Follow Us

*KYQU SQ EN
E Martë, 13.11.2018 06:40

​Thaçi: Dialogu nuk ka alternativë, alternativat e tjera janë izolimi dhe konfrontimi

Prishtinë | 08/11/2018 21:16

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar skenën politike kosovare që të bashkohen për dialogun, ndërsa ka deklaruar se në takimin e sotëm në Bruksel, pala serbe dhe Aleksandar Vuçiq kishin një diskurs agresiv dhe arrogant.

Këtë deklaratë presidenti Thaçi e dha pas takimit trepalësh që ka pasur në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti Thaçi i ka bërë ftesë tërë skenës politike në Kosovë, që të bashkohet dhe të vijnë në Bruksel për të qenë sa më të fuqishëm në dialog për ballë Serbisë, e cila siç tha nuk është e lehtë në dialog.

“Mund të them përsëri se është një sfidë jo e lehtë me gjithë këtë aparaturë të Serbisë, të ballafaqohemi këtu dhe në hapësirat tjera. Për këtë arsye mendoj që është me interes që e gjithë skena politike kosovare të merr guximin, energjinë, vendosmërinë, që të vinë këtu të ballafaqohemi të gjithë, dhe të shëmojmë progres, në mënyrë që të jetë një proces i një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e pranueshme dhe mund të them se është një momentum i ri i cili duhet me u shfrytëzuar, është shansë historike që të ndodh njohja edhe nga Serbia për Kosovën”, tha presidenti i Ksoovës.

Ai po ashtu deklaroi se dëshiron të shpresojë në vullnetin dhe energjinë e njerëzve në Kosovë, të partive politike, shoqërisë civile, mediave, pasi është momenti i ballafaqimit dhe tejkalimit të kësaj pengese të madhe të quajtur Serbi dhe Aleksandër Vuçiq, përball një ofensive arrogante të tyre në raport me shtetin e Kosovës.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga delegacioni i Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq, ndërsa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejte për arritjen e marrëveshje të balancuar, që do të nënkuptonte njohjen reciproke, dhe anëtarësim e Kosovës në OKB, gjithashtu me mundësi reale edhe të zëvendësimit të Rezolutës 1244. Kështu që janë gjerë të ndjeshme dhe të mëdha, këto që kemi para nesh në ditët dhe javët e ardhshme. Andaj unë mbes me shpresë se me një përfaqësim, bazë edhe më të gjerë politike, Kosova siç ja ka dalë edhe më herët do të ia dalë edhe kësaj radhe”, tha presidenti Thaçi, raporton KosovaPress.

Ai po ashtu pohoi se pozicioni i palës kosovare është i qartë, ku dialogu nuk ka alternativë, ndërsa alternativat e tjera janë izolimi dhe konfrontimi.

“Dialogu nuk ka alternativë, alternativat e tjera janë izolimi, konfrontimi dhe zërat nacionalistë, populistë të destabilitetit, incidenteve, prandaj qëndrimi i shtetit të Kosovës do të jetë në përputhshmëri me interesin e shtetit, qytetarëve, mundësisë së arritjes së një marrëveshje”, tha presidenti.

I pyetur për ultimatumin e presidentit serb, Vuçiq, presidenti Thaçi deklaroi se dialogu dhe negociatat nuk shkojnë as me ultimatume, as me zëra agresiv, “atë që dua të them e them me pozicionin e shtetit të Kosovës do të jemi të përgjegjshëm, korret e konstruktiv, por shumë të vendosur në realizmin e aspiratës dhe së drejtës te shteti të Kosovës për një marrëveshje ligjërisht obligative, në rrafshin ndërkombëtar. E theksoj qëllimi madhor është të ndodh njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës, pas kësaj marrëveshje në OKB. Kjo do të ishte një mrekulli”.

Presidenti po ashtu njoftoi se takimi i radhës do të jetë në një afat të shkurtër, raporton KosovaPress.

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress