Follow Us

*KYQU SQ EN
E Diel, 21.10.2018 04:56

​Ymeri: Jemi besnik të ideve e jo të njeriut

Prishtinë | 02/01/2018 16:22

Visar Ymeri sot thirri gazetarët në një konferencë për media. Edhe pse ishte ditë pushimi Visar Ymeri kishte të bëjë publik një lajm të rëndësishëm.

Ai dha dorëheqje nga të gjitha pozitat që kishte në këtë parti, si kryetar i partisë, anëtar i Kryesisë si dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

Në konferencën në të cilën nuk u lejua asnjë pyetje Ymeri tha se këtë po e bën si shenjë mospajtimi për zhvillimet që kanë ndodhur në këtë parti ditëve të fundit.

Ai  tha se ky është një prej vendimeve më të vështira të jetës së tij, derisa tregoi edhe arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi.

Sipas Ymerit  një problem i madh në VV e ka shqetësuar vazhdimisht, të cilin thotë se nuk e përkrah, por që është rritur në përmasa të pakontrollueshme.

“Fatkeqësisht ky vit i fundit ka filluar t’i rrënoj themelet e këtyre tri shtyllave të rëndësishme të organizatës tonë, jemi përballur me një fushatë sistematike, të shpifjeve, insinuatave, linçimeve etiketimeve nga më të ndryshmet. Njerëzit janë quajtur abuzues e bashkëpunëtor shërbimesh, njerëzit që kanë shpërndarë një propagandë të tillë vazhdimisht janë thirrur në emrin e Albin Kurtit, disa herë jemi marrë vesh që këto gjëra të ndalohen, por kjo nuk ka ndodhur as sot, këtë metodë nuk e pëlqej, nuk e mbështes sepse kjo e dëmton shumë organizatën tonë, pra metodën e eliminimit politik, kjo metodë është e dëmshme sepse është informate”, tha Ymeri

Tashmë ish-kryetari i partisë  tha se dorëheqja e tij shpreson të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën është kjo organizatë.

“Kohëve të fundit kam parë një intesitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës time si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pa mundur të drejtosh, e nëse nuk drejton atëherë nuk ka kuptim që të mbetëm kryetar. Shpresoj që kjo dorëheqje e imja do të kuptohet si alarm për gjendjen në të cilën kemi ardhur”, tha Ymeri

Sipas tij kjo metodë që po përdoret brenda Lëvizjes Vetëvendosje e prish kohezionin që e mbanë të bashkuar këtë organizatë.

Ai u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje i është besnike idesë e jo njeriut, dhe Vetëvendosje nuk  ka devijuar kurrë sepse i ka besuar ideologjisë.

Ymeri gjatë kësaj konference për media tha se Vetëvendosje duhet t’i respektojë parimet për të cilat ka nevojë Kosova.

Sipas tij Lëvizja mund të degradoj kur ajo mbetët peng i një ambicie personale.

“Republika e Kosovës ka nevojë për një subjekt politik që shëmbëllen integritetin, autonominë, ndershmërinë, demokracinë, sinqeritetin, vendosmërinë e sinqeritetin që i duhet politikës. Këto janë parimet e domosdoshme që mendoj që Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ketë, por këto degradojnë, atëherë kur individi e merr primatin në vijë të përgjithshme, nëse edhe kur Lëvizja shndërrohet në zgjatim të një njeriu, nëse edhe kur Lëvizja mbetet peng i ambicieve personale. Instalimi i diktatit është problem në vetvete, por zakonisht nuk është qëllim në vetvete. Nëse mënyrë e të vepruarit politik në Lëvizje është diktati atëherë nuk ka koncept, parime e program, është veç fjala e një individi.”, tha ai.

Ymeri u shpreh i lumtur që ka kontribuar që të  ndalin ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin me protesta e angazhime të shumta.

Dorëheqja e Ymerit vjen pas problemeve në këtë Lëvizje pasi që u shpërfaq një skandal ku deputetja Aida Dërguti ka fyer me fjalë banale Albin Kurtin derisa ishte në paraburgim./KosovaPress/


 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress