Follow Us

*KYQU SQ EN
E Hënë, 17.12.2018 07:27

​Veseli: Takimi ishte konstruktiv, na duhet të bashkohemi që Serbia të mos tregojë forcë mbi ne

Prishtinë | 11/10/2018 14:40

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, e ka quajtur takim konstruktiv takimin që ka mbajtur vetëm me Partinë Socialdemokrate dhe Alternativën, ndërkohë që ftesës së tij për të diskutuar për harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi nuk i janë përgjigjur LDK dhe Vetëvendosje.

Pas takimit Veseli ka thënë se janë pajtuar që duhet të ketë një qëndrim në raport me Serbinë, Kosova shtet i pavarur, sovran dhe me pushtet të unifikuar, ndërkohë që ka thënë se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

Veseli  u ka bërë thirrje LDK-së dhe VV-së që të bëhen bashkë në të mirë të Kosovës, ku ai ka thënë se duhet të jenë të bashkuar nëse interesi i Kosovës është mbi interesin e pushtetit apo kolltukëve të tyre.

Veseli, ka potencuar se Kosova nuk duhet t’ia lejojë Serbisë që të tregojë forcë mbi Kosovën.


Kreu i Kuvendit ka pasur edhe një mesazh për LDK dhe Vetëvendosjen.

Kurse, deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu, është shprehur se procesi i dialogut Kosovë Serbi nuk mund të vazhdojë përpara pa një konsensus në mes të partive politike në vend.


Sejdiu ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e PSD-së se konsensusi për platformën e dialogut duhet të bëhet në Kuvend. Kurse, ka potencuar se si parti do të marrin pjesë në çdo takim të thirrur për të diskutuar për dialogun me shtetin serb.

Ai ka folur edhe për nominimin që Qeveria i ka bërë zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj për kryenegociator.

Rrjedhimisht sipas tij vetëm Kuvendi mund të nxjerrë personin adekuat për të negociuar me shtetin serb.

Në anën tjetër, edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa e ka potencuar se duhet një konsensus në mes partive politike për dialogun me Serbinë.

Kusari ka thënë se nëse nuk arrihet ky konsensus vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ndërsa fajtorë për gjendjen e krijuar në Kosovë e ka lënë kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, që ia ka lënë kryesimin e delegacionit në bisedime me Serbinë.

Në takimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë marrë pjesë edhe partitë politike pjesë e koalicionit qeverisës./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress