Follow Us

*KYQU SQ EN
E Enjte, 29.06.2017 04:16

​​Shea: NATO-ja do të jetë këtu derisa Kosova të ketë nevojë

| 18/02/2016 23:15

Para 17 viteve, ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, i doli në ndihmë refugjatëve dhe popullatës civile në Kosovë gjatë periudhës mars-qershor 1999. Për kontributin e tij gjatë asaj kohe, Jamie Shea, sot u dekorua me çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut nga Kolegji AAB.

Duke i paraprirë fjalimit të Shea-s një dokumentar lidhur veprimtarinë e tij si zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Shea tha se këtë çmim do të dëshironte ta ndante me të pilotët e NATO-s që kryen operacionet e rrezikshme gjatë bombardimit të forcave serbe dhe trupat e KFOR-it që patrullojnë në Kosovë që nga paslufta.

Shea theksoi se edhe pse nuk duhen aq shumë ushtarë të NATO-s prezent në Kosovë, ai ka garantuar që NATO do të ndihmojë popullin e Kosovës deri sa të jetë nevoja.

“Më vjen keq që nuk e zura përvjetorin e tetë të pavarësisë për vetëm një ditë, megjithatë ndjehem mirë që jam sonte këtu me ju...Nëse e meritoj këtë çmim, apo jo - është diçka për të cilën mund të flasim, sepse në të vërtetë roli im gjatë asaj kampanje ishte në studiot televizive, në konferencat e shtypit. Me lejen e rektorit, do të doja ta ndaja këtë çmim me pilotët e guximshëm të NATO-s që kryen misionet e rrezikshme, ndryshe nga unë që sfiduan rreziqet fizike. Nëse do të më lejonit do të doja të ndaja këtë çmim, po ashtu, me të gjithë ushtarët e KFOR-it. Gjatë këtyre viteve, qindra mijëra ushtarë të NATO-s kanë patrulluar nëpër Kosovë... Ndoshta nuk duhen kaq shumë ushtarë prezent këtu, por më lejoni të ju garantoj, derisa të ju duhen për të ju ndihmuar në rrugën e një lirie më perfekte, demokracie e prosperiteti, do të jemi këtu për të ju ndihmuar”, tha Shea.

Shea përgëzoi qytetarët kosovarë për progresin e arritur gjatë viteve të pasluftës, duke krahasuar me imazhet e zymta që ai mban mend që nga viti 1999.

Megjithatë, Shea në fjalën e tij të rastit në marrjen e çmimit, tha se tani Kosova është e pavarur dhe, nëse diçka shkon keq, atëherë vetë shteti është fajtor për këtë. Por, ai ritheksoi që është detyrë e komunitetit ndërkombëtar që t’i ndihmoj Kosovës në rrugëtimin e saj, me NATO-n dhe me institucionet tjera relevantë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Tash që jeni të pavarur është përgjegjësia juaj. S’mund ta fajësoni askënd përveç veten tuaj nëse gjërat shkojnë keq. Po është detyrë e komunitetit ndërkombëtar të ju ndihmojë dhe asistojë dhe unë për gjithë jetën time do të jem një nga miqtë më të mirë të Kosovës për të ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj, me NATO-n dhe më gjerë. Por, të themi, sa më shumë që ju ndërmerrni reforma të thella në marrëdhëniet me fqinjët, pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë, aq më e lehtë do të jetë për ne të gjithë që të ju ndihmojmë dhe ta bëjmë Kosovën një Singapor evropian në të ardhmen. Me të vërtet besoj se ju keni aftësinë për ta bërë këtë. Keni kapitalin njerëzor dhe gjithçka që ju duhet për këtë storie suksesi. Besoj se brenda disa viteve, Kosova do të integrohet në institucionet atlantike të Evropës. Do ta kompletojë ribashkimin e Evropës dhe Evropa do të jetë më mirë me integrimin e Kosovës në të njëjtën mënyrë sikur ju që do të jeni më mirë me integrimin në Evropë”, tha Shea.

Ndërsa, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se prezenca e Sheas nderon të gjithë.

Ai çmoi lartë vendimin e NATO-s në atë kohë për të bombarduar forcat serbe, të cilin e cilësoi si vendim për parimin e humanizmit, ndërsa shtoi se NATO kishte zëdhënësin e tij i cili për popullin shqiptar ishte shndërruar në zë të shpresës.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe të institucioneve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë./KosovaPress/ 

 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress