendum për hyrjen e vendit në BE.  Derisa, 81 për qind e anketuesve janë shprehur të bindur se procesi i integrimit në BE do të gjeneronte një zhvillim të rëndësishëm ekonomik në Kosovë.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, e ka mbështetur këtë analizë, duke thënë se Kosova nuk ka kohë për të humbur në rrugën e saj evropiane, por duhet të marrë vendimet e vështira.

Ajo kërkoi bashkimin e të gjitha grupeve politike dhe të bëjnë reformat e duhura që rrjedhin nga MSA-ja, pasi kjo marrëveshje është kyçe drejt integrimit në BE.

Katerina Lopo nga zyra e BE-së në Kosovë, theksoi se është e rëndësishme që Kosova ka perspektivë evropiane, por, Kosova ka humbur kohë në punën e saj në zbatimin e MSA-së.

Ndërsa kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu, u shpreh se MSA-ja rrit përgjegjësinë e Kosovës që të zbatoj reformat e kërkuara. Sipas saj, zbatimi i MSA-së paraqet rrugën e parë drejt BE-së.

Mirëpo, kritika për mos punë ndaj qeverive të kaluara pati deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca sipas të cilit, nuk ka integrime evropiane pa reforma në drejtësi, sepse ky është guri themeltar i integrimit.

Sipas tij është koha kur nuk duhet t’i bëhet qejfi askujt, por të veprohet në zbatimin e reformave, të cilat nuk janë kryer nga qeveria e kaluar, e cila ishte e madhe. Konjufca tha se Kosova është ‘në bisht’ të integrimeve evropiane.

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, theksoi se Kosova është në Evropë, por për nga niveli i zhvillimit dhe i mirëqenies qytetare është ende larg. Edhe Isufi u pajtua se qeveritë e kaluara nuk kanë bërë sa duhet, porse u shpreh i bindur se me Qeverinë Haradinaj gjendja ka ndryshuar në substancë. /KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress