Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 20.09.2018 09:56

​Thaçi-zërave kundërshtues nga Tirana: Vendimmarrja i takon Prishtinës

Prishtinë | 13/09/2018 12:50

Idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve nuk po e përkrahin as partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë, por mbështetje nuk ka gjetur as tek liderët opozitar dhe ish presidentët në Shqipëri.

Kundër idesë së Thaçit në Tiranë ishin kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-presidentët, Sali Berisha dhe Bujar Nishani, të cilët e kanë quajtur edhe ide të rrezikshme.

Por sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, kur është pyetur për këtë qëndrim të tyre nuk ka dhënë një përgjigje direkte.

Ai tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende sovrane dhe vendimmarrja i takon Prishtinës në fund. Madje ai ka thënë se Kosova nuk po involvohet në debatin e tyre për çështjen e detit me Greqinë.

“Është shumë me rëndësi që ky proces tanimë ka një gjithëpërfshirje, por në fund mos harroni, vendimi është i institucioneve të Republikës së Kosovës. Është i qytetarëve të Kosovës dhe kjo është më e rëndësishmja. Konsultimet duhet të ndodhin me të gjithë, e vlerësoj lart vizitën e kryeparlamentarit Veseli dhe delegacionit qeveritar nga zotëri Limaj dhe Gashi. Janë konsultime të nevojshme, kanë qenë konsultime permanente tash e tri dekada me autoritetet në Shqipëri, por ne jemi dy vende sovrane dhe vendimmarrja i takon Prishtinës në fund. Sikur që ne nuk po pretendojmë të involvohemi në debatin e tyre për çështjen e detit me Greqinë, sepse është vendim i tyre. Edhe marrëveshja Kosovë-Serbi është vendim i yni, ne jemi vend sovran, i pavarur me institucione legjitime, me partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n, prandaj çdo sugjerim dhe këshillë pozitive do të jetë maksimalisht e respektuar. Çdo ngjyrim partiak apo pretendues për pështjellime politike, do të jetë kategorikisht i refuzuar, prej kujtdo qoftë”, ka thënë Thaçi.

Duke mos e qartësuar se kujt po i referohet, Thaçi ka shtuar se nuk mund të flasë sot për patriotizëm, dikush që ka folur më herët që për Kosovën mjafton hapësira demokratike në kuadër të Serbisë apo një autonomi në kuadër të Serbisë.

Në fund, Thaçi ka siguruar se qëndrimi edhe i Prishtinës dhe Tiranës do jetë i njëjtë, bashkë me atë Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian.

Kundër idesë së presidentit Thaçi në Kosovë janë edhe kryeministri Ramush Haradinja, kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe kryenegociatori Fatmir Limaj.

Ai ka thënë se mund të ketë dallime në mes tyre, por duke ironizuar tha se në fund të gjithë do të jenë në një aeroplan./KosovaPress/


 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress