Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Enjte, 14.11.2019 06:05

​Shkelja e ligjit bëhet “traditë”, shërbyesit civilë nuk munguan as në fushatën e fundit

Prishtinë | 09/11/2019 10:57

Takimet e tubimet elektorale jo rrallëherë po “përkrahen” edhe nga shërbyesit civilë. Pjesëmarrja e tyre po vazhdon të jetë evidente qoftë në fushata lokale, por edhe ato për zgjedhje të përgjithshme.

Nuk ishte ndryshe as kësaj here në fushatën për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke pasur kështu një “traditë” të shkeljes së ligjit nga ana e shërbyesve civilë.

Monitorues të këtyre proceseve po thonë se prezenca e shërbyesve civilë në fushata të caktuara zgjedhore është para se gjithash shkelje e Ligjit të Punës, por edhe atij të Zgjedhjeve të Përgjithshme.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës për KosovaPress thotë se pjesëmarrja e shërbyesve civilë në fushata elektorale, ka të bëjë me tendencën e subjekteve politike që të kenë numër sa më të madh të njerëzve në salla. Ndërkohë shton se “Demokracia në Veprim”, ka konstatuar prezencën e shërbyesve civilë në çdo zgjedhje.

Sa herë që konstatohet një shkelje e tillë, Spahija konsideron se drejtorët e divizioneve të caktuara duhet të marrin vendime për shkeljet e Ligjit të Zgjedhjeve, e po ashtu edhe atij të Punës.

Përfshirja e shërbyesve civilë në fushata zgjedhore, drejtori ekzekutiv i “Çohu” Arton Demhasaj, konsideron se është politizim dhe defunksionalizim i Administratës Publike.

Edhe Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike deklaron për se Administrata Publike në Kosovë është e politizuar, dhe se sipas saj në raste të caktuara shërbyesit civilë po shfrytëzohen për të mbushur sallat. Për çka Loxha thotë se duhet të gjobiten partitë e caktuara politike.

E në një përgjigje dhënë KosovaPress-it, Ministria e Administratës Publike bën të ditur se zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhjet qendrore ose lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës.

“Pezullimi përfundon pesë (5) ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës. Të gjithë zyrtarët publikë të cilët shfrytëzojnë të drejtat e tyre sipas Pikës 1 dhe 2 duhet të dorëzojnë pezullimin e vendit të punës në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, ku ata punojnë, me qëllim që njoftimin për pezullim ta përcjellin tek Divizioni i Pagesave në Ministrinë e Financave”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Administratës Publike.

Në bazë të drejtave politike të zyrtarëve publikë, në këtë përgjigje të MAP-it, mes tjerash thuhet se në rast të zgjedhjes në Kuvendin e Kosovës, zyrtari publik, i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës/KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress