Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 22.10.2019 01:52

​Vendosja e gurthemelit të pikës kufitare, rezultat i bisedimeve në Bruksel

Prishtinë | 16/02/2017 15:12

Krerët më të lartë të shtetit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa qëndruan sot në pikën kufitare në Merdar.

Thaçi dhe Mustafa një ditë para festës së pavarësisë bashkë me ministren për Dialog Edita Tahiri dhe me përfaqësuesen e BE-së Natalia Apostolova kanë vënë gurthemelin e pikës së kalimit që ndan Kosovën me Serbinë.

Me këtë rast presidenti Hashim Thaçi, tha se institucionet e Kosovës kanë qenë dhe janë të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.


Sipas presidentit vënia e këtij gurthemeli është dëshmi tjetër e rrugës së duhur që kanë ndjekur në procesin e dialogut.

Ai tha se ky pikë kalim këtu është vetëm një nga gjashtë pikë kalimet kufitare të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, ai tha se këto kanale të reja të kalimit të qytetarëve tanë, shqiptarë e serbë, por edhe të bashkatdhetarëve tanë po krijohen falë marrëveshjes në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se vendosja e gur themelit të vendkalimit kufitar është rezultat i bisedimeve që janë zhvilluar në Bruksel.


Shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se pas marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufijve zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka financuar të gjithë projektin me një vlerë prej 9.42 milionë euro.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha se menaxhimi i kufijve sipas standardeve evropiane demonstron përkushtimin e shtetit të Kosovës për integrime evropiane dhe euroatlantikë.

Ministrja Tahiri tha se vënia e gurthemelit për ndërtimin e pikë kalimit të përhershëm kufitar këtu  në Merdare është dhurata jonë për ditëlindjen e nëntë  të shtetit . Sipas saj, ky është një gur më shumë në themelet e shtetit, të sovranitetit dhe të prosperitetit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha vendosja e gurthemelit shënon një hap përpara drejt fuqizimit të sovranitetit të Kosovës.


Sipas Hysenit, hapja e vendkalimeve të reja kufitare do të forcojë sovranitetin e Kosovës por edhe marrëdhëniet e mira ndër fqinjësorë me Serbinë.

Pika kufitare në Merdar është vetëm një nga gjashtë pikë kalimet kufitare të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë./KosovaPress/ 



Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress