Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 11.12.2018 12:10

​Veseli: S’ka ndarje, veriu do të jetë gjithmonë i yni

Mitrovicë | 09/08/2018 12:57

Kosova është një dhe nuk ka veri e jug. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë dhe në dialog nuk do të jetë temë e diskutimit ndarja.

Këto komente i ka bërë sot në Mitrovicë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili së bashku me ministrat Hamza dhe Gashi vizituan Stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’.     

Ai premtoi se shpejt do të fillojë ndërtimi i të gjitha shtëpive të djegura në veri, duke thënë se secili qytetar, pavarësisht nacionalitetit, mund të jetojë lirshëm ku të dojë në Republikën e Kosovës.

Ai tha se sovraniteti i shtetit, integriteti, janë të pacenueshme dhe se shteti është i shenjtë dhe nuk është çështje e diskutimeve dhe deklaratave çështja e kufijve.

“Kosova do të shkojë në dialog, presim nga dialogu njohjen e shtetit tonë të pavarur dhe Sovran, anëtarësimin në OKB, ruajtja e partneritetit me SHBA-të dhe BE-në. Ky është qëllimi ynë. Çdo deklaratë tjetër, çdo qëllim tjetër, më tepër është lojë për me nxitë pasiguri, frikë dhe paqartësi, që më së paku i bën dobi Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova është një, Kosova është bashkë dhe le të largohen ëndrrat se Kosovën do ta ndajnë apo ta cenojnë në ndonjë aspekt”, ka thënë Veseli.

Duke premtuar investime prej 10 milionë euro në stadiumin ‘Adem Jashari’, Veseli theksoi se Mitrovica, sporti dhe ekonomia, janë interesa strategjike të Kosovës. Sipas tij, dekada e re do të jetë dekada e sportit, ekonomisë, dekadë e integrimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës në OKB dhe BE.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me financim të fuqishëm të projekteve në Mitrovicë. Ai tha se këto investime do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, njëherësh edhe në përmirësimin e mirëqenies për qytetarët.

Ndërsa, ministri i Sportit, Kujtim Gashi, tha se po punohet në drejtim që stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ nga kategoria e dytë të shndërrohet në kategori të katërt./KosovaPress/

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress