Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Martë, 10.12.2019 07:29

​Sherifi: VV të heqë dorë nga tendenca për të grabitur mandatet e Nismës

Prishtinë | 12/11/2019 17:47

Nisma Socialdemokrate ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po tenton t’i vjedhë mandatet e ligjshme të fituara në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, pasi PZAP-i doli në favore të kërkesës së kësaj partie për të larguar nga rezultatet votat e ardhura nga Serbia.

Në një konferencë për media, Nisma ka prezantuar një video në të cilën anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala i kishin quajtur më herët të paligjshme votat  e ardhura nga Serbia, por që më pas kishin qëndruar qëndrim pasi PZAP miratoi kërkesën e Nismës me të cilën kjo e fundit hynë në Parlament duke marrë gjashtë mandate.

Sekretari i përgjithshëm i Nisma Bilall Sherifi tha se qëllimi i kësaj konference është për të demaskuar, siç u shpreh ai, dyfytyrësinë dhe moralin e dyfishtë të Lëvizjes Vetëvendosje për të grabitur votat e një subjekti tjetër politik, në këtë rast të Nismës.

Ai ka lexuar edhe pjesë nga aktvendimi i PZAP-it  që i quan të parregullta votat e ardhura nga Serbia përmes postës në mënyrë fizike nga persona të caktuar dhe pa vulë postare dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen si fletëvotime nga jashtë dhe konsiderohen të pavlefshme.

Sherifi ka reaguar edhe ndaj deklarimeve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pas vendimit të PZAP-it, ka humbur tri mandate, për çka edhe janë ankuar në Gjykatën Supreme.

Për më tepër, Sherifi tha se shtrembërimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit pasi kjo do të çojë në diskreditim të procesit zgjedhor, teksa i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të heqë dorë nga tendenca, siç u shpreh ai, të grabitjes së mandateve të Nismës Socialdemokrate.

“VV po kërkon përmes votave kriminale në rrugë kriminale dhe të mbushura në mënyrë kriminale që kanë ardhur nga Serbia të përfitojë të vjedhë, të grabisë tre mandate që iu takojnë 42 mijë votuesve. Presioni që është duke u bërë mbi PZAP mbi vendimin e saj të ligjshëm, është një mesazh që përpiqen t’i dërgojnë Kushtueses që t’i frikësojë, që të marrin vendime sipas dëshirave të tyre grabitqare. Por kjo nuk do të kalojë. Vjedhja e mandateve të Nismës është e papranueshme dhe nuk do të pranojë një gjë të tillë. Ne do të pranojmë çdo rezultat që del nga votat e rregullta, por asnjë rezultat që del nga tendencat për grabitje të mandateve. Jemi të zhgënjyer me faktin për ata që paraqiten si shpresë për vendin, duan të startojnë me qeverisje me grabitje e vjedhje. Fillojnë me hajni dhe do të përfundojnë me grabitje. I bëjmë thirrje VV të heqë dorë nga tendenca për të grabitur mandatet e Nismës”, tha ai.

Sherifi tha se Nisma nuk do të heqë dorë nga mandatet e veta për dëshira të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndryshe, anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Adnan Rrustemi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook  ka njoftuar se Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, të shpallur nga KQZ si deputetë të listës fituese të kësaj partie, kanë bërë ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress